Çifti bavarez: Droga u porosit nga Gjermania
Gjykata merr në pyetje pesë të arrestuarit me 40 kg heroinë në Shqipëri me itinerar Shqipëri- Greqi- Gjermani
TIRANË- Pesë shqiptarët e akuzuar për trafik droge nga Shqipëria në Gjermani janë marrë dje në pyetje në Gjykatën e Krimeve të Rënda për llogari të palës gjermane.
Ata u arrestuan në fillim të majit të këtij viti me 40 kg heroinë. Lënda narkotike po tentohej të kalohej nga Shqipëria në Greqi e më pas për të përfunduar në Gjermani nga dy korrierët gjermanë, çifti Franc dhe Rexhina Kiacek të "paguar" nga bashkëvendësi i tyre i arrestuar po atë ditë në aeroportin "Nënë Tereza", Daniel Hengel.
Rreth orës 10:00 të paradites së djeshme, gjyqtarja Etleva Deda, me kërkesë të autoriteteve gjermane, të përfaqësuar nga dy prokurorët e çështjes, Edvin Kondili dhe Adnan Xholi, mori në shqyrtim kërkesën e ardhur me letër-porosi duke i pyetur pesë të pandehurit e arrestuar pasditen e datës 2 maj 2009.
Sipas letër-porosisë së ardhur nga Gjermania, prokuroria e qytetit të Ulmit ka filluar procedimin penal ndaj tre gjermanëve të arrestuar në Shqipëri, çifti Franc dhe Rexhina Kiacek dhe "pronarit" të drogës Daniel Hengel me akuzën e "trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike" në bashkëpunim Zaim Tafa dhe Alban Pëllumbaj. "Autoritetet e drejtësisë në Ulm të Gjermanisë, kanë kërkuar marrjen në pyetje për llogari të hetuesve gjermanë të pesë të arrestuarve",- thuhet nga burimet.
Por Tafa dhe Pëllumbaj nuk pranuan t'iu përgjigjen pyetjeve të ardhura nga autoritetet gjermane. Ata rezervuan të drejtën për t'iu përgjigjur pyetjeve gjatë fazës së gjyqit. Ndërkohë, çifti i bavarezëve Kiacek dhe "pronari" i mallit Hengel pranuan t'iu përgjigjen 18 pyetjeve të autoriteteve hetimore të Ulmit. I pari që u pyet ishte Daniel Hengel, i cili mbajti një qëndrim mohues mbi sekuestrimin e 40 kg heroinë, duke pohuar: Nuk kam lidhje me këtë drogë.
Më pas vijoi pyetja e çiftit Kiacek, të cilët përveç se pranuan se ishin transportues të drogës, nuk dhanë ndonjë detaj të hollësishëm në lidhje me zbardhjen e bashkëpunëtorëve të tjerë.
"Ne kemi ardhur në Shqipëri për të marrë drogë. Atë e kemi marrë në Fier dhe më pas jemi nisur për në Greqi. Nuk i njohim personat që na dhanë drogën, pasi ishin ata që na gjetën se ku rrinim me porosi të ardhur nga Gjermania.
Nuk e di ku do e dërgonim drogë, pasi rrugës do na lajmëronin në telefon personat që na dhanë atë",- mësohet se kanë thënë çifti Kiacek, i cili pranoi para gjykatës së ishin vetëm "korrierë". Pas marrjes në pyetje të tre gjermanëve, Gjykata e Krimeve të Rënda do të administrojë procesverbalin e kësaj seance dhe nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë do t'i dërgohet autoriteteve gjermane.