E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rehn: Opozita të kthehet në Kuvend

Autori i Lajmit: Redaksia
Bojkoti i Kuvendit nga ana e opozitës shqiptare është jashtë standardeve evropiane. Kështu ka pohuar komisionari Olli Rehn në një konferencë të përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvilluar në Bruksel. Pasi ka informuar Komisionerin evropian për Zgjerim për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave dhe të integrimit të Shqipërisë në BE, ministri i Jashtëm, Ilir Meta dhe komisioneri Olli Rehn kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp. Në konferencë fjalën e mori i pari Komisioneri Rehn i cili pasi ripërsëriti edhe njëherë disa nga konkluzionet e Progres-Raportit të Komisionit Evropian theksoi nevojën e konsensusit politik në përparimin e Shqipërisë drejt Unionit Evropian. Ndërsa e konsideroi bojkotin e opozitës si jashtë standardeve evropiane duke thyer stabilitetin demokratik të vendit, Rehn ju drejtua socialistëve të kthehen në Kuvend, sepse sipas tij, debati politik duhet të zhvillohet brenda dyerve të legjislativit. “Debati duhet të zhvillohet në Kuvend. Stabiliteti demokratik është thelbi kryesor dhe bojkoti i opozitës nuk bën pjesë në këto parime”,- tha Rehn. Nga ana e tij Meta, u shpreh i angazhuar për të bashkëpunuar me opozitën, ndërsa pritet prej palës tjetër që të marrë përgjegjësitë e veta. “Qeveria dhe mazhoranca kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim, por pa shkelur pavarësinë e gjyqësorit dhe vendimet e gjykatës”, - u shpreh Meta. Më tej ai vlerësoi përparimet në zgjedhjet e fundit por theksoi se duhet bërë më shumë. “Shqipëria ka bërë përparime në disa reforma siç e kemi thënë edhe në raport. Zgjedhjet i përmbushën disa nga kriteret, por ka ende disa probleme të identifikuara. Dua të them diçka për maturimin demokratik, kryesisht për atë çfarë kërkon Komisioni Evropian. Kërkojmë reforma dhe konsensus politik që janë thelbësore për të pasur përparim për integrimin në BE”, - u shpreh Rehn. Komisioneri evropian nënvizoi se një ndër sugjerimet dhe inkurajimet që i përcolli kryediplomatit shqiptar ka të bëjë me përmirësimin dhe mbrojtjen e medias dhe fjalës së lirë, kjo duke ju referuar ngjarjes së ditëve të fundit me gazetarin Mero Baze. Ai ka vlerësuar më tej dhe atë që e quajti si programi ambicioz i Qeverisë. “Ky program fokusohet në integrimin Evropian dhe kërkesat e tij si dhe në përkushtimin për të ndjekur ato reforma që do të ndihmojnë në materializimin e objektivit për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Në mënyrë të veçantë, kjo ka të bëjë me çështje që lidhen me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, - tha ai.

Komisioneri: Kushtet për vizat të arritshme

Kushtet e mbetura për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën, janë të rëndësishme, por në të njëjtën kohë, janë sigurisht të arritshme. Kështu pohoi dje nga Brukseli Komisioneri Olli Reh i pyetur për këtë proces në një kohë kur tashmë janë liberalizuar vizat për Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë. “Në rastin e Shqipërisë, nëse Qeveria e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera do të punojnë fort dhe do të sigurojnë plotësimin e kërkesave, atëherë Komisioni do të bëjë rekomandimin për lëvizjen pa viza në mesin e vitit 2010. Sigurisht që kjo varet nga Komisioni i ardhshëm por unë do të ushtroj gjithë ndikimin tim si kandidat për Komisoner për të siguruar që ky objektiv të arrihet sapo të jenë plotësuar kushtet”, - tha ai.

Meta i premton Rehn thellimin e reformave

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir meta i ka premtuar komisionarit Olli Rehn thellimin e procesit të reformave proces që sipas tij, do të kontribuojë për avancimin e marrëdhënieve tona me BE. “E informova Komisionerin Rehn mbi punën që po bëjmë për të përmbushur në kohë të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit për procesin e liberalizimit të vizave, për të cilin presim një përgjigje pozitive brenda vitit që vjen. Në këtë kuadër, vlerësojmë bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e Komisionit”, - tha ai. Për sa i përket Progres-Raportit, Meta tha se Qeveria i ka marrë rekomandimet shumë seriozisht, dhe se ato tashmë përbëjnë bazën e një plan-veprimi për punën e Qeverisë gjatë muajve të ardhshëm. “Ndërsa ne mirëpresim një vendim nga Këshilli të merret së shpejti, e informova Komisionerin Rehn se Qeveria shqiptare është tepër e fokusuar në përgatitjet për t’iu përgjigjur Pyetësorit në kohën e duhur. Me këtë rast e sigurova Komisionerin se Qeveria shqiptare është e vendosur dhe ka mobilizuar kapacitetet më të mira të vendit për këtë proces”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 12/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›