E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët e BE-së pranojnë kërkesën e Shqipërisë

Autori i Lajmit: Redaksia
Vendet e Bashkimit Evropian ranë dje dakord që të mbështesin aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim eventual në familjen evropiane, një hap ky në procesin e gjatë drejt anëtarësimit në bllok. Ambasadorët e 27 vendeve anëtare kanë rënë dakord që ti kërkojnë Komisionit Evropian të përgatisë një vlerësim për gatishmërinë e Shqipërisë për të nisur bisedimet për anëtarësim. Vendimi pritet të miratohet nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, gjatë një takimi dyditor që nis të hënën. Kjo gjë u paralajmërua po dje nga komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn. Gjatë konferencës për shtyp me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta të zhvilluar në Bruksel ai konfirmoi se ambasadorët e COREPER-it të vendeve anëtare të BE kanë diskutuar tashmë mbi statusin e Shqipërisë dhe pritet shumë shpejt që Këshilli do ti kërkojë Komisionit Evropian të përgatisë AVIS në nëntor për aplikimin e Shqipërisë për statusin kandidat. Pyetjes se po pritet së shpejti mandati nga Këshilli për aplikimin për ti dhënë një AVIS nga Komisioni për aplikimin e Shqipërisë dhe nëse do të merret Komisioneri me aplikimin e Shqipërisë apo jo, Rehn iu përgjigj: “Me sa kuptoj, vendet anëtare e kanë diskutuar këtë çështje në COREPER dhe ka një shans të mirë që vendimi teknik për ti kërkuar Komisionit që të përgatisë AVIS do të merret nga Këshilli i Marrëdhënieve me Jashtë, në nëntor. Ka një shans të mirë për këtë dhe unë do ta mirëprisja këtë sepse koha tashmë ka ardhur. Ne do të fillojmë sipas procedurave tona normale të përgatisim opinionin. Me këtë dua të them se unë nuk do ta përgatis këtë vetë gjatë periudhës së Krishtlindjeve, prandaj sipas mendimit tim, kjo do të bëhet nga Komisioni i ardhshëm dhe sigurisht Komisioneri përgjegjës për zgjerimin në Komisionin e ardhshëm është ai që do të ngarkohet për përgatitjen e opinionit mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE”.

Pengesat

Pak javë më parë Gjermania ka bllokuar shqyrtimin e aplikimit të Shqipërisë për statusin kandidat nga këshilli i radhës i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian. Berlini nuk ka pranuar që kjo çështje të përfshihej në axhendën e punimeve 2-ditore të Këshillit të mbajtur në mesin e tetorit, me argumentin se duhet pritur fillimisht progres-raporti. Realisht një qëndrim i tillë ka ardhur për hir të zgjedhjeve në Gjermani, për shkak të ndikimit negativ që përbën çështja e zgjerimit në zgjedhjet që u organizuan në Gjermani. Në të njëjtën kohë, suedezët, të cilët mbajnë presidencën e BE-se, deklaruan se aplikimi pritet të shqyrtohet në muajin që vjen. Me të marrë udhëheqjen e unionit në muajin korrik të këtij viti, suedezet premtuan fillimisht se shqyrtimi i aplikimit të Shqipërisë pritet të kalojë shpejt, pasi bëhet fjalë vetëm për një çështje teknike. Shqipëria aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në muajin prill. Nëse i lejohet që të nisë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, atëherë Shqipërisë do ti kërkohet të çojë përpara reformat politike dhe ekonomike sipas standardeve evropiane, një proces ky që mund të zgjasë disa vjet.

Ky lajm është publikuar: 12/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›