Rehn: Sulmi i dhunshëm ndaj Bazes, qeveria të mbrojë median dhe të garantojë lirinë e sajNga Tema Komisionari për Zgjerimin, Oli Rehn, deklaroi dje në Bruksel se kërkon që qeveria të përmirësojë lirinë e medias dhe të mbrojë ato, duke iu re
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rehn: Sulmi i dhunshëm ndaj Bazes, qeveria të mbrojë median dhe të garantojë lirinë e sajNga TemaKomisionari për Zgjerimin, Oli Rehn, deklaroi dje në Bruksel se kërkon që qeveria të përmirësojë lirinë e medias dhe të mbrojë ato, duke iu referuar rastit të dhunës ndaj gazetarit Mero Baze. Rehn i bëri deklaratat pas një takimi që pati me ministrin e Jashtëm, Ilir Meta.
“Implementimi i MSA, që hyri në fuqi këtë vit po njeh progres të vazhdueshëm dhe efikas. Ende mbetet shumë për t’u bërë. Shqipëria duhet të bëjë progres veçanërisht në fushën e rendit dhe sigurisë dhe gjithashtu për të siguruar pavarësinë e gjyqësorit. Në këtë kuadër e inkurajova z. Meta dhe Qeverinë që të bëjnë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të përmirësuar këto çështje dhe për të bërë reforma në këto drejtime, ashtu siç e inkurajova edhe për përmirësimin e lirisë dhe mbrojtjes së medias, që ende gjendet nën sulme të dhunshme, siç ishte rasti i fundit i z. Baze,” tha Rehn.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm tha se çdo institucion në vend është distancuar seriozisht nga ky incident dhe personat e përfshirë në këtë sulm ndodhen në arrest.
“I garantova gjithashtu Komisionerit Rehn se qeveria është tepër e përkushtuar për të garantuar lirinë e mediave dhe e informova atë se të gjithë personat e përfshirë në incidentin e fundit fizik ndaj një gazetari të njohur në vend, z. Baze, janë nën masën e arrestit. Të gjitha institucionet në vend dhe vetë qeveria është distancuar seriozisht jo vetëm nga ky incident por nga çdo lloj incidenti apo dhune që kërcënon standartet e lirisë së medias në vend,” tha Meta.
“Të zgjidhet kriza politike, do dëmtojë integrimin e vendit”
Komisionari për Zgjerimin ka kërkuar nga zëvendëskryeministri Meta që të gjendet një zgjidhje për krizën politike që ka mbërthyer vendin. Rehn tha se i kishte kërkuar dhe opozitës që të ndërpresë bojkotin parlamentar.
“Dua gjithashtu të them diçka në lidhje me pjekurinë demokratike. Progresi drejt BE kërkon reforma të vështira dhe konsensus politik në prioritete kyçe. Kjo është thelbësore për çdo vend që të bëjë progres drejt BE. Në emër te forcimit të konsensusit politik, i kam kërkuar zv. Kryeministrit të gjejë një zgjidhje për bllokadën aktuale politike dhe për bojkotin e Parlamentit prej Opozitës. Patjetër që ky është një shqetësim që e kam ngritur edhe me opozitën dhe i kam kërkuar asaj që t’i japë fund bojkotit parlamentar që nuk respekton standardet demokratike evropiane. Debati demokratik duhet të ndodhë brenda Parlamentit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme gjatë kësaj periudhe që BE është duke konsideruar kërkesën, dhe kur Komisionit do t’i duhet së shpejti të fillojë punën për Opinionin mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Një kriter politik thelbësor është stabiliteti demokratik dhe ky lloj bojkoti parlamentar nuk përputhet me pjekurinë demokratike apo me stabilitetin që kërkohet,” tha Rehn.
Kur pritet që për pak ditë, aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE të shkojë për shqyrtim në Komisionin Europian, Rehn tha se nëse kriza do të zgjatet, kjo do ketë ndikim negativ në vlerësimin që do japë Komisioni.
“Natyrisht, nëse bojkoti parlamentar do të vazhdojë më gjatë, ai do të ketë një ndikim negativ në analizat për kriterin politik dhe kështu do të kishte një ndikim negativ në mundësitë për garantimin e statusit të kandidatit nga BE-ja,” tha Rehn.
Kurse përfaqësuesi i mazhorancës tha se ata janë të gatshëm të bëjnë gjithçka kanë në dorë, pa ndërhyrë në vendimet e gjyqësorit çka nënkupton moshapjen e kutive.
“Ndërsa ne mirëpresim një vendim nga Këshilli të merret së shpejti, e informova Komisionerin Rehn se Qeveria shqiptare është tepër e fokusuar në përgatitjet për t’iu përgjigjur Pyetësorit në kohën e duhur. Me këtë rast e sigurova Komisionerin se Qeveria shqiptare është e vendosur dhe ka mobilizuar kapacitetet më të mira të vendit për këtë proces. Qeveria është e përkushtuar të bashkëpunojë me opozitën përgjatë këtij procesi dhe ka përsëritur vazhdimisht vullnetin e saj për këtë çështje, ndaj presim që opozita të marrë përgjegjësitë e saj shumë seriozisht.
Qeveria dhe mazhoranca në Parlament e kanë shprehur vullnetin e tyre për bashkëpunim dhe dhe për t’i zgjidhur kërkesat legjitime të Opozitës, por pa prekur dhe pa ndërhyrë në pavarësinë e gjyqësorit dhe vendimet e gjykatës,” tha Meta.
Rehn për vizat: Kushtet janë të arritshme, duhet t’i plotësoni
"Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë i ka plotësuar standartet që në verën e kaluar ndërkohë që Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë një punë shumë të mire për arritjen e këtyre standardeve dhe sipas vlerësimit të Komisionit, Mali i Zi dhe Serbia i plotësojnë kushtet për një kalim të sigurt dhe pa problem për udhëtimin pa viza për qytetarët e këtyre vendeve.
Kushtet e mbetura për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën, janë të rëndësishme, por në të njëjtën kohë, janë sigurisht të arritshme. Në rastin e Shqipërisë, nëse Qeveria e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera do të punojnë fort dhe do të sigurojnë plotësimin e kërkesave, atëherë Komisioni do të bëjë rekomandimin për lëvizjen pa viza në mesin e vitit 2010. Sigurisht që kjo varet nga Komisioni i ardhshëm por unë do të ushtroj gjithë ndikimin tim si kandidat për Komisoner për të siguruar që ky objektiv të arrihet sapo të jenë plotësuar kushtet."