E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reichel: Nëse arrini marrëveshjen Kosova do t’i afrohet BE-së

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Ernst Reichel, ka thënë se Gjermania është e bindur se marrëveshja për bashkëpunim rajonal do të jetë një avancim për Kosovën.

”Këtu është interpretuar se arritja e një kompromisi shpie nga shitja e vendit! E vërteta është që nëse nuk bëni marrëveshje, Kosova nuk arrin asgjë, por nëse arrini marrëveshjen Kosova do t’i afrohet Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Reichel.

Reichel, foli pas përfundimit të takimit që është mbajtur me dyerë të mbyllura ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe disa ambasadorëve, transmeton RTK.

Ai ka refuzuar të komentojë ngjarjet e zhvilluara pas vizitës së Zëvendës Sekretarit të SHBA-së, William Burns.

“Nuk jam kompetent të komentoj këtë çështje, por besoj se vizita e Burnsit është planifikuar shumë më herët se që është shtruar në rend dite çështja e bashkëpunimit rajonal”, është shprehur Reichel.

Sipas tij, pavarësisht nga kjo, nuk dyshon se gjatë vizitës është diskutuar edhe për çështjen e përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale.

Refuzimi i propozimit që Kosova përmes fusnotës t’i referohet tri dokumenteve, sipas tij, nuk do t’i shërbente vendit.

“Nëse kjo do të ndodhte, pasoja e menjëhershme do të ishte se Bashkimi Europian nuk do të mund t’i thotë Serbisë se nuk i ka përmbushur obligimet, për shkak se vetë Kosova nuk ka pranuar marrëveshjen e bashkëpunimit rajonal”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka pranuar që në fusnotën e dokumenteve të bashkëpunimit rajonal të futet edhe termi Rezoluta e OKB-së 1244 për Kosovën, të cilën vetë kryeministri me vite e ka mohuar dhe e ka cilësuar si jorelevante.

Kjo ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te opozita, por edhe te shoqëria civile në Kosovë, e cila po akuzon Thaçin se ka pranuar një dokument i cili, po e kthen Kosovën një hap prapa.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›