Sa ishin të pasur baballarët amerikanë të kombit?

Në mars të vitit 1789, përderisa po përgatitej për tu larguar nga mali i tij i adhuruar Vernon, për të shkuar në inaugurimin e tij të parë në New York, George Washingtoni i dërgoi letra miqve të tij më të ngushtë dhe nipave. Washingtoni nuk e kishte synuar presidencën, duke preferuar më shumë që pas 15 viteve të luftës, të shijonte pensionimin dhe të punonte tokën e tij në brigjet e lumit Potomak.
Në letrën dërguar bashkëluftëtarit të tij, Henry Knox, ai ndër të tjera shkroi:”Ulja ime në karrigen kryesore të qeverisë do të shoqërohet me ndjenjën e ngjashme të fajtorit, i cili shkon në vendin ku do të ekzekutohet”. Por Washingtoni kishte edhe një arsye tjetër, përveç obligimit qytetar, që të rikthehej në jetën publike: ai kishte mbetur pa asnjë qindarkë.
Në letrën dërguar nipit të tij të preferuar George Augustine Washington, më 31 mars, ai e pranoi atë, që tashmë e dinin shumë miq të tij:”Domosdoshmëria do të më kishte detyruar që të rikthehem në detyrë, po të mos isha zgjedhur, pasi që mjetet që kam në dispozicion nuk janë adekuate për të mbuluar shpenzimet, të cilat i kam bërë unë në jetën private, që nga tërheqja ime”. Me fjalë tjera, ai kishte nevojë për punë.
Në raportet e fundit, në të cilat është bërë krahasimi mes pasurisë dhe të hyrave të kandidatit republikan për president, Mitt Romney dhe pasurisë së Baballarëve të Kombit kanë qenë të stërmadhuara. Ajo që ekspertët për vlerësimin e pasurisë së baballarëve të kombit nuk po e marrin parasysh është se atëbotë SHBA-ja ka qenë një shoqëri, në të cilën paratë e gatshme nuk kanë pasur ndonjë vlerë, me ç’rast me miliona hektarë të tokës nuk kanë pasur pothuajse kurrfarë vlere, pasi që askush nuk kishte para për të blerë apo për të marrë toka me qira. Në një raport të Wall Streetit theksohet se George Washingtoni ka qenë më i pasuri në mesin e presidentëve amerikanë, pasi që ka pasur shumë tokë dhe rreth 300 skllav.
Megjithatë, ai më shumë se gjysmën e pasurisë së tij e kishte humbur gjatë revolucionit. Ai nuk kishte pranuar të marrë pagë, si kompensim për tetë vitet sa ka shërbyer si komandant suprem. Gjatë sulmeve të britanikëve kundër rezidencës së tij në Malin Vernon, ai kishte humbur gjithashtu edhe bagëtinë dhe shumë skllavë.
Pronarët e tokave kanë përbërë 95 për qind të popullatës në pronat e pavlerë pas përfundimit të revolucionit. Sikurse edhe ata, edhe Washingtoni tentoi të shet tokën e tij, apo ta lëshojë atë me qira. Ai i dha fund kultivimit të duhanit dhe mbjelli grurë, për t’ia shitur atë fqinjëve të tij, me qëllim që të siguroi ushqimin për skllavet e tij. Për të dalë nga kriza ekonomike, Washingtoni pranoi me ngurrim që të kryesoi konventën kushtetuese në Filadelfia, në verën e vitit 1787, por u detyrua që të marrë para borxh për të udhëtuar deri atje dhe për të qëndruar katër muaj në Filadelfia. Paratë i kishte marrë borxh nga fqinji i tij i parë, George Mason.
Jeta pa para të gatshme e Washingtonit ishte tipike edhe për baballarët tjerë amerikanë të kombit. Jefferson pranoi që për veprimtarinë e tij gjatë revolucionit të paguhej me valutë të pavlefshme kontinentale dhe nuk arriti të paguaj borxhet. Ai nuk është këndellur pothuajse kurrë plotësisht në aspektin financiar. Ai madje kishte marrë para borxh edhe nga skllavi i tij kryesor, James Hemings.
Alexander Hamilton qëndroi vetëm shkurtimisht në konventën kushtetuese, si delegat nga New Yorku. Ai mbajti një fjalim që zgjati gjashtë orë, e më pas u kthye në zyrën e tij në Maiden Laine, për të fituar para, me qëllim që të ushqente shtatë fëmijët e tij.
Duket e pakuptimtë që sot të bëhen përpjekje për të krahasuar pasurinë e presidentëve dhe të kandidatëve për presidentë gjatë historisë. Vlera e tokës, e bagëtisë dhe e gjërave tjera ka ndryshuar aq shumë, sa që vërtetë nuk ja vlen të bëhen krahasime të këtilla.
(Daily Beast)