E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballja për fusnotë

Kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova pranon të përfaqësohet në nismat rajonale nëse si referencë do të jetë Deklarata e Pavarësisë, Opinioni i GJND’së dhe Rezoluta 1244. Por, propozimi i tij u kundërshtua nga Borko Stefanovic, në një prononcim për Express. Të martën, në Bruksel do të shtrohet edhe një ide e tretë, e cila synon t’i përfshijë propozimet e të dyja palëve.

Çështja e përfaqësimit rajonal të Kosovës në forumet rajonale tashmë ka marrë një qartësi më të madhe.

Në tavolinë janë tri propozime, që në një formë ose një tjetër përfshijnë Rezolutën 1244, Opinionin e GJND’së dhe Deklaratën e Pavarësisë.

Ngërçi dhe mospajtimet kanë të bëjnë me radhitjen e fjalëve, sidomos asaj të Deklaratës së Pavarësisë, të cilën Beogradi nuk e pranon si referencë më vete.

Burime të Expressit kanë treguar se, përderisa Prishtina insiston që në fusnotë të jetë si referencë Deklarata e Pavarësisë, Opinioni i GJND’së dhe Rezoluta 1244, pala serbe insiston që referencë kryesore të jetë Rezoluta 1244 dhe Opinioni i GJND’së “për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës”.

Një zyrtar i lartë ndërkombëtar, ka treguar për Express se krahas këtyre propozimeve, ekziston edhe një i tretë, i cili po gjen përkrahje në Bruksel, por edhe në Washington.

E ai është që referencë të jetë Rezoluta 1244 dhe Opinioni i GJND’së “për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.

“Dallimi mes këtij propozimi dhe propozimit serb është se këtu përmendet Deklarata e Pavarësisë, pra si një dokument, e jo “shpallja e njëanshme” për të cilën gjë insiston Beogradi”, ka treguar diplomati perëndimor që foli për gazetën.

Sido që të jetë, publikisht, tashmë është i qartë vetëm pozicioni i Prishtinës.

Të dielën, Kryeministri Hashim Thaçi foli për herë të parë për modelin, përmes të cilit, sipas tij, duhet të zgjidhet çështja e përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale.

“Në bashkëpunimin regjional, në të njëjtën kohë, Kosova do të përfaqësohet me Deklaratën e Pavarësisë, pra do të merret parasysh Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 Shkurtit 2008, gjithashtu opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që rikonfirmon ndërkombëtarisht pavarësinë e Kosovës dhe Rezoluta 1244 që njeh dhe garanton integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe prezencën e NATO’s në Kosovë”, ka thënë Thaçi, në një intervistë për “Top Chanel”.

I pyetur se a është pajtuar pala kosovare për heqjen e fjalës “Republikë” nga përfaqësimi i vendit në këto organizime, kreu i ekzekutivit të Kosovës u shpreh: Për ne është me rëndësi agjenda europiane, përshpejtimi i pakos europiane për Republikën e Kosovës.

“Për ne nuk kanë qenë me rëndësi formulimet dhe simbolikat. Për ne është me rëndësi agjenda europiane, përshpejtimi i pakos europiane për Republikën e Kosovës”.

Mirëpo, krejtësisht i papranueshëm ky model është për Beogradin zyrtar.

Kjo pikërisht për shkak të përfshirjes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanovic, në një deklaratë për Express, për më tepër e ka quajtur të kotë mendimin e publikuar nga Prishtina.

“Jo, Deklarata e Pavarësisë nuk është dokument ndërkombëtar, siç është Rezoluta 1244 dhe Mendimi i GJND’së. Të vendoset Deklarata e Pavarësisë së Kuvendit të Kosovës, atëherë çfarë është përgjigja e Beogradit? Atëherë futet situata e Serbisë, futet situata e Kosovës, futet deklarata e Kuvendit të Serbisë, dhe kështu nuk përfundojmë askund. Pra, nëse duhet t’i referohemi ndonjë dokumenti, ato dokumente duhet të jenë dokumente ndërkombëtare, dhe jo dokumente të brendshme”, ka thënë Stefanovic, të dielën për Express.

Ai tha se nga Qeveria e Thaçit presin një zgjidhje më racionale dhe vendim më të qartë rreth kësaj çështjeje.

“Ne shpresojmë që Qeveria Thaçi të gjejë forcën për të marrë vendime të rëndësishme gjatë ditëve të ardhshme dhe të përmbyllim këtë kapitull të rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Ajo që po them është se për ne është e pranueshme që t’i referohemi Rezolutës 1244 dhe Mendimit të GJND’së, por sigurisht se Deklarata e Pavarësisë së Kuvendit të Kosovës nuk mund të jetë bazë për këtë”, ka thënë Stefanovic.

Për më tepër, ai e ka kundërshtuar mënyrën e bërjes publike të opsionit të Prishtinës për përfaqësimin e saj rajonal.

Njëherësh, Stefanovic ka konfirmuar pjesëmarrjen e Serbisë në raundin e radhës të bisedimeve në Bruksel, të martën.

“Nuk është mirë që këto mendime të shkëmbehen përmes mediave, por shpresojmë se do të gjejmë forcën që së bashku të zgjidhim këtë çështje të rëndësishme dhe që ta bëjmë këtë të martën në Bruksel”, tha ai.

Për çështjen e përfaqësimit rajonal, Ndërmjetësi Robert Cooper muajin e fundit ka qenë dy herë në Prishtinë dhe dy herë në Beograd.

Tashmë, diplomati britanik e ka të qartë se çfarë duan palët.

Mbetet të shihet nëse do t’i bindë ato për të pranuar “zgjidhjen fatlume”, të martën kur ata të shkojnë në Bruksel.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›