E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reichel: Veriu, çështje e brendshme e Kosovës

Gjermania mbetet e vendosur në qëndrimin që Serbia të shpërbëjë strukturat e saj paralele në veri të Kosovës. Kështu është shprehur ambasadori në largim i Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel.
 

“Kancelarja Angela Merkel para pothuajse një viti në Beograd, në mënyrë të hapur e ka ngritur çështjen e shpërbërjes së strukturave paralele të Serbisë në Kosovë. Politika gjermane, që nga ajo kohë, në vazhdimësi e ka bërë kërkesë kryesore të veten normalizimin e raporteve të Serbisë me Kosovën. Tani ka ardhur shansi për të normalizuar situatën në Kosovë”, tha Reichel.
 

Sipas tij, Kosova ka shumë për të fituar nga një normalizim në Ballkanin Perëndimor, shumë më shumë se Serbia. “Nëse Serbia dëshiron t`i afrohet BE-së, duhet të jetë e gatshme për marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën”, theksoi ai.
 

Reichel tha se të mos e shfrytëzosh mundësinë për të arritur një normalizim të situatës, do të ishte një marrëzi politike. Sipas tij, as bashkëbiseduesit, as SHBA-ja e as Gjermania nuk do të pranonin një rezultat të bisedimeve, i cili nuk do të përmirësonte situatën e Kosovës së pavarur.
 

“Për veriun nuk mund të flitet me Serbinë, sepse veriu është një çështje e brendshme e Kosovës. Sikur mos te ishte kështu, atëherë Kancelarja Merkel nuk do të kërkonte nga Serbia tërheqjen e institucioneve paralele ilegale nga veriu i Kosovës”, u shpreh Reichel.
Gjermania, shtoi Reichel, është përcaktuar për dialogun e vizave mes Kosovës dhe BE-së. “Nëse Qeveria dhe Parlamenti do të punojnë me kaq përkushtim, ky dialog do të çojë shpejt në heqjen e regjimit të vizave, gjë që është pritur shumë gjatë. Veç kësaj, Gjermania i ka hapur dyert për punëtorët e kualifikuar nga Kosova, të cilët dëshirojnë të punojnë në Gjermani. Me këtë është bërë një hap të madh përpara”, deklaroi ai.
 

Ambasadori gjerman ka falënderuar popullin e Kosovë për mikpritjen e përzemërt te treguar ndaj tij dhe ka uruar forcimin edhe më të madh të raporteve midis popullit gjerman dhe popullit të Kosovës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›