Reina, optimist për sezonin e ri

Kur kanë mbetur edhe dy javë nga fillimi i sezonit të ri në Premierligë, portieri i Liverpoolit, Pepe Reina beson se klubi anglez mund të arrijë suksese. Reds patën përparim të dukshëm që nga janari, kur këtë ekip e mori në dorë Kenny Dalglish, duke përfunduar në pozitën e gjashtë të Premierligës.
Dyshja Andy Carroll-Luis Suarez shkëlqyen, por atyre iu shtua edhe produkti nga akademia, që befasoi për të mirë. Përparimi i Daglish vazhdoi me përforcimet e verës; Stewart Downing, Charlie Adam e Jordan Henderson.
“Mendoj se i kemi shfaqur ambiciet tona gjatë afatit kalimtar. Klubet tjera e bënë të njëjtën gjë, kështu që pritet të jetë e vështirë të përballemi me ta. Mirëpo, ne jemi optimistë se sezoni që vjen mund të jetë pozitiv për ne”, deklaroi portieri spanjoll për ueb faqen zyrtare të klubit.
Reina beson se uruguaiani Luis Suarez, i cili shkëlqeu në Copa America, do të përmirësohet edhe më tej dhe do ta ndihmojë Liverpoolin drejt sukseseve. 28 vjeçari nuk ka luajtur në asnjë ndeshje para-sezonale, por ai pret të kthehet shpejt pasi të shërohet plotësisht nga lëndimi.
“Mezi pres t’i kthehem fushës. Nuk ishte mirë kur në kohën e pushimeve u desh të operohesha. Por, pas tri vjetësh pa pushime, e bëra një gjë të tillë këtë verë”, përfundoi Reina.