E Diel, 1 Nëntor 2026

E nderon pozita e re

Jurgen Klinsmann ndihet i nderuar që iu besua pozita e selektorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Trajneri gjerman do ta zëvendësojë Bob Bradley. Ai thotë se do të mundohet ta krijojë një ekip të bashkuar dhe ta dërgojë në Botërorin 2014. Federata e Futbollit e SHBA-së nuk e fsheh gëzimin për emërimin e Klinsmannit. Nga Express më 31 korrik 2011 në ora 12:03

Jurgen Klinsmann është emëruar selektor i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zyrtarizimi ka arritur një ditë pasi Bob Bradley u shkarkua pas pesë vjetësh. Klinsmann pati një karrierë të bujshme si lojtar, duke e fituar Kampionatin botëror 1990 dhe Evropianin 1996 me Gjermaninë.

Ndërsa, si trajner, ai e udhëhoqi Bayern Munichun dhe përfaqësuesen e Gjermanisë, por pa fituar ndonjë trofe. Ai jetoi në SHBA që prej pensionimit nga futbolli, ndërsa vazhdimisht spekulohej se do të mund ta merrte në dorë ndonjë ekip amerikan nga Major League Soccer, ose edhe vetë Kombëtaren amerikane.

“Jam krenar dhe i nderuar që u emërova selektor i SHBA-së. Dëshiroj ta falënderoj Federatën e Futbollit të Amerikës për mundësinë, mezi pres ta filloj sfidën e re. Do të mundohem ta ndërtoj një ekip bashkëpunues dhe të fortë për sfidat që na presin. Do ta nisim së bashku rrugën për kualifikim në Botërorin 2014”, deklaroi gjermani.

Klinsmann e shijoi një karrierë të jashtëzakonshme prej 17 vjetësh, duke luajtur në ekipe si Stuttgart, Inter, Monaco, Tottenham e Bayern Munich. Ai realizoi 47 gola në 108 paraqitje për Gjermaninë dhe Gjermaninë Perëndimore. Ai e la futbollin në vitin 1998, ndërsa e mori pozitën e selektorit të Gjermanisë në vitin 2004.

Klinsmann e udhëhoqi ekipin bardh e zi deri te pozita e tretë në Botërorin 2006, për të dhënë dorëheqje menjëherë pas këtij evenimenti, i cili u mbajt pikërisht në Gjermani. Dy vjet më pas, ai e mori në dorë Bayernin, me të cilin shkoi deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, por u largua vetëm pas një sezoni.

Sa i përket eksperiencës së re me SHBA-në, nuk janë bërë të ditura detajet. “Jemi të ngazëllyer ta kemi Jurgenin selektor për ekipin e meshkujve. Ai ishte lojtar me karrierë të bujshme dhe trajner me eksperiencë e njohuri të avancuara, me një program OK. Jurgen kishte suksese në arena të ndryshme të lojës dhe ai do ta sjellë te ne lidershipin”, deklaroi presidenti i futbollit amerikan, Sunil Gulati.

Legjenda braziliane, Pele, është i bindur se Klinsmann do të ketë eksperiencë pozitive në postin e ri. “Ishte një lojtar i madh dhe është trajner me eksperiencë. Mendoj se mund të bëjë gjëra pozitive me SHBA-në”, tha Pele.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›