Reja kontestohet për Canën

Kryesia e Lazios nuk e pëlqen mënyrën se si është duke e udhëhequr ekipin trajneri Edy Reja, në fazën përgatitore. Trajneri italian e ka lënë në bankën rezervë futbollistin kosovar, Lorik Cana, i cili i kushtoi klubit ‘Biancocelesti’ 8 milionë euro.
Reja e preferon Cristian Ledesman përpara përfaqësuesit shqiptar, në formacionin 4-3-1-2. Nëse nuk i ‘dhez’ ky formacion, trajneri duhet të japë llogari.
“Presidentit Lotito dhe drejtorit sportiv, Tare, nuk po u pëlqejnë zgjedhjet e trajnerit Reja. Shumë shpejt, trajneri do të japë përgjigje dhe përgjegjësi për këto zgjedhje”, shkruan uebfaqja italiane, repubblica.it.
Një tjetër gjë e cila nuk i pëlqen kryesisë është se presidenti Claudio Lotito mendon se Lazio për momentin ka kapacitet ta kap pozitën e tretë, ndërsa Reja ka thënë se një gjë e tillë është mjaft e vështirë për t’u arritur.
Ish futbollisti i PSG, Olympique Marseille, Sunderland dhe së fundmi i Galatasarayt, Cana, konsiderohej blerje e madhe për Lazion, por ai ka përfunduar në bankinë, në ndeshjet përgatitore, pasi që trajneri Reja preferon lojtarë të tjerë.