E Diel, 1 Nëntor 2026

Reja e hirit vullkanik, Berisha udhëton me tren nga Gjermania në Vjenë



Reja e hirit vullkanik që ka krijuar kaos në mbarë Europën duke bllokuar fluturimin e avionëve, ka sjellë edhe bllokimin e ardhjes në Tiranë të kryeministrit Berisha. Mësohet se kreu i qeverisë shqiptare, për të qenë në krye të detyrës ditën e sotme, ka vendosur të mos presë në Bruksel për nisjen e avionëve dhe ka ndërmarrë një udhëtim me makinë drejt Gjermanisë. Sipas burimeve në Gjermani, kryeministri Berisha do të presë biletën për trenin ekspres dhe do të udhëtojë përmes Europës me tren për të mbërritur në Vjenë. Më pas, në Aeroportin e Vjenës do të marrë avionin për të mbërritur në Tiranë. Mësohet se kryeministri Berisha mund të mbërrijë në Aeroportin e Rinasit rreth mesnatës, ndërkohë që pritet që ai të jetë në krye të detyrës gjatë ditës së sotme. Kryeministri Berisha prej dy ditësh ndodhej në Bruksel ku dorëzoi përgjigjet e pyetësorit të BE-së për Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel kryeministri Berisha pati një axhendë të ngjeshur takimesh me drejtuesit më të lartë të Bashkimit Europian. Ai mori mbështetje për shqyrtimin me kujdes të përgjigjeve të Pyetësorit, ndërsa iu kërkua nga zyrtarët e lartë të BE-së që të zgjidhet sa më parë ngërçi politik në Shqipëri.
Kaosi
Ndërkaq, kaosi i fluturimeve ajrore, i shkaktuar nga reja e hirit vullkanik të Islandës, ka prekur Shqipërinë dhe gjithë Gadishullin Ballkanik. Zyra e shtypit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” ka konfirmuar se fluturimet për në Londër dhe Budapest nga Aeroporti ynë janë pezulluar gjatë ditës së djeshme. Kjo pasi aeroportet e Londrës dhe të Budapestit janë mbyllur për shkak të resë së hirit që ka mbuluar thuajse gjithë qiellin europian. Vala e pezullimeve dhe reduktimeve të fluturimeve ajrore ka përfshirë dhe vendet fqinje, Greqinë, Kroacinë dhe Maqedoninë. Dhjetëra fluturime nga Greqia drejt vendeve në Veri të Europës janë pezulluar. Kjo sepse në rreth 5 shtete në Veri të Europës aeroportet janë mbyllur. Mijëra njerëz janë bllokuar në aeroporte me shpresë se fluturimet do të rinisin. Por, sipas të dhënave, në disa vende si Islanda, Britania e Madhe, Norvegjia, Suedia etj., aeroportet do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe në fundjavë. Drejtori i Operacioneve në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, Rolf Castro Vasquez, shprehet se pezullimi dhe bllokimi i hapësirës ajrore në disa vende mund të zgjasë disa ditë dhe mund të ketë pezullime të fluturimeve në disa vende të Europës. Zyrtarët e Aeroportit të Rinasit kërkojnë që pasagjerët të informohen për flurimet çdo ditë, për të shmangur problemet dhe vonesat. Që prej ditës së djeshme janë bllokuar fluturimet në Irlandë, Britani, Danimarkë, Suedi, Holandë, Belgjikë, Francë dhe situata duket e rënduar edhe në Gjermani. Parashikohet anulimi i 17 mijë udhëtimeve, ndërkohë që 8 mijë të tjerë janë bllokuar që prej ditës së djeshme. Autoritetet britanike kanë zgjatur kohën e mbylljes së hapësirës ajrore deri të shtunën në mëngjes. Bllokim fluturimesh mund të ketë edhe në Poloni, Estoni, Lituani, Letoni dhe Austri. Sipas ekspertëve, reja po lëviz drejt Juglindjes së kontinentit. Reja ka mbërritur në Gadishullin e Kolas, në Veri të Rusisë, por Aeroporti i Murmanks atje funksionon normalisht. Reja duket se po afrohet edhe mbi qiellin e Moskës.

17 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›