Mustafa Arapi ekspozon 37 vepra në galerinë e Prishtinës
Mustafa Arapi njihet si restaurues, por njerëzit e afërt e njohin dhe si piktor të talentuar. Kjo ka qenë arsyeja që Ministria e Kulturës së Kosovës nuk ka dashur “t’ia dijë” dhe i ka dhënë mundësinë që më 15 prill të jetë në galerinë e këtij institucioni, me ekspozitën e titulluar “Universalis”, e cila do të jetë e hapur deri më 30 prill. Janë plot 37 vepra të tij që janë krijuar mes viteve 1992 dhe 2010. Duhet të kujtojmë se Arapi, gjithmonë ka qenë tepër prezent në kulturën shqiptare përmes punës restauruese dhe studimore, por edhe procesit krijues. Për publikun e Prishtinës do të ekspozohen katër cikle të piktorit ndër vite. “Do të përfshihen vepra të ciklit të parë që kam pasur me kompozime, të ciklit të dytë me grafika, të ciklit të tretë që vijnë me një frymë metafizike duke marrë spunto nga Bizanti dhe cikli i fundit me grafika me laps, kombinuar edhe me akrilik. Këto vepra përvijojnë një linjë të krijimtarisë sime në vazhdimësinë e viteve”, shprehet Arapi.
Do jetë dhe një katalog me këtë rast, kurse ekspozita do të shoqërohet me një katalog, ku në mënyrë simbolike është zgjedhur në kopertinë tabloja “Apokalips”. “Zgjedhja që kam bërë në këtë tablo përfaqëson transformimin e njeriut. Sot, qenia njerëzore është në një kërkim të vazhdueshëm, me shpikje që zëvendësojnë njëra-tjetrën, por që në një moment të caktuar mund t’i kundërvihen vetë krijuesit. “Universalis” e trajton njeriun si univers të madh, ku kanë ndodhur ngjarjet nga më të çuditshmet: barbaria, mizoria, tradhtia, pabesia. Thirrja ime është: Ku po shkon njeriu?” – ka treguar piktori për median.
CNN në Maqedoni po xhiron një dokumentar për Nënë Terezën
Gazetari i njohur i TV CNN, Nik Robertson dhe kameramani Simon Pauel në Maqedoni po përgatisin disa seriale televizive në mesin e të cilave edhe dokumentarin filmik për Nënë Terezën. Qëllimi është 100 vjetori i lindjes së saj. Janë xhiruar detajet nga qyteti i lindjes Shkupi, Çarshia, kryqi qindvjeçar, vendet lidhur me fëmijërinë e Nënë Terezës: kullën feudale në të cilën ndodhet vendi i shenjtë, vendosjen në shtëpinë përkujtimore me morgun në të cilën ka eshtra të saj, varrin e babait të saj Nikolla Bojaxhiu në Butel, Kishën katolike dhe kronikë për kryeqytetin e Maqedonisë. Në tregimin për rrënjët familjare të Nënë Terezës janë shfrytëzuar dëshmi të kronistit dhe kryetarit të asociacionit Stojan Trençevski. Flasin edhe përfaqësues të Kishës katolike, humanistë, shkupjanë të cilët presin me rastin e një shekulli nga lindja e saj, qytetin e lindjes dhe Maqedoninë t'i vizitojnë shumë besimtarë dhe turistë, ndërsa papa Bendekti 16 ta shpall të shenjtë.
Tirana prezantohet në Paris në tempullin e artit botëror
Kryeqyteti i gjithë shqiptarëve, Tirana dhe ngjyrat e saj, është prezantuar në tempullin e artit botëror të Parisit, në Pompidu. Në ekspozitën e titulluar ‘Premtimet e së shkuarës’, janë përfshirë edhe pjesë nga Tirana e cila ka pësuar një transformim përgjatë këtyre viteve. Kuratorja Kristin Masel,është tërhequr nga ideja e kryebashkiakut Edi Rama për dekorimin e godinave shqiptare dhe transformimin plot ngjyra te qytetit. “Është një privilegj i madh që projekti ynë i transformimit të ishte një lajm i mirë për botën. Sot në sytë e një publiku që është stërvitur duke parë mrekullira, shihet Tirana e transformuar përmes syve dhe duarve të artistëve të njohur ndërkombëtarë, të impresionuar nga projekti ynë”, u shpreh Rama. Gjatë hapjes së ekspozitës është transmetuar edhe filmi i Anri Salës, i titulluar ‘Dammi i Colori’ (Jepmë Ngjyrat).
16 Prill 2010