E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi merr titullin “Qytetar nderi” i Dibrës së Madhe



Në ditën e tretë dhe të fundit të vizitës së tij në Maqedoni, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka zhvilluar një vizitë në Dibrën e Madhe, ku është rezervuar një pritje e veçantë nga qindra qytetarë, të cilët e shpallën presidentin shqiptar “Qytetar Nderi”. “Këto momente janë momente të një emocioni të veçantë. Unë sot jam qytetar i Dibrës”, - u shpreh Topi. Si dibran i sapoadoptuar, presidenti shqiptar ngriti lart vlerat qytetare të Odës Dibrane. “Në vitin 1991 vjen në Shqipëri një misionar anglez i LIIB, që kishte shërbyer në këto zona dhe i kishte njohur shumë mirë rregullat e kësaj zone. I mbushur me kujtime dhe emocione, duke iu referuar dibranëve dhe Odës Dibrane, ai tha se dy universitete kam kaluar në jetë: Universitetin e Oksfordit dhe Universitetin e Dibrës. Duke e krahasuar me Parlamenti anglez, ai e quante Odën Dibrane një parlament të vërtetë”, - theksoi Topi. Për presidentin Topi është detyra e politikanëve që të promovojnë vetëm politikat e komunikimit, të miqësisë dhe të harmonisë. Në këtë komunikim, sipas tij, një rol të rëndësishëm luajnë edhe rrugët që afrojnë njerëzit. Presidenti Topi garantoi se qeveria shqiptare do ta ndërtojë Rrugën e Arbrit.
“Nga Dibra në Tiranë nuk do të jenë më shumë se 75 kilometra. Ju do e keni më të kollajtë për të ardhur në Tiranë dhe unë do të kem më të lehtë për të ardhur në Dibër”, - theksoi Topi.

Topalli, ekspozitë në Kuvend për Nënë Terezën

Figura e një prej personaliteteve më të shquara botërore, humanistes së madhe Nënë Tereza erdhi dje në ekspozitën e piktorit Gjovalin Paci, në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë. Ekspozita e titulluar “Nënë Tereza midis qiellores dhe tokësores” është në serinë e veprimtarive që Kuvendi po organizon në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në hapje të ekspozitës, tha se nuk njeh personalitet tjetër të shekullit XX më të admiruar se Nënë Tereza. Kryetarja e Kuvendit, duke vlerësuar punimet e ekspozitës, u shpreh se në portretet e Pacit shihet shpirti i madh i humanistes Nënë Tereza, që simbolizon karakterin e fortë të genit shqiptar. “Kjo ekspozitë përfshin katër periudha: periudha e fëmijërisë së Nënë Terezës, periudha e zgjimit të shpirtit humanitar, periudha e tretë është aksioni i madh humanitar i saj dhe periudha e katërt është ajo që, Gjovalin Paci e quan midis qiellores dhe tokësores.
Ajo që është më e veçanta në këtë aktivitet është salla në të cilën bëhet. Është salla ku u mor vendimi që Nënë Tereza të mos lejohej të vinte në Shqipëri dhe është salla, ku u mor vendimi që të mos përmendej emri i Nënë Terezës”, - u shpreh kryetarja e Kuvendit.
Piktori Paci, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e këtij aktiviteti, tha se “Nënë Tereza i dha shekullores vlera të reja universale me forcën e shpirtit të madh përtej çdo bukurie njerëzore. Njerëzimi krenohet me emrin e saj, ne lartësohemi si bijtë e tokës sonë amtare”.

17 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›