Futbolli, cirk dhe korrupsion
Javi Poves, futbollisti 24-vjeçar i skuadrës spanjolle Sporting Gijon, ka lajmëruar tërheqjen e tij nga futbolli sepse kërkon të jetojë “një jetë të pastër”.
Mbrojtësi Poves, i cili ka depërtuar nga ekipet e grupmoshave të reja në Atletico Madrid, debutoi me Gijonin në Primera Division sezonin e kaluar kundër Herculesit.
Për çdo futbollist tjetër ky do të ishte hapi i parë drejt objektivave të mëdha, por jo për 24-vjeçarin. Ai e shkëputi kontratën e tij me Gijonin dhe nuk dëshiron të jetë pjesë e futbollit të sotëm, që, sipas tij, “nuk ka identitet”.
Fillimisht la të habitur drejtuesit e klubit, kur vitin e kaluar u kërkoi të mos e paguanin nëpërmjet transferimeve bankare sepse nuk donte që bankat të spekulonin me paratë e tij. Më pas ktheu makinën që i kishte dhuruar klubi sepse nuk ndihej mirë duke pasur dy makina.
“Kam kuptuar që futbolli profesionist është para dhe korrupsion. Është kapitalizëm dhe kapitalizmi do të thotë vdekje. Nuk dua të jetoj në një sistem që bazohet në fitimin e parave nga vdekja e njerëzve në Azi, Afrikë apo Amerikën e Jugut”, ka deklaruar Javi Poves.
“Është kundër mënyrës së jetesës time, kundër mendimeve dhe idealeve të mia. Pa marrë parasysh a bëhet fjalë për ligën e parë, të dytën apo të tretën, nuk më intereson, nuk dua të luaj më. Nuk më pëlqen se futbolli sot është cirk. Përveç kësaj, futbollistët vlerësohen lart në shoqëri dhe nuk duhet të jetë kështu”, shtoi ai.
Poves thotë se e ardhmja e futbollit është në dyshim. “Do të vjen dita kur futbolli do të merr një goditje të fortë. Futbolli i sotëm është një cirk. Nuk e di kur, por duhet të bëhen ndryshime të mëdha në mënyrë që të shpëtojmë, e ardhmja e futbollit është e paqartë”, theksoi ai.
Spanjolli ka ndërmend që tashmë të kalojë jetën në vende të pazhvilluara, aty ku nuk ka nevojë për shumë para. “Kam ndenjur edhe më parë në hotele me 3 euro”, përfundon ish-futbollisti.