E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Berisha i dorëzon Sanninos planin e veprimit

Kryeministri Berisha i ka dorëzuar sot planin e veprimit Drejtorit për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino i cili së bashku me ambasadorin e BE-së në Tiranë Ettore Sequi kanë qënë të pranishëm në Komitetin ndërministror të integrimit.

“Kam nderin t`i dorëzoj drejtorit të Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino planin e veprimit i cili është një plan i hartuar pas një pune shumë serioze të përbashkët të të gjitha forcave politike, mazhorancës dhe opozitës, shoqërisë civile dhe me një ndihmë direkte serioze të Komisionit Europian, përfaqësues të të cilit gjatë gjtihë kësaj periudhe kanë patur në epiqendër ndihmën e vendit tonë për të çuar përpara reformat e nevojshme për procesin e integrimit” ka theksuar Berisha

Kryeministri Berisha  e informoi Sanninon se po punohet për rregulloren e parlamentit, ngritjen e Gjykatës Administrative, reformën zgjedhore por dhe heqjen e imunitetit dhe çështjen e pronave.  “Dua të informoj se opozita dhe pozita janë dakord për heqjen e imunitetit. Nuk bien dakord për procedurën, nëse duhet prekur kushtetuta apo jo. Në këtë rast dua t`ju them se është qeveria që do të bëjë kompromisin, do pranojmë atë formë që opozita e quan më të përshtatshme realizimin e heqjes së imuniteteve” ka theksuar Berisha.

Nga ana e tij, Sannino theksoi se suksesi i planit të veprimit për rekomandimet e KE do të jetë sukses i të gjitha palëve”. Ndërsa ka vlerësuar deklaratën e kryeministrit për një proces gjithëpërfshirës jo vetëm të forcave politike, por edhe të shoqërise civile Sannino  ka përgëzuar për planin e veprimit që i është dorëzuar duke e cilësuar atë si një dokument serioz

“Në fjalën tuaj, zoti kryeministër përmendi diçka shumë të rëndësishme dhe kjo ka të bëjë me faktin e gjithëpërfshirjes. Jam dakort me faktin që të gjitha forcat politike kanë qënë të përfshira dhe është një përgjegjësi për të gjithë të zbatohet plani i veprimit. KE-ja ju përgëzon për këtë frymë kontruktive të bashkëpunimit që ekziston tani në Shqipëri mes të gjitha forcave politike dhe ju inkurajojmë për këtë. Siç e ka thënë edhe komisioneri për zgjerim në BE Stefan Fyle axhenda europiane të jetë axhenda kombëtare e Shqipërisë. Suksesi i zbatimit të këtij plani do të jetë suksesi i të gjitha palëve dhe jo e një pale të vetme” ka theksuar Sannino.

Sannino gjithashtu ka kërkuar përfundimin e reformës zgjedhore pasi sipas tij kjo do të ishte një garanci për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.  “Ndaj me ju mendimin që puna me grupin për reformën zgjedhore të përfundojë së shpejti në mënyrë që ne të sigurohemi që zgjedhjet e ardhshme të bëhen në mënyrën më të mirë të mudshme. Kjo është tepër kritike për të ardhmen” ka theksuar më tej Sannino.
 

Ai ka theksuar më tej se KE-ja është e gatshme të japë ndihmesën e saj në mënyrë që plani i veprimit të zbatohet plotësisht. “Në këtë detyrë në jemi partner pasi ndajmë të njëjtin angazhim, sjelljen e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ne do t`ia arrijmë sëbashku” ka shtuar më tej Sannino.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›