“Rekomandimet e ndërkombëtarëve, baza e ligjit të ardhshëm elektoral”

Mbledhja e grupit parlamentar të PD-së. Kryeministri flet rreth përpjekjeve për reformën zgjedhore
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, takimin në Komisionin e Venecias ku mori pjesë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Berisha shprehu falënderimet e tij për punën e bërë nga Komisioni i Venecias dhe nga OSBE-ODIHR për rekomandimet e bëra në kuadër të reformës zgjedhore dhe parlamentare.
“Zhvillim shumë i rëndësishëm ishte takimi në Komisionin e Venecias, ku delegacioni ynë u kryesua nga Kryetarja e Parlamentit zonja Topalli. Dua të shpreh edhe njëherë falënderimet e mia të përzemërta, për këto institucione, që janë sot institucionet me ekspertizën më të madhe në botë për zgjedhjet, siç është Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-i dhe rekomandimet e shkëlqyera, objektive të dobishme që ato kanë paraqitur. Sikundër garantoj se do të punohet me seriozitetin më të madh për konkretizimin e tyre në ligjet udhëzimet, vendimet e këtij vendi. Në këtë delegacion, siç e morët vesh, kishte dhe anëtarë të opozitës dhe është pozitive që opozita ndihet e kënaqur dhe ka pranuar plotësisht rekomandimet e drejta dhe të bazuara të këtyre dy institucioneve”, u shpreh Berisha.
Kryeministri kërkoi që komisioni parlamentar për reformën zgjedhore, të vazhdojë punën në frymë bashkëpunimi dhe mirëbesimi. “Uroj dhe dëshiroj që Komisioni i Reformës Parlamentare, në frymën e bashkëpunimit, në frymën e mirëbesimit, në frymën e mirëkuptimit, duke pasur tashmë një dokument të shkëlqyer, serioze përpara, të vazhdojë punën me intensitet në realizmin e kësaj reforme të rëndësishme për vendin”, tha kryeministri.
Qeveria, akt normativ për të shtyrë me 2 muaj regjistrimin e banesave
Kryeministri Sali Berisha informoi dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se do të ketë një shtyrje prej dy muajsh të regjistrimit të banesave dhe pasurive. Kjo, sipas Kryeministrit, vjen pasi ditët e fundit ka pasur dyndje kërkesash për regjistrim në zyrat e regjistrimit të pasurive dhe është i pamundur përballimi i këtij vëllimi.
“Dua t’ju informoj se qeveria do të sjellë brenda ditëve tek ju një akt normativ me të cilin ne do të shtyjmë edhe dy muaj të tjerë periudhën e faljes për regjistrimin e banesave në tërësi dhe të ndonjë pasurie tjetër, për arsye se ky proces i faljeve ka ecur në mënyrë të shkëlqyer, por siç e kemi ne, që shumë presim deri para fundit apo fundin, këto ditë ka një dyndje të jashtëzakonshme në të gjitha zyrat e regjistrimit të pasurive dhe është faktikisht krejt e pamundur përballimi i këtij vëllimi, ndaj dhe kemi diskutuar dhe vendosëm që tua sjellim aktin normativ për të shtyrë deri në ditën e fundit të muajit shkurt këtë proces”, u shpreh Berisha.
Ai tha se banesat janë rivlerësuar në një shumë prej 700 milionë dollarë, prej të cilave kanë përfituar mbi 14 mijë familje. Sipas kryeministrit, akti është i domosdoshëm pasi kthehen edhe emigrantët për festat e fund vitit. “Deri më sot, vetëm banesa janë rivlerësuar në një shumë prej rreth 700 milion dollarësh dhe kanë përfituar mbi 14 mijë familje, por janë në një dyndje reale, në zyrat e regjistrimit të pasurive, kështu që ne gjykuam se janë edhe emigrantët që kthehen dhe kjo do të ishte një lehtësim për ta, ndaj dhe ky akt është i domosdoshëm”, tha më tej kryeministri.
Situata hidrike, do vazhdojë importi i energjisë, pavarësisht çmimit
Kryeministri Berisha garanton se qeveria do të importojë energji elektrike për të përballuar situatën emergjente në vend, duke shtuar se po pati nevojë, për këtë do të modifikohet dhe buxheti i shtetit për vitin 2012. Dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i qeverisë u shpreh se thatësira ka përfshirë jo vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin dhe se pavarësisht reshjeve të shirave të rëna ditët e fundit, situata nuk paraqitet aspak premtuese.
“Ne i përmbahemi parimit se çmimi më i lartë i energjisë është mungesa e saj dhe nuk do të ndërpritet energjia për asnjë orë për shkak të çmimit. Qeveria është detyruar javën që shkoi të miratojë një akt normative për një kredi 50 milionë dollarë në. Nuk mund të parashikojmë sesi do të jetë, pasi kjo thatësirë, nuk ishte parashikuar, Nëntori ishte parashikuar me reshje të shumta, por nuk ka pasur shumë, këto janë punët e Zotit, nuk i kemi ne në dorë. Ne kemi në dorë që qytetarët të mos bien në errësirë, ndaj ne dekretuam kredinë dhe në çdo rrethanë garantoj se buxhetit do t’i bëhet çdo modifikim i nevojshëm dhe vendi të mos shkojë deri në ndërprerje energjie, ajo kohë nuk do kthehet më”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë tha se kjo çështje cilësohet urgjente, pasi nga reshjet e rëna, nivelet e liqeneve në HE-et kryesore të vendit nuk janë mbushur.
“Deri para pak ditësh Alpet e Zvicrës dhe Austrisë kanë qenë pa borë. E vërteta është se liqenet në HEC-e kanë qenë në nivele jashtëzakonisht të ulëta. Pavarësisht nga kjo, për t’i mbushur ato jemi larg, ndaj urgjent importi qe do të kushtojë”, tha kryeministri.
Berisha arsyetoi vendimin e qeverisë për t’i dhënë garanci sovrane KESH-it, për një kredi me 50 milionë dollarë, për të mbuluar nevojat e vendit në furnizimin me energji elektrike.
“Ndaj dhe qeveria është detyruar, që javën që shkoi, të miratojë një akt normativ për të mbuluar e për ti dhënë garanci sovrane KESH-it, për një kredi tjetër prej 50 milion dollarësh. Duhet ta themi këtu se nuk mund të parashikojmë sesi do të jetë sepse kjo thatësirë të paktën në grafiket që japin dhe stacionet më serioze, nuk ka qenë e parashikuar në këtë mënyrë”.
Ndërkaq, kryeministri tha se, “janë marrë masa dhe do të vendoset në punë me kapacitete të plota TEC-i i Vlorës, kostoja e prodhimit me të është shumë e lartë, por edhe njëherë çmimi më i lartë i energjisë është mungesa e saj dhe ne do të bëjmë gjithçka për të garantuar furnizimin me energji të qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të pranojmë dhe nuk kemi pranuar që të adaptohen praktika ndërprerje, për mungesë të energjisë”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.
Borxhi publik do ulet në 59 për qind, nga 59.7 për qind që është aktualisht
Kreu i ekzekutivit Sali Berisha tha dje se pavarësisht shpenzimeve, kryesisht përmes importit të energjisë elektrike, qeveria do ruajë brenda parametrave të lejuar ligjor, borxhin publik. Sipas kryeministrit, borxhi jo vetëm që nuk rritet në raport me vitin e kaluar, por do ketë rënie të lehtë këtë vit, nga 59.7 për qind, në 59 për qind.
“Kam shumë kënaqësi t’ju njoftoj se me ato ndërhyrje që kemi bërë në buxhet dhe me shkurtimet në shpenzime që u bënë në qershor, prapë se prapë, borxhi jo vetëm që nuk rritet në raport me vitin e kaluar, por do të ketë një rënie të lehtë. Ka qenë 59.7 për qind mbyllet me 59 përqind. E vërteta është se po të mos ishte ky akti i fundit normativ edhe më mirë do të ishte, por ky akti i fundit normativ kishte një emergjence. Rëndësi të jashtëzakonshme ka që ne bëmë një kontroll shumë serioz, shumë të vendosur të borxhit publik dhe faktikisht vitin e kaluar ishte 59.7 për qind dhe këtë vit do të jetë rreth 59 përqind”, u shpreh Berisha.
Ai tha se edhe inflacioni është në nivele plotësisht të kontrollueshme prej 2.9 për qind. Berisha vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës për të kontrolluar çmimet në treg, të cilat në prag të festave të fund vitit, rriten në mënyrë abuzive. Sipas kryeministrit, një praktikë e tillë duhet të ndiqet nga të gjitha bashkitë dhe komunat.
“Unë përgëzoj dhe Bashkinë e Tiranës ku një punë shumë të madhe po bën Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit e kësaj Bashkie për tu dhënë një përgjigje pashpirtësisë së atyre që rrisin çmimet në festa dhe shpresoj që edhe tek ne të konsolidohet tradita e çdo vendi të qytetarët që ajo që nuk ndodh kurrë është rritja e çmimeve në festa. Uroj dhe dëshiroj që këtë praktikë ta ndjekin të gjitha bashkitë dhe komunat e tjera. Vendet e tjera që nuk rrisin, përkundrazi ulin çmimet për rastin e festave dhe e sigurt është që nuk humbasin, e sigurt është që fitojnë, por respektojnë një kod moral fitimi, që duhet ta ketë çdo njëri dhe zoti Ministër i Financave, doganat duhet të bëjnë gjithçka që mallrat ushqimore që hyjnë duhet të kenë përparësi në zhdoganime në mënyrë të mos mund të ketë rritje çmimi, për shkak të mungesës”, tha Berisha.