Berisha: Përjashtimi i Kastriot Islamit, veprim i padrejtë - Rama nuk reflekton

Promovimi i librit “Enver Hoxha” mbledh personalitet e larta të politikës si kryeministrin Berisha, homologun e tij të Kosovës Hashim Thaçi si dhe ish-kryeministrin Fatos Nano
Batuta e Kryeministrit/“Fati i Kaçit nesër (sot), i ngjashëm me personazhet e librit “Enver Hoxha – ‘e ftoj’ të vijë në PD, sepse ne nuk e përjashtojmë”
Promovimi i librit “Enver Hoxha”, të gazetarit Blendi Fevziu, mblodhi dje në Tiranë në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, një numër të konsiderueshëm personalitetesh të politikës dhe medias.
Kryeministri Sali Berisha, ish kryeministri Fatos Nano dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ishin ndër figurat që spikatën me prezencën e tyre në këtë event. Por jo vetëm kaq. Nga Kosova erdhi kryeministri Hashim Thaçi i shoqëruar nga një grup deputetësh si dhe gazetarë e analistë. I pranishëm ishte edhe ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu si dhe kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi.
Kryeministri Sali Berisha dhe ish-kryeministri Fatos Nano përveç përshëndetjes së rastit, patën edhe një shtrëngim duarsh. Kreu i ekzekutivit shqiptar, njëherazi lideri i së djathtës dhe lideri historik i të majtës, shkëmbyen batuta mes tyre, lidhur me zhvillimet e fundit politike, kryesisht me fushatën e akuzave dhe shpifjeve që Edi Rama ka nisur nga deputetëve të tij në PS. Kryeministri Berisha komentoi përjashtimin e Kastriot Islamit nga selia rozë, duke e cilësuar atë si veprim të gabuar të kreut të PS, Rama.
“Sot batuta është vetëm me Kastriot Islamin. Të gjithë e dinë çfarë po i ndodh Islamit. Ai është një personalitet që reflekton, por ai që nuk reflekton është kreu i PS, Edi Rama”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë hoqi paralele mes Kastriot Islamit dhe personazheve të librit Enver Hoxha. Këtu Berisha iu referua mbledhjes - gjyq të ditës së sotme, ku Kastriot Islami do t’i kërkohet të bëjë autokritikë, ndërsa s’përjashtohet mundësia e çregjistrimit të tij nga PS.
“Po të bëjmë lidhjen midis fatit të Kaçit nesër dhe personazheve të librit... S’kemi ç’ti bëjmë, ai që nuk reflekton është kryetari opozitës”, deklaroi kryeministri Sali Berisha. Për të mbajtur gjallë entuziazmin, në mënyrë ironike i bëri “ftesë” Islamit të bashkohej me grupin e tij, parlamentar.
“Hajde nga PD-ja, sepse vetëm ne që nuk të përjashtojmë”, tha më tej Kryeministri.
Nga ana e tij, ish kryeministri Fatos Nano tha se përjashtimi i Kastriot Islamit nga PS, do jetë një humbje e madhe për këtë forcë politike.
“E konsideroj si një humbje të madhe politike, pasi Kastriot Islami është njeri i kontributeve në PS”, tha Fatos Nano.
Të dy personalitetet e politikës, Sali Berisha dhe Fatos Nano vijuan më pas me axhendën e aktivitetit si dhe me përshëndetjen e të ftuarve në promovimin e librit të gazetarit Blendi Fevziu, një biografi me titull “Enver Hoxha”.