E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse ka frikë Rama nga përjashtimi i Kastriot Islamit?

20-12-2011 / Gazeta 55

Edvini po tmerrohet nga përballja e sotme në Grupin Parlamentar. Përjashtimi është një kërkesë, jo vetëm me kosto elektorale, por edhe që rrezikon një përçarje të mirëfilltë te deputetët. I pasigurt dhe si jopolitikan, ai i është drejtuar përvojës enveriste, duke shpikur letrat nga komitetet e partisë në rrethe, të cilat vendosin se duhet të përjashtohen ata që i biri i Kristaqit s’i sheh me sy të mirë
 
Do të konfirmohet apo jo sot, përjashtimi i Kastriot Islamit nga grupi parlamentar i PS-së...
Kjo është çështja.
Po të jetë për Edvin Ramën, ai me një të rënë të lapsit e kishte fshirë Kastriot Islamin nga lista e deputetëve socialistë. Por, përpos kësaj, ai (Edvini) përballë dëshirës për të shtrënguar thjesht dhe vetëm logon e PS-së, pavarësisht turmës së deputetëve të tipit Olta Xhaçka, Eltar Deda, Dash Peza, Artan Gaçi, Ditmir Bushati..., etj..., etj..., që i venë nga pas qorrazi, llogarit edhe pjesën e deputetëve socialistë, me karrierë në PS, por edhe me integritet, për më tepër edhe bazën e PS-së, e cila nuk përfaqësohet nga krerët e emëruar të degëve të kësaj partie, bie fjala, në Tiranë, Durrës, Krujë, Gjirokastër, Dibër, Mallakastër, Elbasan, Sarandë, Shkodër, Kukës, Vlorë etj..., të cilët jo më larg se dje, kishin marrë përsipër rolin “e të mos lënit vetëm”, Edvin Ramën, në “luftën” e tij me Kastriot Islamin.
Gjithsesi, ndërsimi i disa krerëve lokalë të PS-së dje, kundër Kastriot Islamit, nuk mund ta fshehë tmerrin e Edvin Ramës nga përballja e sotme në grupin parlamentar socialist.
Pavarësisht “mesazheve optimiste dhe solidariteti” të mbërritura nga Pjerin Ndreu, Gent Bejku, Ismail Dani, Florian Hysi, Ulsi Manja, Pajtim Ismaili, Astrit Halili, Gjergji Mërkuri, Keti Bazhari, Ylber Duraku, Eltar Deda..., etj., Edvin Rama, e ka të qartë se përjashtimi i Kastriot Islamit është një kërkesë, jo vetëm me kosto elektorale, por edhe që rrezikon një përçarje të mirëfilltë te deputetët. Po aq, Edvin Rama e ka të qartë se përveç thellimit të përçarjes së deputetëve dhe krejt PS-së, koston elektorale e paguan ai dhe vetëm ai... Sepse..., sepse..., askush nuk e di, apo mban mend, se kush ka qenë kryetar i degës së PS-së në Tiranë, Durrës, Krujë, Gjirokastër, Dibër, Mallakastër, Elbasan, Sarandë, Shkodër, Kukës, Vlorë etj..., para shpërblimit me këtë post të Pjerin Ndreut, Gent Bejkut, Ismail Danit, Florian Hysit, Ulsi Manjat, Pajtim Ismailit, Astrit Halilit, Gjergji Mërkurit, Keti Bazharit, Ylber Durakut, Eltar Dedës..., etj., saktësisht në kohën kur PS-ja e  drejtuar prej Edvin Ramës humbiste zgjedhjet njëra pas tjetrës në vitin 2007, në vitin 2009 dhe së fundi në vitin 2011. Por, ama, të gjithë e mbajnë mend, se ka qenë Edvin Rama, kryetari i PS-së, që ka humbur çdo ballafaqim elektoral, në vitin 2007, në vitin 2009, në vitin 2011 dhe që megjithëse është mundur ti shmanget “pagesës në natyrë” të këtyre kostove elektorale, duke “bërë kurban” ndonjë kryetar dege lokale të tipit Besnik Baraj, e ka të qartë, se nuk mund ta shtyjë gjatë kështu..., nga njëra humbje në tjetrën.
I dyzuar mes dëshirës për përjashtimin e Kastriot Islamit nga njëra anë dhe frikës për këtë përjashtim, por edhe i pasigurt dhe si jopolitikan që ka demonstruar se është, Edvin Rama i është drejtuar përvojës enveriste, duke shpikur letrat nga komitetet e partisë në rrethe, të cilat vendosin se duhet të përjashtohen ata që i biri i Kristaqit s’i sheh me sy të mirë.
Natyrisht, këta kryetarë lokalë të partisë, nuk e kanë për gjë të bëjnë “të bindurin”, jo sipas modelit “me propozim nga poshtë” që servir, bie fjala kryetari i degës së PS-së së Durrësit, Gent Bejku, i cili jo më larg se dje shprehte “opinionin” e tij, kur deklaronte se, “unë mendoj që vendimi i Kryesisë nuk ishte burimi i dëshirës së saj, por reagim i mendimit të bazës në fund të fundit. Ishte opinioni i diskutuar në bazë që arriti në konkluzionin për këtë vendim”.... por sipas modelit “me orientim nga lart”, që e dekonspironte kryetari i degës së PS-së së Mallakastrës Pajtim Ismaili, kur deklaronte sinqerisht se “Ata e dinë se si do të veprojnë...”, apo edhe kryetari i degës së PS-së së Dibrës Ulsi Manja, i cili në mënyrë të pafajshme, “e kishte fjetur mendjen”, se problemet me Kastriot Islamin, “i zgjidhin vetë këta të mëdhenjtë në qendër”...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›