E Diel, 1 Nëntor 2026

Rekord, e drejta TV shitet 5.1 mln euro

Në eliminatoret e Euro 2012, FSHF përfiton 2 milionë më shumë se në ato të Botërorit 2010

Mbyllet me një fund të lumtur ankandi i së drejtës televizive të ndeshjeve të Kombëtares së Shqipërisë në vitet e ardhshme (2010-2012), të vlefshme për eliminatoret e Europianit 2012. FSHF ka mundur të arrijë një marrëveshje të leverdishme, falë së cilës do të fusë në arkën e saj 5,1 milionë euro, një rekord në gjithë historinë e deritanishme të së drejtës televizive të kuqezinjve. Kjo është bërë e njohur pas mbledhjes së djeshme të Komitetit Ekzekutiv, ku u mor vendimi përfundimtar për shitjen e së drejtës televizive. “U vendos për miratimin e vlerësimit të ofertave për shitjen e së drejtës televizive dhe të publicitetit tregtar për ndeshjet e ekipit kombëtar “A” për eliminatoret e EURO 2012, - citohet në komunikatën zyrtare të FSHF-së. - Komiteti Ekzekutiv autorizoi negociatat e kontratës për ofertën e renditur më mirë, që ishte ajo e Federatës Franceze të Futbollit në bashkëpunim me kompaninë “Sports Global Management”. çmimi i ofertës është 5.1 milionë euro”. Shorti i eliminatoreve të Euro 2012, ndryshe nga ç’është komentuar, ka rezultuar i leverdishëm sa i përket përfitimit nga shitja e së drejtës televizive. Kompanitë e interesuara për të blerë transmetimin e ndeshjeve në shtëpi të Kombëtares sonë kishin nisur prej kohësh. Ishin kontaktuar disa kompani, me të cilat janë zhvilluar negociata. KE ngriti një komision, që ka shqyrtuar ofertat e së drejtës televizive dhe reklamave. Sikurse është mësuar, FSHF pretendonte të përfitonte deri në 6 milionë euro. Burime të tjera pranë federatës zbuluan se ekzistonte një ofertë konkrete prej 4.8 milionë eurosh. Interes kishte shfaqur kanali televiziv francez M6, i cili ofronte 4.1 milionë euro për çdo ndeshje të Francës jashtë. Përcaktimi përfundimtar i ndeshjeve të grupit tonë ndihmoi në rritjen e çmimit të së drejtës televizive. Kalendari përfundimtar i ndeshjeve i leverdis Shqipërisë në dy aspekte: sportiv dhe financiar. Trajneri Josip Kuzhe është treguar i zgjuar dhe këmbëngulës në përcaktimin e ndeshjeve, gjithmonë në favor të Kombëtares sonë. Takimet e para të Shqipërisë janë më të lehta (përjashto Rumaninë) dhe do të na ndihmojnë për të grumbulluar sa më shumë pikë, ndërsa në pjesën e dytë të ndeshjeve, ekipi do të jetë më i konsoliduar për ta përballuar sa më mirë shkallën e vështirësisë. Takimi Shqipëri-Francë do të luhet në mes të fushatës eliminatore, më 9 shtator 2011, kur gara në grupin D do të jetë në kulmin e saj. Kjo ndeshje ka edhe interesin më të madh në aspektin financiar për shqiptarët. Shuma prej 5.1 milionë eurosh që do të përfitohet nga kontrata me kompaninë “Sports Global Management”, bashkëpunëtore e Federatës Franceze të Futbollit, është një rekord më vete për të drejtën televizive shqiptare. Në tri edicionet e fundit eliminatore (Botërori 2006, Euro 2008 dhe Botërori 2010) këtë të drejtë e ka fituar kompania e njohur gjermane “Sportfive”, e cila ofroi për eliminatoret e Euro 2008, 2.8 milionë euro, ndërsa për ato të fundit të Botërorit 2010 vetëm 3.2 milionë euro.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›