Merkel: BE të ndërhyjë në Greqi
Kancelarja gjermane, Merkel, i ka sugjeruar Bashkimit Europian që të luajë një rol më të madh në çështjen e ekonomisë greke, e cila ndodhet në një nga krizat e saj më të rënda. Ajo iu referua "përgjegjësisë së përbashkët" ndaj anëtarëve të eurozonës në përfundim të takimit të liderëve të qendrës së djathtë të BE-së që u organizua në Bon. Në fjalën e saj, ajo theksoi se duhet ushtruar presion ndaj parlamenteve të vendeve që po hasin vështirësi buxhetore. "Nëse, për shembull, ka probleme me stabilitetin dhe Paktin e Rritjes në një vend të caktuar dhe kjo mund të zgjidhet vetëm duke zbatuar reformat sociale në këtë vend, atëherë, lind pyetja çfarë ndikimi ka Europa ndaj parlamenteve të vendeve të ndryshme për të mos lejuar shtrirjen e problemeve më tej?", tha liderja e ekonomisë më të madhe në Europë në fjalimin e saj. "Kjo do të jetë një detyrë shumë e vështirë, sepse sigurisht që parlamentet e vendeve të ndryshme nuk kanë dëshirë që t‘u tregohet se çfarë duhet të bëjnë. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për probleme të tilla në vitet në vijim", ka vazhduar Merkel. Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes përbëhet nga rregulla të cilat duhet t‘i zbatojnë të 16 vendet e eurozonës të tilla si kufizimin e deficitit vjetor deri në 3% të Prodhimit Kombëtar Bruto dhe sasi totale borxhesh në 60% të GDP. Komentet e Merkelit vijnë vetëm disa orë para takimit të liderëve të Bashkimit Europian në Bruksel për një takim të organizatës dhe atom pritet që t‘i shtojnë edhe më shumë presion qeverisë greke në lidhje me zgjidhjen e krizës së deficitit dhe të financave publike. Pikërisht çështja e Greqisë pritet që të diskutohet edhe në darkën informale mes liderëve. Dy ditë më parë një zëdhënës i qeverisë gjermane i bëri thirrje qeverisë greke që mes Berlinit dhe Athinës të nisnin bisedimet dypalësh e për një rikthim të shëndetit në financat publike. Buxheti i ri i prezantuar muajin e kaluar nga qeveria e re socialiste greke parashikon që ta ulë deficitin me 9.1% vitin e ardhshëm. Por situata në Greqi ka bërë që shumë analistë të jenë skeptikë ndaj reformave strukturore që pritet të ndërmarrë qeveria. Një ndër to është edhe reforma për pensionet, e cila pritet që të hasë në kundërshti të mëdha te njerëzit. Deklaratat e Merkelit për frikën e krijimit të problemeve në Eurozonë për shkak të krizës së një vendi të saj pasqyrojnë ato të Komisionit Europian dhe Bankës Qendrore Europiane. Liderët e BE-së në Bruksel ka të ngjarë që të kërkojnë më shumë siguri nga ana e Kryeministrit grek në lidhje me vullnetin e tij për të ndryshuar situatën.