E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harruan të takohen

Thaçi e Haradinaj ende evitojnë takimin mes tyre, duke shfaqur hapur rivalitetin politik

Gati gjashtë muaj pasi Hashim Thaçi u betua si kryeministër, ai ende nuk është takuar me kundërshtarin e tij më të madh politik, kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn. Deri vonë, kryeministri thoshte se mungesa e një takimi të tillë është çështje procedurale e administratës. Por administrata nuk arriti ta aranzhojë këtë takim asnjëherë. Mungesa e një pamjeje televizive të përbashkët të Thaçit dhe Haradinajt ka krijuar edhe imazhin e asaj që realisht ekziston: një rivalitet i ashpër mes dy bashkëluftëtarëve të dikurshëm. Incidenti i fundit në shtëpinë e kryeministrit Thaçi, si dhe deklaratat e vazhdueshme thumbuese të Haradinajt për qeverinë, kanë përkeqësuar edhe më shumë raportet ndërmjet PDK-së dhe AAK-së. Nga kabineti i kryeministrit Thaçi thonë se ky i fundit ka vullnet dhe është i gatshëm të presë “këdo që është i përfshirë në angazhime për avancimin e proceseve politike në vend”. Këshilltarët e kryeministrit thonë se duhet të qartësohen vetëm procedurat protokollare. “Kryeministri gjithmonë është i hapur për të dëgjuar se cilat janë opinionet e opozitës. Nëse ndonjëri nga liderët e saj nuk ka diçka serioze për të thënë, atëherë faji është tek vet ai. Sporteli i qeverisë ku dorëzohen kërkesat për takime me kryeministrin punon gjatë tërë ditës”, tha për “Express” Blerim Latifi, këshilltar i kryeministrit. Por Latifi nuk pajtohet se ndarja është thelluar si pasojë e incidentit në shtëpinë e kryeministrit dhe deklaratave pasuese. Sipas tij, Thaçi është i rezervuar nga vlerësimet mbi motivet e sulmit në shtëpinë e tij dhe rasti “bazuar në fjalën e hetuesisë, ka të bëjë me një sulm me motive të rënda kriminale”. Të gatshëm ndërkohë, por duke ia lënë fajin kryeministrit Thaçi, shprehen edhe nga ana tjetër, nga AAK-ja. Nënkryetari Ahmet Isufi ka thënë për “Express”, se Haradinaj ka qenë i gatshëm që të takohet me Thaçin si kryeministër, por sipas tij, nuk ka pasur iniciativë të tillë dhe prandaj është lënë kjo çështje. “Kjo i takon më shumë kryeministrit të vendit, sepse ai ka përgjegjësinë që t’i thërrasë liderët që të konsultohet me ta. Kjo i shërben një relaksimi të pozicioneve politike në vend”, ka vlerësuar ai. Duke mos saktësuar kohën e mundshme të takimit Thaçi - Haradinaj, këshilltari politik i kryeministrit, Latifi, thotë se kjo do të ndodhë kurdo që vlerësohet se mund të përfitojnë proceset politike të konsolidimit të shtetit. Latifi thotë se në raportet pozitë-opozitë ka dallime qasjesh dhe konceptesh për qeverisjen e vendit. Këto ndarje, - shton ai, - herë pas here mund të shoqërohen edhe me tensione. “Por edhe vetë brenda opozitës kosovare ka ndarje dhe dallime të mëdha. Pjesa më e madhe e opozitës është duke e vlerësuar pozitivisht, me nota realiste, punën e deritanishme të qeverisë, ndërsa një pjesë tjetër ende nuk e ka kapërcyer fazën e depresionit pas humbjes së pushtetit. Dihet se depresioni politik prodhon opozitë të keqe”, vlerëson Latifi. Shmangia nga një takim i tillë, sipas analistëve kosovarë, ngarkon skenën politike me motive emocionale dhe psikologjike. Takimi Thaçi-Haradinaj sipas tyre duhet të jetë një ngjarje absolutisht e zakonshme. Për ta forcuar edhe më shumë ndasinë ndërmjet Thaçit e Haradinajt tregon edhe rasti i fundit, kur në ceremoninë festive me rastin e ditëlindjes së Haradinajt, askush nga qeveria nuk ishte i pranishëm. Madje këta të fundit, as që kanë idenë për një organizim të tillë. “Nuk e di se kur ka qenë kjo ditëlindje, me vetë faktin se fjala qenka për një ngjarje private”, ka thënë këshilltari politik i kryeministrit Thaçi, Blerim Latifi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›