Rektori: Jemi gati të futemi në grevë urie
15/01/2010 Vlorë: pezullohet mësimi në Universitetin e Vlorës
Një grevë pa afat e lajmëruar me e-mail ka bërë që sot Universiteti i Vlorës të mos funksionojë normalisht. Asnjë nga orët e mësimit apo dhe provimet e parashikuara për sot nuk është realizuar, pasi pedagogët e universitetit i janë bashkuar një proteste në qendër të së cilës kanë tri kërkesa të dërguara Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Gjatë gjithë ditës së sotme e deri në një afat të pacaktuar nuk do të zhvillohet mësim në Universitetin e Vlorës, pasi rektorati i UV-së së bashku me shumicën e pedagogëve kanë firmosur një peticion, në të cilin kanë parashtruar tri kërkesa: promovimin e stafit akademik për dhënien e titujve akademik, programe dhe degë të reja, shtimin e auditorëve. Në bazë të këtyre tri kërkesave zëvendësrektori i Universitetit të Vlorës, Eustrat Zhupa, tha për mediet se protesta e nisur sot do të vijojë deri në një afat të përcaktuar, që do të përkojë me plotësimin e tri kërkesave të parashtruara Ministrisë së Arsimit. Një banderolë e madhe, ku shkruhet“AUTONOMI, LIRI AKADEMIKE” është vendosur në fasadën kryesore të godinës C të këtij universiteti, pranë rektoratit, ndërkohë që bokse të mëdha, që lëshojnë muzikë, janë vendosur mbi këtë godinë. Në faqen zyrtare të Universitetit të Vlorës në internet është botuar edhe një deklaratë për shtyp, e cila sqaron arsyet pse rektorati ka ndërmarr këtë grevë, duke kërkuar shpjegime nga Ministria e Arsimit.