Papajani: Deklarimet on-line të detyrueshme
15/01/2010 Takimi i bizneseve anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë
Ky proces do të ulë kostot dhe lehtëson procedurat për biznesin
Administrata tatimore do të nisë prej muajit shkurt deklarimin elektronik për të gjithë bizneset. Gjatë një takimi me bizneset anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë, kreu i Drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve, Artur Papajani, bëri të ditur se ky proces do të shkurtojë kostot dhe do të lehtësojë procedurat burokratike për sipërmarrjet private. “Deklarimet tatimore në mënyrë elektronike janë vetëm hapi i parë, i cili do të pasohet nga pagesa on line e detyrimeve. Ky do të jetë edhe hapi i dytë, për të cilin po bashkëpunohet me bankat dhe do të jetë një element i rëndësishëm për modernizimin e sistemit tatimor shqiptar”,- u shpreh Papajani. Sipas kreut të administratës tatimore, kjo do të shmangë akoma më shumë kontaktet e bizneseve me nëpunësit tatimorë, pasi ky proces do të realizohet drejtpërdrejt në mënyrë elektronike. Ndërkaq, Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve mundëson prej dy vitesh deklarimin elektronik të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nëpërmjet sistemeve bankare, gjë që ka lehtësuar kostot e biznesit. Gjatë takimit të djeshëm bizneset janë fokusuar edhe në çështjet që kanë lidhje me ndryshimet e parashikuara këtë vit në sistemin fiskal dhe raportet biznes-administratë tatimore. “Forumi i Biznesit” është një aktivitet periodik i Dhomës Amerikane të Tregtisë me anë të së cilit synohet që bizneset anëtare të saj të marrin informacion të freskuar mbi të gjitha ndryshimet ligjore dhe teknikat e reja financiare që aplikohen sot nga administrata tatimore.