Rektori internon pedagogët, e votuan kundër në zgjedhje
Sa e sa njerëz ankohen se janë dënuar për shkak se kanë votuar kundër. Por një virus i tillë ka mbërritur edhe në ambientet akademike. Të paktën nëse u besojmë fjalëve të tetë pedagogëve të universitetit të Durrësit Aleksandër Moisiut. Ata thonë se rektori i sapozgjedhur i ka dënuar duke i internuar në filialin e Peshkopisë, vetëm për shkak se kanë votuar kundër tij në zgjedhjet për rektor. Pedagogët së bashku me studentë kanë protestuar duke thënë se urdhri është i paligjshëm, pasi është shkelur kontrata e punës. Ata shtojnë se një vendim nuk duhet të merrej pasi studentët janë me provime.
Vetë rektori Mithat Mema, i cili e mori vendimin sapo u mblodh këshilli i ri i senatit, thotë se nuk ka asgjë të parregullt në vendimin e tij. Sipas Memës, filiali i Peshkopisë është në varësi të universitetit të tyre, ndaj pedagogët kanë detyrim të zbatojnë urdhrat. Ai thotë se pedagogët kanë dhënë edhe më parë mësim në Peshkopi.