E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet fotoja e vrasësit. Roja: Leonora i tha merri paratë, vetëm mos qëllo

Share

Drama e arkëtares që punonte për 300 mijë lekë të vjetra për të mbijetuar në Tiranë

Fotoja e personit që ka qëlluar mbi arkëtaren Leonora Kaloçi ka nisur që të qarkullojë edhe për median. Personi në fjalë nuk dallohet qartë. Fotoja është kapur nga kamerat e sigurisë ndërsa vrasësi po largohej.

Ndërkohë roja e bankës, që mbeti i plagosur, është rrëfyer duke thënë se ndryshe nga sa është spekuluar në media, Leonora i ofroi atij të gjithë paratë, duke i thënë vetëm mos qëllo.

Roja thotë se vrasësi e ka qëlluar atë menjëherë nga jashtë dhe më pas ka hyrë brenda.

Kur e kam parë ishte tepër vonë sepse ndërkohë ai më kishte qullura nga jashtë dhe unë po shihja veten se çfarë më ndodhi. Po ndieja të nxehtë, ndieja që diçka u bë, por nuk po kuptoja asgjë, tha roja Skënder Elmazi për Panorama.

Nuk e kam shumë të qartë se si hyri vrasësi brenda, vetëm ndjeva hapat e tij kur kaluan pranë kokës sime dhe zërin që bërtiste paratë, shpejt paratë. Nxirri urgjent paratë. E përsëriti disa herë këtë frazë. Ndërkohë dëgjova zërin e Leonorës që iu lut: Merri gjithë paratë, vetëm mos qëllo njeri. Në këtë moment u përpoqa të ngre pak kokën. Por sa lëviza, ai më ndjeu dhe më qëlloi sërish. Kësaj here plumbi më kapi në krahun e majtë dhe depërtoi edhe në kraharor. Gjaku më shpërtheu menjëherë dhe rashë i gjithi mbi dysheme. Dëgjova edhe dy krisma të tjera, por nuk po e kuptoja nëse po më qëllonte mua sërish apo dikë tjetër. Vetëm dëgjova koleget që thërrisnin: Nora, Nora, thotë roja.

Dje është bërë edhe përcjellja për në banesën e fundit e arkëtares. Familjarë të saj thonë për Panorama se ajo punonte për 300 mijë lekë rrogë si arkëtare, edhe pse ishte një ekonomiste e zonja gjithë jetën. I shoqi punonte në ndërtim, dy vajzat në shkollë. Vetëm ata e dinë si e kanë përballuar jetesën në Tiranë, tha një i afërm i familjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›