E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit, rezerva për rregullat e reja të lejeve

Konsensusi mes qeverisë dhe bashkisë për procedurat e reja për lejet e ndërtimit, nuk ka vlejtur për ndërtuesit. Përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve, shprehën disa probleme që mund të dalin në zbatimin e ndryshimeve të reja të bëra në ligjin "Për urbanistikën". Në ndryshimet e reja parashikohet që, kërkesa e dorëzuar për leje ndërtimi në zyrat urbanistikës nga firmat dhe personat, quhet e pranuar në heshtje dhe kalon për miratim në KRRT, nëse nuk kthehet përgjigje brenda 45 ditëve. Por, në ligj nuk përcaktohet saktë afati maksimal që i lihet këtij organi për të dalë me një vendim, ose në të kundërt, që leja e ndërtimit të konsiderohet e marrë në heshtje. Ndërtuesit u shprehën se me këtë formulim të ligjit, problemi i lejeve nuk zgjidhet përfundimisht. Përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve Publike, Marin Biçoku, tha se shqetësimi i ndërtuesve është real, sepse KRRT-ja, shpesh, nuk respekton afatin. "Në ligj saktësohet që KRRT-ja duhet të mblidhet një herë në muaj, por shpesh kjo gjë nuk ndodh dhe ka zvarritje. Mund të shtoheshin disa nene proceduriale për të sqaruar më mirë momentin e thirrjes së mbledhjes së KRRT-së dhe zhvillimin e saj, duke nxitur në një farë mënyrë edhe marrjen e vendimit. Por, pushteti lokal është pushtet më vete dhe te vendimi i kreut të KRRT-së nuk mund të ndërhyhet",- tha ai. Ndërsa, sipas përfaqësuesve të Shoqatës së Ndërtuesve, ligji heq afatet proceduriale ose i shkurton ato, por jo afatet vendimmarrëse, çka pengon realisht edhe marrjen e lejes së ndërtimit. Ndryshimet e reja në ligjin "Për urbanistikën", përfshijnë disa elementë të rinj në mënyrën dhe afatet e aplikimit. Kështu, ndërtuesit mund të aplikojnë njëkohësisht për shesh dhe leje ndërtimi dhe zyrat e urbanistikës duhet që brenda 45 ditëve të dorëzojnë në KRRT kërkesën e paraqitur nga aplikuesit, përndryshe ajo miratohet automatikisht dhe kalon në këtë organ për shqyrtim.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›