Zgjedhja e gjyqtarëve, Kushtetuesja shqyrton sot kërkesën e PD-së
Gjykata Kushtetuese shqyrton sot kërkesën e Partisë Demokratike për interpretim të dy neneve të Kushtetutës për sa u përket kritereve dhe procedurës së zgjedhjeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Në kërkesën e firmosur nga një e pesta e deputetëve demokratë kërkohet interpretimi i neneve 125, paragrafi 1, 2, 3 të Kushtetutës dhe nenit 136, paragrafi 1 dhe 5. Demokratët kërkojnë institucionalizimin e procedurave dhe marrëdhënies së emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, në mënyrë që gjithë ky proces të sigurojë stabilitet si dhe saktësim të kritereve përzgjedhëse. “A duhet të ketë ndonjë raport në përbërjen e Gjykatës së Lartë, nëpërmjet raportit numerik të përbërjes së saj mes gjyqtarëve që vijnë nga pushteti gjyqësor dhe juristëve që kanë eksperiencë jashtë sistemit gjyqësor? A duhet të jetë karriera vertikale nga Gjykata e Apelit në Gjykatën e Lartë si element fundor i karrierës në gjyqësor, apo duhet të përvijohen edhe linja të tjera kompozimi për kandidaturat që i burojnë nga pushteti gjyqësor?”, - parashtrohet në kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Demokratët kërkojnë gjithashtu interpretim të nenit 125, paragrafi 3 i Kushtetutës, ku thuhet se “përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj”. Kjo kërkesë ka lindur pas debatit të ngritur lidhur me ripërtëritjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Mbarimi i mandatit të 6 prej anëtarëve të kësaj gjykate shtroi për gjykim çështjen e zëvendësimit të tyre por dhe mënyrën se si duhet të interpretohet ligji organik ku thuhet që ripërtëritja me 1/3 bëhet një herë në tre vjet. “Përveç saktësimit të rolit të secilit institucion (Presidentit dhe Kuvendit) në momentet aktuale është e domosdoshme edhe saktësimi procedural në secilin hap që hedhin institucionet, që nga krijimi i vakancës dhe deri në plotësimin e saj sipas Kushtetues së Republikës së Shqipërisë. Udhërrëfyes të tillë proceduralë sidomos në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave mungojnë dhe pa to “përbërja cilësore dhe e përshtatshme e gjykatave” paraqitet më fizionomi të cunguar”, - thuhet më tej në kërkesë. Interpretim kërkohet gjithashtu edhe për kriterin 10-vjeçar të punës si gjyqtar, përcaktimi i saktë i llogaritjes së këtij afati si dhe nëse Kuvendi mund të shtojë kritere të tjera për vlerësimin e kandidaturave. Nesër Kushtetuesja do të shqyrtojë kërkesën e socialistëve për interpretim të 4 neneve të Kushtetutës, ku flitet për mandatin e deputetëve. Ndërsa ditën e enjte, më 23 dhjetor, në axhendën e saj është kërkesa e Kuvendit për heqjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja.