E Diel, 1 Nëntor 2026

Si trajtoheshin sportistët e huaj në ish Bashkimin Sovjetik

Kampioni shumësportësh Ramazan Cani tregon karrierën e tij në Shqipëri dhe Rusi  

Nga Luan Shtëpani

New ImageRamazan Hysen Cani ka lindur më 31 dhjetor 1931. Arsimin 7-vjeçar e ka kryer në shkollën Naim Frashëri në Elbasan. Në vitet 1946-1950 mbaroi Shkollën Ushtarake Skënderbej. 1950-1952 përfundon Shkollën e Bashkuar të Oficerave dhe titullohet oficer në specialitetin e ndërlidhjes. Në vitin 1955 shkon në kualifikim në BRSS, në akademinë e lartë të inxhinierisë, ndërlidhjes dhe radiolokacionit në Leningrad të cilën e përfundon me rezultate shumë të mira. Ushtarak karriere, specialist i përkushtuar. Njëkohësisht një sportist i talentuar dhe kampion shumësportësh. Teksa bashkëbisedon me të, përveç detyrave të larta që ka kryer, informohesh dhe për arritjet e tij në sport, në Shqipëri dhe në Rusinë e largët. Karriera e tij nisi si mbrojtës në skuadrën e futbollit të Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake Skënderbej. Në qershor të vitit 1950 në një ndeshje futbolli, shkolla Skënderbej fitoi ndaj shkollës së Bashkuar. Pas kësaj, Ramazanin e dërgojnë së bashku me dy shokë të ekipit në Shkollën e Bashkuar. Në kampionatin kombëtar luan mbrojtës i djathtë i skuadrës së shkollës së Bashkuar Luftëtari. Transferohet në divizionin e parë dhe më pas shkon në ish Bashkimin Sovjetik. Atje inkuadrohet në skuadrën përfaqësuese të akademisë, ku trajner ishte mjeshtëri i madh rus Andresov. Ka marrë pjesë në kampionatin e akademive. Më pas kalon në skuadrën e garnizonit. Mori pjesë në kampionatin ushtarak të garnizoneve. Si futbollist në ish Bashkimin Sovjetik është njohur me emrin Aleksandër Aleksanderviç Melnikov.

 

Si nisi karriera juaj në futboll?

44Karriera ime në futboll nisi në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake Skënderbej. Skuadra e shkollës sonë ishte shumë e përgatitur, gjë që u reflektua dhe në ndeshjen që u zhvilluan me skuadrën e shkollës së bashkuar e cila përfundoi me fitoren e shkollës Skënderbej me rezultatin 1-0. Pas kësaj ndeshje udhëheqja e lartë e ministrisë së Mbrojtjes do të më dërgonte së bashku me dy lojtarë të tjerë në ekipin e shkollës së Bashkuar, e cila filloi të marrë pjesë në kampionatin e Kategorisë së Parë me emrin Luftëtari. Kemi zhvilluar ndeshje në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Nuk jam ndëshkuar asnjëherë, megjithëse bëja lojë pak të rëndë. Në vitin 1955, nisem për në Bashkimin Sovjetik. Në shtator u inkuadrova me skuadrën përfaqësuese të akademisë së lartë të inxhinierisë, radiolokacionit dhe ndërlidhjes, e cila merrte pjesë në kampionatin ushtarak të akademive. Atje isha mbrojtës i djathtë. Më pas trajneri, një kuadër mjaft i dëgjuar i ekipit të CDSA- së më nxorri sulmues i djathtë, sepse unë isha një shënues i mirë i golave. Më tej, më thërrasin në Shtëpinë Qendrore të Oficerëve të Leningradit (LDO) dhe më inkuadrojnë me skuadrën përfaqësuese ku merrnin pjesë mjaft mjeshtra sporti të ish-BS. Kam marrë pjesë në shumë ndeshje futbolli, kam luajtur në Leningrad, Odesë, Kiev, Minsk, Moskë dhe në shumë qytete të tjera. Në ambientet sportive, jam i njohur jo me emrin tim, por si Aleksandër Aleksanderviç Melnikov, për arsye se në atë kohë në kampionatin ushtarak nuk lejoheshin të huajt të merrnin pjesë. Emrin rus e kisha dhe në dokumenta.

Përveç futbollit, me çfarë sporti tjetër jeni marrë atje?

Përveç futbollit në ish Bashkimin Sovjetik jam marrë dhe me sportin e skive. Isha shumë i aktivizuar. Në vitin e tretë, arrita të marr pjesë na kampionatin e garnizonit të Leningradit ku dhe zura vendin e parë në kampionatin e skive në 10 km. Në kampionat merrnin pjesë sportistë të mbi 13 akademive të Leningradit në BS.

Po me notin?

Me notin jam marrë edhe në Shqipëri, edhe në Rusi në kampionatin e notit mes akademive. Kam marrë pjesë në festën e ushtrisë ku organizohej gara për të kaluar në dy anët e lumit Njeva, I njohur për gjërësinë e tij . Në 1957 kam dalë në vendin e 92-të, në 1958 i 70-i, në 1959 i 60-i dhe në vitin 1961 më 22 shkurt zuri vendin e 7. (Buzëqesh teksa tregon dhe diplomat).

Si trajtoheshin të huajt në ekipet e ish BS?

Në ish BS lojtarët e huaj respektoheshin. Kjo është shumë e vërtetë. Kjo reflektohej kudo. Në avion, në tren unë qëndroja ulur së bashku me trajnerin dhe përgjegjësin e ekipit, çka do të thoshte respekt. Në ekipin e akademisë ishim dy të huaj. Ne trajtoheshim shumë mirë. Ishim mjaft të vlerësuar dhe nga ana financiare.

Ku keni luajtur futboll në ish BS ka patur shumë studentë shqiptarë. Si reagonin ata, teksa në fushë luante dhe një bashkëkombas i tyre?

Në stadium vinin shumë shqiptarëpër të parë ndeshjen. Luhej një ndeshje ndërmjet garnizonit të Moskës dhe LDO së Leningradit. Njëri prej tyre (Faik Aliaj) thërriste me të madhe (o Canoooo.. bjeri fort oreee ). Ishin moment emocionuese, teksa unë merrja mbështetje nga bashkëqytetarët e mi. Unë për ta isha Ramazan Cani dhe jo Aleksandër Aleksandervic Melnikov. Këto thirrje unë i dëgjoja vazhdimisht nga shkallët e stadiumit. Trajnerët habiteshin nganjëherë. Ato nuk kishin shumë dëshirë të dëgjonin thirrje të tilla.

Përvoja që ju keni akumuluar si ka ndikuar tek fëmijët?

Dy djemtë e mi, Ardiani dhe Gentiani, janë marrë me sport në Shqipëri. Kurse jashtë shtetit të dy kanë marrë pjesë në kampionate të kategorive të ndryshme jo parësore, në Paris dhe në Kanada. Ata tashmë janë në moshë madhore, ku padyshim gjatë aktivitetit të tyre të përditshëm sporti zë një vend të rëndësishëm. Po ashtu në familjen tonë është një sportiste e talentuar e sportit të notit, mbesa ime Patricia Cani. Ajo ka marrë pjesë në shumë aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, ku ka marrë dhe tituj. Është mjaft e talentuar. Shtypi ka shkruar vazhdimisht për të, po ashtu dhe TV i kanë kushtuar vëmendje karrierës së saj. Patricia ka kërkesa të vazhdueshme për të qenë pjesë e ekipeve të huaja.

Krenar për arritjet e tij dhe trashëgiminë e pasur që ka përcjellë, Ramazani ka dëshirë ta mbyllë këtu intervistën. Mesazhi i tij është sa domethënës aq dhe frymëzues për brezin e ri që të vazhdojnë me dëshirë, kurajo, guxim dhe vendosmëri rrugën e bukur të sportit. 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›