E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Remzi Hoxha", Ilir Kumbaro arrestohet për të dytën herë

Policia e shtetit konfirmon arrestimin e Kumbaros ditën e djeshme nga ana e skuadrës së “Scotland Yard”. Kumbaro është vëzhguar prej një jave për llogari të drejtësisë shqiptare, pas një urdhër arresti të dytë ndërkombëtar, si dhe masës së sigurisë arrest me burg dhënë nga gjykata e Lartë.

Aktualisht pala britanike pret kërkesën e dytë të palës shqiptare për ekstradimin e ish-kreut të SHIK-ut brenda muajit gusht. Ilir Kumbaro u arrestua edhe në shtator të vitit 2008 në Londër, dhe më pas u la i lirë në dhjetor të vitit 2010, pasi gjykata e Lartë në Tiranë vendosi mandatin e parë të arrestit të pavlefshëm pasi i kishte kaluar afati.

Mbi ish-kreun e SHIK-ut rëndojnë një sërë akuzash, që kanë të bëjnë me rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha. Tjetër akuzë që rëndon mbi Kumbaron është edhe torturimi i Zizo Kristopullit dhe Avdyl Loshajt.

Në dosjen e Remzi Hoxhës janë të përfshirë edhe emrat e agjentëve Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›