E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Remzi Hoxha”, nis gjyqi për Sefgjinin

Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, dy prej të akuzuarve për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, u ulën dje në bankën e të akuzuarve te Krimet e Rënda. 

Fatos Mahmutaj

 Para trupit gjykues që do shqyrtojë çështjen, Sefgjini pohoi se kërkonte të mbrohej nga avokati Zef Nikaj, ndërsa Koldashi zgjidhi avokatin Asaf Hadëraj. Kurse motra e të pandehurit të tretë që ndodhet në spital në gjendje të rëndë, Budjon Meçes, kishte pajisur me prokurë për ta përfaqësuar në mungesë avokatin Artan Kodhelaj. I vetmi që kishte mbetur pa njoftuar është i akuzuari i katërt në këtë proces, Ilir Kumbaro, i cili mendohet se është larguar jashtë shtetit 10 vjet më parë dhe për të nuk ka adresë. Pas kësaj, prokurori i çështjes pohoi se për të pandehurin Budjon Meçe nuk ka njoftim, pasi është i sëmurë. Sipas përfaqësuesit të akuzës, nëpërmjet një raporti mjekësor duhet që trupi gjykues të verifikojë nëse Budjon Meçe është apo jo i aftë për të marrë pjesë në seancat gjyqësore. Pas kësaj, avokati Kodhelaj reagoi ashpër, duke pohuar se prokurori i çështjes e dinte mirë që klienti i tij ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Më tej ai pohoi se tashmë e dispononte këtë raport mjekësor nga spitali, ndërsa ia dorëzoi gjykatës. Në këtë moment, gjyqtari i çështjes, duke iu drejtuar avokatit i tha të mos acarohej pas pretendimeve të prokurorit, pasi ato janë procedura ligjore dhe procesi duhej marrë shtruar.
Procesi
Në seancë vihej re prania e shumë personave, të afërm të familjes së viktimës dhe të pandehurve që filmonin dhe regjistronin seancën gjyqësore me celularë, krahas gazetarëve dhe kameramanëve të shumtë që ndiqnin procesin. Pas kësaj u vendos që seanca gjyqësore të shtyhej për një javë më vonë, ndërsa Tomë Gashi, avokati i familjes së Remzi Hoxhës pretendoi se në bazë të ligjeve shqiptare duhej të njoftohej për të marrë pjesë në seancat gjyqësore, pasi ishte përfaqësuesi ligjor i bashkëshortes dhe djalit të Remzi Hoxhës. Gjykata e pranoi këtë kërkesë, ndërsa pas përfundimit të seancës, Gashi në një prononcim për mediat pohoi se ai dhe familja Hoxha kishin vënë në dispozicion të Prokurorisë provat në ngarkim të të pandehurve. Më tej ai tha se ka edhe persona të tjerë të implikuar në ngjarje, ndërsa mohoi që familja Hoxha të ngrinte padi civile në procesin penal në ngarkim të të pandehurve. Ndërsa Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës, pohoi se duhet të akuzohet për zhdukjen e babait të tij edhe ish-shefi i SHIK-ut, Bashkim Gazidede. Ai tha se familja e tij kishte besim te Prokuroria dhe Kryeprokurorja Ina Rama, që firmosi dërgimin e çështjes në gjyq, jo si paraardhësi Theodhori Sollaku, që e pushoi dosjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›