E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cameron Diaz, sjell Las Vegasin në “Millenium II”



Përzierja e elementeve si aktorët, regjia, skenari, - të gjitha të realizuara, krijon një histori që zbavit dhe për aq sa mundet të fton të reflektosh. Shpesh duhet fare pak për t’i dhuruar spektatorit një moment të mirë zbavitjeje. Ai,(Ashton Kutcher) është pushuar nga puna pikërisht nga babai i vet. Ajo (e bukura dhe e mrekullueshmja Cameron Diaz) organizon një festë suprizë për burrin e saj të ardhshëm por para të gjithë miqve të tyre, ai e lë. Çfarë duhet bërë për ta marrë veten nga një disfatë? Përgjigjia është e thjeshtë; duhet shkuar në Las Vegas! Dhe të dy protagonistët shkojnë e njihen pas një takimi të rastësishëm. I jepen kënaqësive dhe argëtimit në kazino e diskoteka dhe përfundojnë duke bërë pak a shumë atë që të gjithë e bëjnë në kryeqytetin e lojës, martohen. Ndonëse ndryshe nga të tjerët, ata martohen pa vetëdijen e tyre. Gjithçka mund të zgjidhej me një ndarje, por në mes hyn paraja. Janë 3 milionë dollarë që fitohen në lojë dhe duhen ndarë. Por meqë të dy nuk bien dakord se si të ndajnë paratë, gjykatësi vendos që të mos e prishë martesën derisa çifti të merret vesh dhe kështu shuma e parave ngrin.
Tom Vaughan (regjisor) e Dana Fox (skenariste) arrijnë të shndërrojnë një histori normale në një film të bukur, me humor dhe aspak të mërzitshëm. Një fillim tronditës, me pak sekuenca dhe me ndonjë skenë; zbulohet jeta e dy protagonistëve. Ai i dashuruar pas festave e zbavitjes dhe brenda tij i pasigurt. Ajo e përkushtuar në punë por me dyshime për të ardhmen. Takimi i tyre që shndërrohet shumë shpejt në një përleshje sjell një seri pasojash të paimagjinueshme. Një situatë lufte mes femrës dhe mashkullit që shumë herë është parë në ekran me ose pa sukses, këtë herë merr qendrën e objektivit. Brenda një nate bëjnë atë që shumë çifte e bëjnë për vite të tëra: njihen, bëhen miq, të dashur e pastaj martohen. Gjatë bashkëjetesës së detyruar kalojnë të gjitha stadet e jetës martesore dhe gjithë kohës grinden për gjëra të vogla. Përveç frymëzimit të mirë të regjisë dhe skenarit, dhe provës mjaft të mirë të çiftit Diaz/Kutcher, komedisë ia shtojnë shijen më tepër edhe dy protagonistë të tjerë simpatikë si Tripper (Lake Bell), mikesha e Joyt dhe avokati i tij, Steve “Hater” Hader (Rob Corddry).
“Edhe pse nuk ka shumë risi, në këtë komedi romantike jemi para një filmi të bukur, -citon në recensionin e tij një nga sajtet më të njohura italiane të filmit (Spaziofilm.it) Përzierja e elementeve si aktorët, regjia, skenari, të gjitha të realizuara, krijon një histori që zbavit dhe për aq sa mundet, të fton të reflektosh. Shpesh duhet fare pak për t’i dhuruar spektatorit një moment të mirë zbavitjeje”. “What happens in Vegas” (Çfarë ndodhi në Las Vegas” ka pasur premierën vetëm para një jave në SHBA dhe kalendarin botëror të projeksioneve e ka kryesisht gjatë muajit maj. E vlerësuar si komedia më shpërthyese e brilante e sezonit, ajo renditet aktualisht në vendet e para të disa arkëtimeve në botë, ndërsa nga 16 maji, premiera do të shfaqet edhe për publikun shqiptar në kinema Millenium II në kryeqytet.
Në fundjavën e tij të parë filmi mblodhi 20,1 milionë dollarë në 3 215 salla kinemaje në Amerikë dhe në Kanada, duke u renditur i dyti në arkëtimin javor. Në Itali është i dyti në arkëtim duke mbledhur 889 589 euro. Nga 7 maji ’08, filmi ka nisur të shfaqet edhe në Belgjikë, Francë, Kolumbi, Egjipt, Filipine e Indonezi. Ndërkaq, më 8 maj nisën shfaqjen e filmit kinematë e Australisë, Gjermanisë, Hollandës, Izraelit, Hungarisë, Portugalisë, Rusisë, Ukrainës, Danimarkës filluan te shfaqin filmin. Një ditë më pas filmi do të shfaqej në Austri, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Itali, Norvegji, Suedi, Turqi, Amerikë, Angli, etj. Më 15 maj, ai filloi të shfaqet në Argjentinë e Greqi, duke mbërritur më 16 maj me premierën e tij shqiptare. Tepër të vonuara, Brazili, Meksika e Japonia do ta shfaqin filmin në qershor-gusht të këtij viti.

Skeda e filmit

Titulli: What happens in Vegas
Gjinia: Komedi, romance
Regjia: Tom Vaughan
Skenari: Dana Fox
Aktorë: Cameron Diaz, Ashton Kutcher, Rob Corddry, Lake Bell, Queen Latifah, Treat Williams, Dennis Farina
Kohëzgjatja: 99 min
Premiera: 9 maj 2008
Studio: 20th Century Fox, Regency Enterprises
Sheshxhirimet: Las Vegas, Nevada, Los Angeles, California New York
Arkëtimet në SHBA: 20 172 474 dollarë

Koncerti

Sugababes, sot në mbrëmje “velin” Shkupin

Grupi i njohur i vajzave britanike “Sugababes” pritet që ditën e sotme të mbajë një koncert në qendër të Shkupit, me rastin e ndryshimit të Telekomunikacionit të Maqedonisë në “T-Home”. Koncerti që zhvillohet në sheshin “Makedonija” në Shkup, do të zgjasë plot katër orë, gjatë të cilave qytetarët do të mund të argëtohen dhe dëgjojnë grupin e famshëm pa pagesë. “Sugababes” është shpallur nga industria britanike e muzikës si grupi femëror më i suksesshëm dhe me më shumë popullaritet në Britaninë e Madhe në shekullin XXI.

17 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›