E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ren kritikon agjencinë Standard & Poor

Zyrtari më i lartë i ekonomisë së Bashkimit Evropian e ka kritikuar një vendim të Standard & Poor, për ta ulur vlerësimin për nëntë vendet e eurozonës.

Komisionari për çështje të ekonomisë, Olli Ren, tha se një veprim i tillë është kundërshtues, përderisa eurozona po merr veprime vendimtare për t’i dhënë fund krizës së borxheve.

Ndërsa Michell Barnie, komisionari evropian për tregjet e brendshme, tha se ai ishte i befasuar për momentin e zgjedhur nga agjencia Standard & Poor dhe nga vlerësimi i saj, që nuk i merr parasysh arritjet e fundit.

Agjencia e vlerësimeve Standard & Poor i ka ulur vlerësimet afatgjata për Qipron, Italinë, Portugalinë dhe Spanjën me nga dy pikë, ndërsa Austrisë, Francës, Maltës, Sllovakisë dhe Sllovenisë ua ka ulur vlerësimin me nga një pikë.

Agjencia i ka konfirmuar vlerësimet afatgjata për Belgjikën, Estonin, Finlandën, Gjermaninë, Irlandën, Luksemburgun dhe Holandën.

Vlerësimi më i ultë nënkupton kosto më të madhe për vendet që duan të marrin hua dhe më shumë sfida për të kapërcyer krizat sovrane të borxhit.

Agjencia me seli në Shtetet e Bashkuara tha se nga 16 vendet e rishikuara, të gjitha, përveç Gjermanisë dhe Sllovakisë, kanë perspektiva negative, çfarë do të thotë se mund të ndodhin të tjera degradime gjatë viteve të ardhshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›