Liga Arabe paralajmëron luftë civile në Siri

Liga Arabe ka tërhequr sërish vëmendjen se Siria mund tëshkojë drejt luftës civile. Paralajmërimi i saj vjen pas protestave të sotme, në të cilat raportohet të jenë vrarë të paktën 10 protestues.
Më herët Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin ndaj raporteve që bëjnë të ditur mbërritjen e një anije ruse në Siri, të ngarkuar me municion, pavarësisht sanksioneve të Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe të Ligës Arabe që ndalojnë dërgesat e tilla.
Rusia prej kohësh ka qenë furnizuese e madhe armësh për Sirinë.
Kjo e fundit, nga marsi i vitit të kaluar, është përfshirë nga protestat që bëjnë thirrje për largimin e presidentit Bashar al-Asad. Mbi 5,000 persona mendohet të kenë humbur jetën në trazira.