E Diel, 1 Nëntor 2026

Renalt Shehu, një “Materaci” i ri në Itali“Drejtuesit e Modenës janë shumë optimistë për të ardhmen e Renaldit, kjo për shkak të cilësive si futbollist, por dhe grintës së tij të si mbrojtës, pasi është një lojtar gjigant për moshën e tij, 188

Italia është shndërruar në një “kantier të jashtëzakonshëm” të prodhimit të talenteve të reja shqiptare, sidomos në futboll. Pas emrave të bujshëm të Brian Filipit, Edgar Çanit, Deljan Bregasit, Fabio Hoxhës, një tjetër lojtar me të ardhshme po spikat në vendin fqinjë. 16-vjeçari Renald Shehu, i cili luan si mbrojtës në radhët e Modenës U-18, apo “Primavera, është në qendër të vëmendjes jo vetëm të klubit të tij, por dhe më gjerë.

“Drejtuesit e Modenës janë shumë optimistë për të ardhmen e Renaldit, kjo për shkak të cilësive si futbollist, por dhe grintës së tij të si mbrojtës, pasi është një lojtar gjigant për moshën e tij, 188 cm”, - tha agjenti i FIFA-s, Sokol Haxhia, që vetëm para pak ditësh ka firmosur prokurën e menaxhimit të Shehut, i cili ka lindur në Peshkopi.

Primavera e Modenës bëri një kampionat të bukur në rajonin e saj, ku midis teë tjerash luanin edhe Juventusi (kampione e këtij sezoni), Sampdoria, Xhenoa, Torino, Siena, etj.

“Këtu gjërësisht e konsiderojnë Renaltin si një ‘Marko Materaci’ të ri, pasi thuajse ka një ngjashmëri fizike, por dhe karakteri”, - shton Haxhia, i cili menaxhon përmes agjencisë së tij të mirënjohur “Sportx Management” ka në administrim disa nga emrat më të spikatur të futbollit shqiptarë, përfshirë dhe lojtarët e Kombëtares së madhe e Shpresave si Erjon Bogdani, Klodian Duro, Isli Hidi, Ervin Bulku, Ansi Agolli, Jahmi Hyka, Gilman Lika, Andi Lila, Migen Memelli, Brian Filipi, por dhe të rinjve me perspektivë si Andi Corri e Benkert Abdija.

Mbrojtësi Renalt Shehu ishte dhe njëri nga autorët e golave në fitoren 3-1 të Modenës kundër Mantovës në finalen e një turneu të Meletoles të zhvilluar vetëm disa ditë më parë. Shehu me skuadrën “Allievi Nazionali” të Modenës ka shënuar edhe disa gola, pavarësisht se luan në rolin e mbrojtësit.

“Renalti është një lojtar titullar me skuadrën e Modenës U-18, është një organizator i mirë zone ne mbrojtje dhe ka një goditje të thatë me kokë. Trajneri i tij aktual te “Primavera” Roberto Notari, por dhe ai mëparshëm, Klaudio Trexhia, te “Allievi Nazionali”, e kanë vlerësuar vazhdimisht dhe shpesh herë Shehu ka qenë pikë referimi në goditjet nga këndi apo standarde, për krosimet në drejtim të tij”, - tha për Albania-sport.com, Haxhia, i cili është duke trajtuar edhe një transferim të mundshëm në formë shkëmbimi të Jahmir Hykës te Palermo e Serisë A.

Skeda
Renald Shehu
Datëlindja: 10.10.1992
Vendlindja: Peshkopi, Shqipëri
Vendbanimi: Modena, Itali
Roli: mbrojtës
Skuadra: Modena U-18, Primavera,  Itali
Gjatësia: 1.88 m
Nofka: “Materaci”

E Merkure, 10 Qershor 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›