Samir Ujkani, një Hulio Sezar i ShqipërisëZëvendësuesi i Isli Hidit: “Nuk do të lejoj të pësoj gol Shqipëria”. Portieri kosovar i Palermos ka debutuar dy herë kundër Milanit

Portieri i Palermos në Serinë A, Samir Ujkani, do të mbrojë për herë të parë në një ndeshje miqësore, por me karaketer zyrtar (të njohur nga FIFA) portën e Shqipërisë. Ish-portieri i Kombëtares U-21 së fundi luajti në titullar në barazimin e Shqipërisë B me Milanin (3-3), një takim i karakterit bamirës e i vlefshëm për edicionin e dytë të trofeut “Taçi Oil Albania Reads”, të fituar nga klubi italian pas gjuajtjeve të penalltive. Në mungesë të Isli Hidit (titullarit me Portugalinë) dhe me të riun Enea Koliqi si alternativë e tretë, Ujkani duket si opsioni i parë i trajnerit Josip Kuzhe kundër gjeorgjianëve ambiciozë të Hektor Kuperit.
Samir, portieri i parë i Shqipërisë në ndeshjen kundër Gjeorgjisë. Edhe pse flitet vetëm për një miqësore, si po e përjetoni?
Normale, pasi në të vërtetë kjo është ndeshja ime e parë me Kombëtaren e madhe. Është një shans shumë i bukur për mua. E di që në ndeshjen e fundit kundër Gjeorgjisë, Shqipëria nuk pësoi gol, kështu që nëse do të luaj do të mundohem të shmang pësimin e golit. Kam bërë seriozisht stërvitje dhe e ndjej se jam i gatshmë për ta mbrojtur portën.
Ujkani, konsideroheni jeni formuar në shkollën e portierëve të Anderlehtit, ndërkohë që prej dy sezonesh jeni pjesë e Palermos në Serinë A italiane. Nga të gjithë specialistët vlerësoheni si një pasues i denjë i Foto Strakoshës, Arjan Beqajt e tani i Isli Hidit. Si ndodhi kalimi nga Anderlehti U-19 te Palermo?
Kam luajtur në Belgjikë me Anderlehtin U-19. Kalova një periudhë të bukur në Belgjikë, pasi fitova titullin kampion. Gjatë kësaj kohe skuadra ime morri pjesë në një turne në Viarexho të Italisë, dhe atje u ndoqa dhe u pëlqeva nga menaxherët e Palermos. Po kaloj shumë mirë në Itali. Jam portieri i dytë dhe e konsideroj një arritje të madhe.
Debutuat në Serinë A në një ndeshje si zëvendësues kundër Milanit, të humbur 3-0, por me fatin që ju vetë nuk pësuar gol. Si e kujtoni atë ndeshje?
Stadiumi “San Siro” është një ëndërr për të gjithë, jo vetëm për një lojtar të ri si unë. Qysh i vogël kam bërë tifozllëk për Milanin, dhe ajo ndeshje për mua kishte një kuptim të dyfishtë. Këtë shans të madh ma dha Palermo dhe pjesëmarrja në një kampionat të madh si Seria A. Është realisht një ëndërr e shndërruar në realitet. Bëra një lojë pozitive dhe përballova goditjet e disa prej lojtarëve më të mirë në botë, pavarësisht se rezultati ishte i keq për ekipin tim.
Fati mesa duket e solli, që dhe me fanellën e përfaqësueses së madhe, ajo B, luajtët si titullar po në një ndeshje kundër Milanit.
Besoj se jam futur në histori(qesh). Të debutosh në dy ndeshje kundër Milanit është një gjë e jashtëzakonshme. Në ndeshjen me Komëbtaren e përjetova pak keq, pasi pësova dy gola. I pari nga Ronaldinjo dhe i dyti nga Shevçenko, por i këtij të fundit ishte pak hidhët, pasi e pësova në një pozicion pak të keq për mua. Gjithsesi, e quaj një eksperiencë pozitive.
Edhe me Kombëtaren U-21 debutuat kundër Italisë së kësaj moshe. Shqipëria humbi atë takim 4-0, por ju morrët vlerësime nga media italiane.
Ishte ndeshja ime e parë me Shpresat dhe atëherë nuk i njihja mirë lojtarët. Kështu, që më erdhi pak keq që pësuam atë humbje të thellë, pikërisht përpara se unë të nënshkruaja zyrtarisht me Palermon. Gjithsesi, pas atij takimi unë firmosa me skuadrën italiane.
Palermo është shndërruar në një ekip shqiptarësh, pasi në pronësi ka Edgar Çanin (e huazuar te Askoli) dhe Brian Filipin (e huazuar te Ravena). Ndërkohë flitet që dhe Jahmir Hyka mund të mbërrijë te skuadra tënde.
Edgari është një sportist shumë i mirë. Kam marrëdhënie të shkëlqyera me të. Ka perspektivë shumë të madhe si lojtar. Është i zoti dhe talentin e ka. Është duke bërë figurë të mirë te Askoli. Kam luajtur një ndeshje kundër tij në Kupën e Italisë. Përsa i përket Brian Filipit kam mendim poziitiv. Ne kemi luajtur kundër Ravenës për Kupën e Italisë, por ai nuk ishte atë ditë në formacion. Gjithsesi, kemi luajtur së bashku me Shpresat e Shqipërisë. Është një djalë i mrekullueshëm. Ka talent dhe më vjen shumë mirë që Palermo e ka blerë atë gjysmën e kartonit të tij.
Samir je një ndër portierët e shumtë të huaj në Itali. Kë vlerëson nga ata më shumë?
Dida i Milanit ka qenë gjithmonë një ndër më të mirët, por prej të paktën dy-tri vjetësh më i miri është Hulio Sezari i Interit. Është për mua më i miri në botë aktualisht. Përpara se të vija në Palermo në Itali, vlerësoja në fakt si më të mirin Iker Kasijasin e Realit të Madridit, por Hulio Sezar ndodhet në superformë. Nga italianët vlerësoj Xhixhi Bufonin.
Kombëtarja jonë është si një shtëpi i madhe e shqiptarëve dhe e kosovarëve.
Po, është shumë bukur. Kam përfituar shumë jo vetëm nga Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri, Arjan Beqaj apo Besart Berisha, por dhe më kanë trajtuar si vëlla të vogël edhe Altin Lala, Erjon Bogdani e Ervin Skela. Kur Bogdani erdhi para dy vitesh në Palermo më takoi e më tha, se për çfarëdo nevoje të kisha, ai ishte i gatshmë të më ndihmonte. Po, kështu dhe Igli Tare, tani që është bërë drejtor sportiv i Lacios më ka takuar e folur me ngrohtësi.
Te Palermo ka qenë edhe një lojtar serb. Ai i ruan akoma marrëdhëniet me të?
Po, patjetër edhe pse ai është huazuar të Xhenoa. Ishte një djalë shumë i mirë dhe me ka ndihmuar shumë.
E Marte, 09 Qershor 2009