Renato Myrtaj: Vrasësi i tim ati, në burg të përjetshëm
Ende nuk është vënë drejtësi për babanë tim. Janë këto fjalët e para që të thotë Renato Myrtaj menjëherë pasi prokuroria ka zbuluar autorin e vrasjes së Faik Myrtajt. Sapo e kanë lajmëruar se u zbulua se kush i kanë vrarë babanë, Renato është gozhduar përballë televizorit. Për minuta të tëra nuk ka thënë asnjë fjalë. Në një interviste për Shekullin, djali i vetëm i një prej viktimave të 21 Janarit kërkon burgim të përjetshëm për Andrea Prendin.
Renato i keni dëgjuar lajmet në lidhje me hetimet më të fundit të ngjarjes së 21 janarit?
Sapo më lajmëruan se prokuroria ka lëshuar urdhër arresti për njerëzit që janë përfshirë në vrasjet e 21 janarit nuk i jam ndarë televizioneve. Në fillim u gëzova që më në fund është zbuluar se kush më ka vrarë babanë. Më pas, kur u njohëm me vendimin e gjykatës për autorin e dyshuar, mbetëm të shokuar. Kjo është e pakuptueshme. Ndrea Prendi akuzohet si autor, madje dhe me prova, i vrasjes së babait tim dhe gjykata e lë arrest shtëpie? Ai meriton burg të përjetshëm, pasi pa asnjë motiv, pa asnjë arsye më ka vrarë babanë me duar në xhepa në mes të bulevardit të Tiranës. Se si mund të lihet i lirë një vrasës, unë nuk arrij ta kuptoj. Unë di çdo të më kishte ndodhur mua nëse do të kisha qëlluar qoftë dhe pa dashje një njeri. Sigurisht që nuk do të kisha fatin e Prendit. Megjithatë, e rëndësishme është që tashmë unë di se kush më ka vrarë babanë. Dhe kjo është shumë për mua. Do të presim. Me durim.
Mendoni se do të bëhet drejtësi?
U desh kohë, por tashmë unë të paktën e di se kush më ka vrarë babanë. Por jam i sigurt se Komandanti i Gardës nuk e ka bërë këtë me kokë të tij. Babai im as nuk e ka njohur atë, jo më të ketë pasur ndonjë konflikt që Prendi mund ta qëllonte për arsye të vetat. Urdhëruesi i kësaj vrasje është Sali Berisha dhe ne kërkojmë që ashtu siç u gjet vrasësi duhet të zbulohet dhe se kush urdhëroi për këto vrasje.