E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, kërkon imunitetin e tre deputetëve të PS-së

Flamur Vezaj / Denis Dedej

Prokuroria e Përgjithshme i ka nisur dje një kërkesë Parlamentit për heqjen e imunitetit të deputetëve të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Bare, për tiu nënshtruar hetimit për organizimin e demonstratës. Ishte vetë kryeprokurorja Rama, e cila gjatë konferencës së djeshme për shtyp, njoftoi se këto kërkesa tashmë janë nisur në Kuvend, pavarësisht se Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë kërkon pezullimin e këtyre hetimeve ndaj tyre për mungesë të provave.

Në kuadër të këtij procedimi penal, nisur nga pasojat tepër të rënda të verifikuara në vendngjarje, organi i akuzës ka kryer veprime hetimore për të zbardhur nëse personat që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë tubimit, kanë qenë të organizuara dhe, nëse po, identifikimi i tyre. Për këtë pistë hetimore, hetimi i është ngarkuar shërbimeve të policisë gjyqësore Policisë të Shtetit, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Këta të fundit, në përfundim të hetimeve të kryera për këtë vepër penale, kanë përpiluar relacionin përfundimtar për rezultatet e hetimit, duke u sugjeruar prokurorëve pezullimin e hetimeve për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme, pasi sipas tyre, janë kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore por nuk kanë mundur të zbulojnë organizatorë apo nxitës të dhunës të ushtruar gjatë protestës së datës 21 Janar 2011. Pavarësisht këtij sugjerimi, organi i prokurorisë, në kuadër të një hetimi gjithëpërfshirës dhe të gjithanshëm të çështjes, çmon se duhet të vazhdojnë hetimet për të arritur në një konkluzion përfundimtar nëse veprimet e dhunshme kanë qenë të organizuara dhe, nëse po, cilët janë personat organizatorë,- tha kryeprokurorja Ina Rama në lidhje me këtë çështje.

Sipas saj, në funksion të këtij qëllimi, është e nevojshme kryerja e disa veprimeve hetimore ndaj disa deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët për shkak të një roli aktiv gjatë zhvillimit të protestës së datës 21 janar 2011 dhe të indiceve e të dhënave të grumbulluara tashmë, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se, me veprimet e kryera gjatë zhvillimit të kësaj proteste, kanë konsumuar veprën penale të Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme. Për të sqaruar plotësisht pozicionin e deputetëve Besnik Baraj, Tom Doshi dhe Taulant Balla në raport me ngjarjet e datës 21 Janar 2011, për veprën penale të Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, lind e domosdoshme kryerja e disa veprimeve hetimore ndaj tyre. Për këto arsye, Prokuroria e Përgjithshme, i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë sot, më datë 23 Janar 2012, dhënien e autorizimit për procedim të këtyre deputetëve-nënvizoi kryeprokurorja Rama në fund të fjalës së saj.
Baraj, Balla e Doshi: Hetoni ne, por hetoni edhe Berishën

Tre deputetët, për të cilët prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit që të hetohen për 21 janarin kanë reaguar dje duke thënë se janë të gatshëm që të heqin dorë nga imuniteti, vetëm që të zbardhet çështja. Duke i bërë apel prokurorisë që të zbardhë të vërtetën, deputetët Besnik Baraj, Tom Doshi dhe Taulant Balla thanë dje se do të votojnë edhe vetë pro heqjes së imunitetit të tyre. Nga ana tjetër ata kërkuan që në bankën e të akuzuarve të ishin edhe kryeministri Berisha e ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

Besnik Baraj

E quaj normale që unë të pyetëm nga Prokuroria meqenëse isha unë që adresoja në emër të PS këtë kërkesë, por nga ana tjetër çdo është e qartë se cilët janë vrasësit, si edhe cilët janë urdhëruesit. Fakti se ata njerëz aty nuk dolën për shkak të asnjë individi të PS, nuk dolën as ne emër të Edi Ramës dhe as të emrit tim, por dolën në emër të padrejtësisë dhe mungesës së demokracisë në këtë vend, gjendjes ekonomike të vështirë, mungesës së demokracisë reale, dhunimit të votës dhe përballë jetës së atyre njerëzve imuniteti im nuk ka asnjë lloj vlerë. Ashtu sikur kam qenë dhe kam dëshmuar në prokurori për çfarë ndodhi atë ditë, çfarë kam parë me sytë e mi, jam gati ta dëshmoj prapë. Mediat kanë ekspozuar fare qartë rolin tim në zhvillimin sa më paqësor nga ana e protestuesve të atij mitingut. Por, ishte dhuna dhe armët e gardës që u urdhëruan nga krerët e shtetit që shkaktuan viktimat, nuk i shkaktuan protestuesit,- tha dje Baraj, i cili në kohën e protestës ka pasur postin e kryetarit të PS-së së Tiranës.

Tom Doshi
Jam i gatshëm që të heqë dorë nga imuniteti im. Do të votoj edhe vetë pro kësaj kërkese, kur të vijë në parlament. Në protestën e 21 janarit 2011 kam kontribuar për të qetësuar protestuesit. Çdo gjë është e filmuar dhe transparente. I bëj apel Prokurorisë të gjejë sa më shpejt vrasësit me pushtet, ata që kanë urdhëruar vrasjet. Kur vret kryetari i Gardës së Republikës, askush ska dyshim se urdhrin e ka dhënë kryeministri,- tha dje Tom, Doshi.

Taulant Balla

Ai që duhet të shkojë para gjyqit është Saliu, është Lulzim Basha. Ne jemi gati të heqim imunitetin e çdo deputeti që kërkon Prokuroria. Por, të hetosh Besnik Baren dhe të mos hetosh Saliun është qesharake! Të më hetosh mua dhe jo Lul Bashën është qesharake! Ne duam drejtësi!,- ishte reagimi i Taulant Ballës
REAGIME

Erjon Braçe:
Prokurorja e Republikës dhe ambasadori Arvizu në konferencë shtypi! Kërkuan arrest me burg të 3 zyrtareve të Gardës së Republikës dhe qeverisë së Sali Berishës. Nga aktet e ekspertizës kriminalistike në Shqipëri dhe SHBA-FBI: Arma e Ndrea Prendit 11 qitje, një predhë vrau Faik Myrtajn. Ndrea Prendi ndërroi tytën e pistoletës me pistoletën e shoferit për të fshehur krimi! Shefi i IT-së i qeverisë fshehu pamjet filmike të 11 kamerave të cilësisë së lartë! Policia i kërkoi prokurorisë ndërprerje të hetimeve për nxitje dhe organizim të veprimeve të dhunshme. Ne po thellojmë hetimet dhe i kërkojmë Kuvendit: Heqjen e imunitetit të Tom Doshit, Besnik Bares, Taulant Ballës! Asnjë fjalë për urdhëruesit e vrasjeve, Lulëzim Basha e Sali Berisha! Edhe pse që të dy kanë thënë publikisht se kanë vrarë njerëzit për të mbrojtur pushtetin!!!

Ditmir Bushati:
Gjykata e Tiranës ka konsumuar një atentat ndaj rendit kushtetues dhe ndërgjegjes tonë qytetare duke dhënë vendim me arrest në shtëpi për komandantin e Gardës Republikane që akuzohet për vrasje më 21 janar! I bej apel Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të thërrasë urgjentisht KLD dhe të shqyrtojë këtë rast me prapavijë të qartë mafioze! KLD minimalisht duhet të na provojë nëse ka ndonjë gjyqtar që ka ndjekur këtë praktikë më parë. Ky është rasti kur Kreshnik Spahiu mund të na provojë se është në krye të detyrës dhe se realisht ka respekt për flamurin kombëtar me të cilin mbështillet! Ndërsa Prokurorja e Përgjithshme ka detyrimin kushtetues për të çuar para gjykatës urdhëruesin e vrasjeve dhe jo vetëm gishtat!

Ilir Gjoni:
Turp i madh! Gjykata lë në ndjekje të lirë vrasësit e dëshmorëve të 21 janarit, ndërkohë që ka dënuar me burgim mjaft protestues, ndonëse të dhunuar e rrahur nga policia. Shtetin e ka kapur mafia! Akuzat për ta shkojnë deri në 20 vjet burg. Gjykata ka vendosur se e meritojnë lirinë ndonëse kanë marrë jetë njerëzish?!

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›