Prokuroria: Ndrea Prendi vrau Faik Myrtajn dhe prishi provat
Kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi është akuzuar direkt si njeriu që ka vrarë Faik Myrtajn më 21 janar të një viti më parë gjatë protestës së opozitës. Ai ka hapur zjarr nga brenda oborrit të kryeministrisë duke qëlluar me pistoletë në drejtim të turmës. Të 11 plumbat e dalë nga arma e tij kanë qenë në lartësinë e trupit të njeriut dhe drejt turmës. Për fatin e mirë të protestuesve, plumbat e Prendit janë ngulur në gardhin e hekurt kryeministrisë, në murin e saj, në pemë dhe në zyrat e UNHCR-së. Për fatin e keq një nga plumbat i ka marrë jetën Myrtajt.
Por Prendi duket se e ka ditur se arma e tij kishte shkaktuar një viktimë dhe menjëherë ka tentuar ta manipulojë. Ai ka ndërruar pjesën e sipërme të pistoletës së tij me atë të shoferit dhe ka prishur manualisht gjilpërën e armës, të cilën më pas e ka dorëzuar në prokurori për hetime. Ekspertët shqiptarë nuk mundën të bënin asgjë me këtë armë dhe u desh raporti i FBI-së për të nxjerrë në dritë të vërtetën.
Më poshtë pjesët kryesore të kërkesës për gjykim të prokurorisë:
… Nga filmimet e bëra nga televizionet e ndryshme, të marra me cilësinë e provës materiale, rezulton se viktimat në momentin që janë qëlluar kanë qenë jashtë objektit (jashtë kangjellave ose gardhit rrethues), ku Ziver Veizi ka qenë në trotuar dhe nuk ka kryer asnjë veprim ose akt dhune. Viktima Hekuran Deda ka qenë së bashku me deklaruesit Fatos Mahmutaj dhe Hysni Peposhi pranë një pishe, të hipur në dy tavolina të vendosura nga gazetarët dhe po shihnin demonstratën. Viktima Faik Myrto ka qenë në Bulevard në afërsi të dy kullave Binjake, aty afër ka qenë edhe viktima tjetër Aleks Nika. Të gjithë këta persona kanë qenë shumë larg gardhit rrethues të Kryeministrisë dhe në momentin e vrasjes së tyre këta shtetas nuk kanë bërë asnjë sulm ose akt dhune ndaj efektivave të Gardës. Edhe të plagosurit kanë qenë jashtë rrethimit dhe janë qëlluar kur nuk ka pasur sulm si dhe nuk përbënin asnjë rrezik real për jetën, apo shëndetin e efektivave të gardës, pasi asnjë nga viktimat nuk ka sulmuar, kanë qenë pa armë dhe protestues të thjeshtë.
Vlen për t’u theksuar fakti se asnjë person nuk është vrarë apo plagosur brenda territorit të Kryeministrisë, çka tregon se përdorimi i armëve të zjarrit në rastin konkret është kryer në kundërshtim të hapur me normat e së drejtës. Qytetarëve iu është marrë jeta në kundërshtim me ligjin, duke shkelur kështu rëndë neni 2 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Përdorimi i armëve të zjarrit ndaj demonstruesve është kryer në kundërshtim të hapur me ligjin…
Nga këqyrja e datës 29.01.2011 të pjesës së gardhit të Kryeministrisë rezulton se në gardhin metalik ka shumë shenja predhash në distancë të ulët nga toka, të cilat tregojnë se është qëlluar me armë në drejtim të turmës. Shenja predhash në distancë të ulët nga toka janë fiksuar edhe tek porta e jashtme Nr. l e Kryeministrisë. Shenja të qarta predhe janë fiksuar edhe tek vendroja afër derës dhe tek porta e vogël pranë kësaj dere, ku rezulton se është qëlluar me armë në drejtim të turmës…
Nga aktet provohet tej çdo dyshimi se, personi nën hetim shtetasi Ndrea Prendi, ka qëlluar njëmbëdhjetë herë në drejtim të turmës me qëllim për të vrarë personat që ndodheshin në turmë, me armën e zjarrit tip “Beretta”, të kalibrit 9 mm dhe me numër P52796Z që i përket armatimit të tij personal. Si pasojë e të shtënave prej tij, është vrarë shtetasi Faik Myrtaj dhe u është rrezikuar jeta shumë personave të tjerë që kanë qenë pranë viktimës si dhe në atë pjesë të bulevardit që ndodhet midis portës së Kryeministrisë dhe ndërtesës së U.N.H.C.R-së. Një nga predhat e qitura nga personi nën hetim ka ngelur në pemën dekorative, ndërsa tre të tjera kanë përfunduar në ndërtesën e U.N.H.C.R-së. Për të shmangur zbulimin e këtij fakti, ky person duke përfituar nga detyra që mban, ka ndërruar tytën e pistoletës së tij, me tytën e pistoletës së personit nën hetim, shtetasit Margarit Kume. Njëkohësisht ai ka dëmtuar mekanikisht gjilpërën goditëse të pistoletës së tij, duke pasur si synim që nëpërmjet dëmtimit të saj të bënte të pamundur që ekspertët të evidentonin se gëzhojat e gjetura në vendngjarje ishin qitur nga arma e tij.
Në arritjen e këtij përfundimi arrihet duke analizuar në mënyrë logjike gjithë të dhënat e grumbulluara në vendin e ngjarjes, si dhe përfundimin e ekspertëve në aktin e ekspertimit Nr. 3995 datë 16.05.2011 të Policisë Shkencore Tiranë, si dhe të dhënë në raportin e ekzaminimit të ekspertëve amerikan të përpiluar me 05.01.2012. Faktet e vërtetuara gjatë këtij hetimi renditen dhe analizohen si më poshtë vijon:
Së pari, në vendin e ngjarjes u gjetën njëmbëdhjetë gëzhoja që ishin qitur nga pistoleta me numër P52796Z në përdorim të personit nën hetim, shtetasit Ndrea Prendi. Kjo tregon se, personi nën hetim, shtetasi Ndrea Prendi ka qëlluar njëmbëdhjetë herë me pistoletën me numër P52796Z, që është armatim i tij personal. Ndërkohë që ky person gjatë deklarimeve të dhëna prej tij me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, ka shpjeguar se jo vetëm që nuk ka qëlluar asnjëherë, por në momentin që ka dëgjuar të shtënat ai ndodhej brenda në ndërtesë mbasi ishte dëmtuar nga goditja e një pllake guri.
Së dyti, predha e gjetur në pemën dekorative, predha e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj (shënuar me Q3) si dhe tre predhat e gjetura në zyrat e U.N.H.C.R-së janë qitur nga tyta e ndodhur në pistoletën me nr. P52778Z, e cila është armatim personal i personit nën hetim, shtetasit Margarit Kume.
Së treti, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nuk u gjet ndonjë gëzhojë e qitur pistoleta me numër P52778Z (pistoleta e shtetasit Margarit Kume).
Pra, ndodhemi përpara një absurdi, mbasi kemi pesë predha që janë qitur nga tyta e një pistolete, ndërkohë që gjilpëra e saj nuk ka goditur asnjë fishek.
Së katërti, në majën e predhës së gjetur tek viktima Faik Myrtaj dhe në majën e njërës nga predhat e gjetura. në zyrën nr. 12 të ndërtesës së U.N.H.C.R-së, dallohet një shenjë me hulli (me vija paralele) që është shkaktuar nga mekanizmi mbushës që ndodhet në trupin (skeletin) e pistoletës me numër P52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi). Që të ndodhë një gjë e tillë sipas ekspertëve ka dy shpjegime të ndryshme dhe pikërisht:
1) Këto predha vijnë nga fishekë që u futën dhe u nxorën manualisht nga pistoleta me numër P52796Z (pa u bërë qitje) dhe u qitën më pas nga pistoleta me numër P52778Z.
2) Në kohën e qitjes së predhave, tyta e ndodhur aktualisht në pistoletën me numër P52778Z ndodhej ne pistoletën me numër P52796Z.
Nga të dhënat e deritanishme, shpjegimi i parë rrëzohet poshtë (shmanget plotësisht) për faktin se, pistoleta me numër P52778Z (pistoleta e shtetasit Margarit Kume) nuk ka qitur as edhe një fishek të vetëm. Në kushtet kur shpjegimi i parë rrëzohet poshtë, është fare e qartë se mundësia e vetme është që tyta e ndodhur aktualisht në pistoletën me numër P52778Z (pistoleta e shtetasit Margarit Kume), është realisht tyta që i përket pistoletës me numër P52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi). Është pikërisht kjo e fundit pistoleta që ka qitur fishekët nga kanë ardhur predha e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj, pemën dekorative dhe predhat e gjetura në ndërtesën e U.N.H.C.R-së.
Njëkohësisht, maja e gjilpërës së shulit të pistoletës me numër P52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi), ka një defekt të pazakontë që nuk duhet të jetë në përputhje me ndikimin e përdorimit të zakonshëm. Ky defekt shpjegohet me faktin se personin nën hetim shtetasi Ndrea Prendi në bashkëpunim edhe me personin nën hetim, shtetasin Margarit Kume, njëkohësisht me ndërrimin e tytave
