PS: Prokuroria të marrë të pandehur Berishën dhe Bashën
Partia Socialiste ka reaguar dje për arrestimin e kreut të Gardës, shoferit të tij dhe inxhinierit të kryeministrisë përmes anëtarit të Kryesisë, Sajmir Tahiri. Duke thënë që në fillim se është i autorizuar të flas në emër të kryetarit Edi Rama për shkak se ai ndodhet në Gjermani, Tahiri tha se PS ka vullnet të plotë për të mbështetur deri në fund hetimet për 21 janarin.
Nëse prokurorisë i duhet kontributi në hetim i tre deputetëve të PS, jemi gati të votojmë heqjen e imunitetit të tyre dhe të të gjithë deputetëve pjesëmarrës në demostratën e 21 janarit për të ndihmuar në zbardhjen përfundimtare të së vërtetës. Zonja Prokurore e Përgjithshme! Për 21 janarin asnjë nga ne nuk ka pasur dhe nuk ka arsye të ketë imunitet. Asnjë nga ne nuk ka bërë më pak se tre kolegët tanë që ju cituat dhe asnjë prej të tre atyre nuk ka bërë më shumë se sa të ushtrojë drejtën kushtetuese të demonstrimit paqësor. Ne jemi të gjithë gati të hetohemi deri në fund,- tha Tahiri. Ai shpjegoi në emër të PS-së se socialistët kërkojnë të drejtën e plotë, e cila për ta do të thotë ndëshkim për ekzekutorët dhe autorët e vrasjeve, të cilët janë ata që urdhëruan hapjen e zjarrit mbi protestuesit!
Për ne, për të gjithë popullin opozitar, ashtu si për çdo shqiptar të arsyeshëm, të kërkosh imunitetin e tre deputetëve opozitarë dhe jo të Sali Berishës, që ka përgjegjësinë e madhe të vrasjeve të 21 janarit, nuk është aspak normale. Ashtu siç nuk është aspak normale që ndërkohë kur kërkohet procedimi për tre deputetë opozitarë, nuk kërkohet për eprorin e drejtpërdrejtë të vrasësve të identifikuar nga ekspertiza, i cili është ish-ministri i brendshëm Lulëzim Basha. Opozita shqiptare akuzon Sali Berishën dhe Lulëzim Bashën si përgjegjës të drejtpërdrejtë për përdorimin e pushkëve ndaj popullit, me pasojë vrasjen e katër njerëzve të pafajshëm dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve,- tha Tahiri në emër të PS-së.
Anëtari i kryesisë së PS-së kërkoi dje nisjen e procedimit penal për Sali Berishën dhe Lulzim Bashën e nga ana tjetër ai e cilësoi kërkesën për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë si një manovër për të krijuar ekuilibër në hetime. Në këtë kontekst Tahiri ka bërë një thirrje për prokurorinë: Nëse ky do të jetë rasti dhe Sali Berisha do lihet jashtë hetimeve, Lulëzim Basha do lihet jashtë hetimeve, madje edhe Gjergj Lezhja përgjegjësi direkt për mirëmbajtjen e serverit dhe shërbëtori i parë i Sali Berishës në atë godinë, do lihet jashtë hetimeve, opozita do ta konsiderojë përfshirjen e tre deputetëve të saj në hetime si një kalkulim ekstraligjor të prokurorisë për të dalë mbi palët, por në fakt duke u bërë palë në pengimin e drejtësisë së plote për 21 janarin. Ai tha se prokuroria ka mbështetjen e opozitës dhe nuk duhet të tërhiqet përpara shantazheve të kryeministrit Berisha. Duke komentuar akuzat për bashkëpunim mes PS-së dhe prokurorisë, Tahiri tha se ato janë si shpifjet e Enver Hoxhës kur zbulonte komplote të paqena kundër partisë.
Në fund Tahiri komentoi edhe vendimin e gjykatës për masën e sigurisë arrest shtëpie, të cilin e cilësoi si një provë që gjykata është kthyer në vegël të pushtetit dhe një kërcënim për të gjithë procesin gjyqësor. E vërteta e 21 Janarit, nuk do jetë kurrë e plotë pa dënuar të gjitha ata që kanë përgjegjësi për vrasjet Ziver Veizit, Faik Myrtaj, Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës,- është fjalia që mbyll reagimin zyrtar të opozitës.
Ambasadori Arvizu mbështet prokurorin
Në konferencën e djeshme të kryeprokurores Rama, foli edhe ambasadori amerikan Alexander Arvizu, i cili deklaroi mbështetjen e plotë për prokurorinë shqiptare në kryerjen e këtij hetimi. Sipas tij, hetimi i pasojave të demonstratës së 21 Janarit nga ana e organit të akuzës ishte dhe është i paanshëm, ku hodhi poshtë edhe akuzat politike ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Nuk mendoj se ky hetim është i motivuar politikisht. Mendoj se është e qartë se mbështetja jonë ka qenë e qëndrueshme dhe e sigurt,- theksoi Arvizu. Sipas ambasadorit, qëndrimi i SHBA-së do të jetë gjithmonë në favor të organit të akuzës deri në fund të hetimeve. Për këtë arsye SHBA-të mirëpresin ato që ka thënë sot (dje) prokurorja e përgjithshme. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim zyrën e saj derisa vazhdohet me këtë hetim dhe dëshiroj të theksoj se ka qenë qëllimi im që hetimi të ketë qenë i pavarur dhe i pamotivuar politikisht-nënvizoi në fjalën e tij ambasadori Arvizu.
Berisha pezullon Ndrea Prendin dhe sulmon Ina Ramën
Pak minuta përpara se kryeprokurorja Ina Rama të shfaqej publikisht së bashku me ambasadorin amerikan Arvizu, kryeministri Berisha ka nxjerrë zëdhënësen e tij në një deklaratë për shtyp ku ka njoftuar pezullimin e kreut të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Por pas kësaj Berisha ka nisur sulmet ndaj kryeprokurores Ina Rama si dhe ka paralajmëruar se do të ketë ndëshkime ekzemplare për organizatorët e protestës së një viti me parë.
Sot, Gjykata e Tiranës, mbi bazën e mandateve të arrestit me burgim, ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për Komandantin e Gardës së Republikës dhe dy punonjës të tjerë, në kuadrin e hetimeve për 21 Janarin 2011. Kryeministri, në respektim të vendimit të Gjykatës të Tiranës, ka vendosur pezullimin nga detyra, të Gjeneral Ndrea Prendi dhe të komandojë në këtë detyrë, Shefin e Shtabit të Gardës së Republikës, Nën Kolonel Artan Hoxha,- tha zëdhënësja e kryeministrit Erla Mëhilli. Sipas aj, kryeministri e ka dënuar qëndrimin e prokurores Ina Rama, por nga ana tjetër ka besim të institucionet e drejtësisë. Duke mbështetur plotësisht dhe përgëzuar për mbrojtjen e vendosur të institucioneve të vendit, Policinë dhe Gardën e Republikës, Kryeministri qëndron i vendosur për hetimin e plotë të rrethanave, në të cilat humbën jetën katër qytetarë dhe u plagosën qindra policë, gardistë dhe qytetarë. Prokuroria e Përgjithshme, gjatë këtij viti, jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë ndaj atyre që organizuan, sponsorizuan dhe realizuan sulmin ndaj Këshillit të Ministrave, por në prokurori janë prishur, zhdukur dhe shitur prova dhe dëshmi të shumta të këtij hetimi. Gjatë një viti e deri sot, nuk ka asnjë të penalizuar nga organizatorët dhe sponsorizuesit e aktit antikushtetues të 21 Janarit 2011, as dhe për ata që montuan dhe shpërndanë videon që tregonte kryesuesin të implikuar në çështje që nuk kishin asnjë lidhje me to. Po kështu, janë të lirë të gjithë ata që në dhjetëra raste, pohuan me shkrim se kishin ardhur të paguar për të rrëzuar qeverinë, ata që me hunj, gurë, shishe molotov, sulmuan dhe plagosën qindra policë dhe gardistë, ata që morën veturën dhe thyen me të derën e oborrit të Këshillit të Ministrave, me qëllim që të pushtohej ndërtesa e Këshillit të Ministrave. Qeveria dhe forca e tij politike, do të bëjë gjithçka që, ata që organizuan sulmin e egër mbi Këshillin e Ministrave, paguan dhe sponsorizuan atë, ata që u vërsulën me të gjitha mjetet kundër policisë dhe Gardës së Republikës, ata që bënë gjithçka për të pushtuar institucionin Kushtetues të Qeverisë, për të përmbysur pushtetin legjitim të vendit, si dhe të gjithë ata që kanë shkelur ligjet e vendit dhe abuzuan me to, do të marrin ndëshkimin e merituar,- tha zëdhënësja e kryeministrit duke e mbyllur deklaratën e saj duke shtuar se drejtësia nuk do e harrojë kurrë 21 janarin 2011.
