Rend dhe ligj përmes dialogut?!

Autoritetet evropiane në vend paralajmëruan ditë më parë themelimin e dialogut për rend dhe ligj ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian - proces që pritet të nisë në fund të muajit të ardhshëm.
Nga Qeveria e Kosovës, Radios Evropa e Lirë iu bë e ditur se në këtë dialog do të jenë të përfshira kryesisht Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme, por nuk u dhanë detaje për formatin, kohëzgjatjen dhe temat e dialogut.
Prej vendeve të rajonit thuhet se vetëm Bosnja e Hercegovina ka pasur një dialog të ngjashëm, por njohësit e integrimeve evropiane në Prishtinë e quajnë të panevojshëm nisjen e tij, duke theksuar nevojën për përforcimin e mekanizmave ekzistues për sundim të ligjit.
Kërkesat për angazhim të shtuar të institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë janë përmendur në shumicën e Raporteve të Progresit që Komisioni Evropian publikon tradicionalisht në vjeshtën e çdo viti për vendet që synojnë integrimin në BE.
Ngecjet në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, depolitizimin e gjykatave dhe të tjera u përmendën edhe në raportet e organizatave të ndryshme ndërkombëtare që analizojnë gjendjen e shteteve në aspektin e sundimit të ligjit.
Ish-kreu i Agjencisë për Integrime Evropiane, Shenoll Muharremi, shprehu bindjen se ekzistojnë kapacitetet humane e financiare për të arritur rezultat në këtë drejtim.
“Ne duhet t’i zbatojmë standardet evropiane për sundim të ligjit dhe mendoj se kemi mjaft mekanizma ekzistues, përmes të cilëve mund t’i zbatojmë këto”, theksoi Muharremi.
Merita Mustafa, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se parakusht për funksionimin adekuat dhe në përputhje me standardet evropiane të Policisë, Gjyqësorit dhe Prokurorisë, është ekzistimi i vullnetit politik në ekzekutivin e vendit.
“Tani i mbetet vetëm Qeverisë sonë që ta ndryshojë qasjen dhe të ketë vullnet politik për t’i bërë gjërat ashtu siç duhet”, vlerësoi ajo.
Për të ndihmuar institucionet vendore në vënien e sundimit të ligjit, me ftesë të Prishtinës zyrtare, BE-ja kishte instaluar një mision monitorues dhe këshillëdhënës pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. EULEX-i pritet që gjatë fazës së rikonfigurimit të tij ta zvogëlojë praninë e tij në Dogana e Polici, për t’u përqendruar më shumë në shtyllën e gjyqësisë.