E Diel, 1 Nëntor 2026

Ylli Popa: PD-PS po merren vesh me njëri-tjetrin në dëm të partive të tjera

 

Aristir Lumezi

Ish-kryetari i Akademisë së Shkencave, Profesor Ylli Popa, tha dje se dy partitë e mëdha janë marrë vesh në kurriz të partive të tjera për Kodin Zgjedhor. Popa është një nga firmëtarët e peticionit, që një grup i madh intelektualësh i drejtuan Presidentit të Republikës dhe ambasadorëve të huaj në Tiranë.
"Dëgjova me vëmendje një deklaratë të kryetares së grupit parlamentar socialist sot në televizion, duke shprehur një mendim të Partisë Socialiste rreth Kodit Zgjedhor. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike duket se po merren vesh mirë me njëri-tjetrin për të mos pyetur të tjerët", tha profesor Popa. Sipas tij, ata duhet të respektojnë minorancat, pasi kjo është demokracia e vërtetë. Ish-kryetari i Akademisë shprehu besim se do arrihet në një zgjidhje të krizës politike në vend për çështjen e Kodit. "Por unë kam besimin se ata nuk do të mundin ta miratojnë nesër Kodin Zgjedhor, pasi do gjejnë vetëdijen për të reflektuar ndaj kësaj krize të rëndë politike", tha profesor Popa. Ai e cilësoi të drejtë grevën e urisë së 10 deputetëve të Parlamentit shqiptar.
"Deputetët kanë të drejtë të kërkojnë, sepse konsiderojnë se çfarë është bërë deri tani nuk ka qenë e rregullt. Greva e urisë është një e drejtë kushtetuese që ka çdo qytetar dhe mënyra për të arritur këtë të drejtë", u shpreh Popa. Akademiku i njohur e cilësoi të dobishme grevën e urisë, pasi sipas tij, nëse ajo nuk do bëhej, Parlamenti do miratonte një kod me defekte të mëdha, që do sillte pasoja dhe në zgjedhjet e ardhshme dhe imazhin e Shqipërisë. "Një të drejtë për grevën e kanë aprovuar edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, që kërkojnë gjithëpërfshirje në administrimin e votës së qytetarëve. Unë mendoj se nëse nuk do ishte bërë greva dhe Kodi do ishte kaluar pa këto reagime ekstreme, do të kishim një kod me defekte që do na çonte në zgjedhje me defekte dhe për pasojë dhe me reagime negative nga vendi, i cili pretendon të anëtarësohet në strukturat evropiane. Institucionet ndërkombëtare kërkojnë vazhdimisht nga ana e tyre organizimin e zgjedhjeve të pakontestueshme dhe të pranueshme nga të gjitha palët", tha ish-kreu i Akademisë. Edhe nënshkrues të tjerë të peticionit kanë mbështetur grevën e urisë së deputetëve të Parlamentit shqiptar. Fatos Lubonja, analisti i njohur, tha se vihet re rreziku i monopolizimit të skenës politike nga dy partitë e mëdha. "Arsyeja pse e kam mbështetur është se shikoj një rrezik në rritje të monopolizimit të politikës nga dy partitë, PD-PS, që nënkupton dhe ngushtim hapësirash të lirisë, ngushtim hapësirash për të vërtetën. Kjo është në kuptimin më të përgjithshëm pse e kam mbështetur", theksoi Lubonja. Në të njëjtën kohë, ai kritikoi edhe heshtjen e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për zgjidhjen e kësaj krize politike, duke shtuar se heshtja e tyre është shenjë arrogance me të cilën kanë bërë këtë ligj. Kjo, sipas tij, është mospërfillje e opinionit publik dhe tregues i një rreziku që ato paraqesin kur nuk kanë bërë aspak dialog, kur kanë ndryshuar Kodin Zgjedhor, por kanë vendosur në mënyrë arbitrare. Ndërsa regjisori i njohur Kujtim Çashku, thekson faktin se gjithmonë e më shumë klasa politike duhet të jetë e prirur drejt filozofisë së përfshirjes dhe jo asaj të përjashtimit. "Mendoj, në të njëjtën kohë, që duhet të gjenden zgjidhje, gjithmonë formula politike që ofrojnë zgjidhje, sesa forma represive. Dhe, nga ana tjetër, ajo çfarë është më e rëndësishme, në vend të kulturës së dialogut, që duhet të zërë vendin kryesor, të mos zhvillohet kultura e ndëshkimit", theksoi Çashku.

“Befasuese heshtja e Edi Ramës”
Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Shezai Rrokaj, komenton firmën në letrën e hapur për grevën e urisë së dhjetë deputetëve, duke thënë se kreu i PS-së, Edi Rama, duhet të reagojë dhe të japë qëndrimin e tij. "Eshtë një apel qytetar, intelektual, duke marrë parasysh sfidat që ka Shqipëria për integrimin në NATO dhe BE, një thirrje të urtësh për forcat politike që të heqin dorë nga monopoli i së drejtës, sepse ajo është pjesë e çdo qytetari dhe çdo partie që ka aspirata demokratike. Aq më tepër kur mungon transparenca publike dhe transparenca për një gjë që u përket të gjithëve. Në demokraci nuk ka të fortë dhe të dobët, ka qytetarë të drejtë e të barabartë para votës. Një njeri mund të ketë të drejtën sa një komb. Befasuese është heshtja e zotit Rama. S'mund të heshtë një njeri që aspiron të bëhet kryeministër i vendit, ai duhet të rrezatojë humanizëm, mirëkuptim. Përse nuk flet".

“Kauza e grevës është e drejtë”
Analisti i njohur, Mentor Nazarko, tha dje për gazetën se kauza e dhjetë deputetëve grevistë është e drejtë, megjithëse sipas tij rruga e zgjedhur mund të mos jetë më e mira. Por Nazarko e shikon zgjidhjen te përbërja e komisioneve të administrimit të votave me jopartiakë. "Mendoj se kauza për të cilën ky grup deputetësh ka zgjedhur për t'u futur në grevë urie, është një kauzë e drejtë, pavarësisht se mendoj që forma e zgjedhur ndoshta nuk ishte më e mira. Zgjedhja e një greve urie nga deputetët që kanë një aktivitet kryesor militimin në Parlament, është dëshmi e fundit e demokracisë. A jemi vërtet në fund të demokracisë? Pse kauza e tyre është e drejtë? Mendoj se çdo sistem elektoral që nuk iu ofron mundësinë partive të vogla të bëhen të mëdha, nuk është një sistem i drejtë. Mendoj që në lidhje me administrimin dhe numërimin e votave do duhet të fitojë përfundimisht konceptimi i miratuar në Kushtetutën e 1998, sipas të cilit të gjitha komisionet e votimit duhet të jenë jopartiake", u shpreh Nazarko.

“Jo normale që nuk ka reagime diplomatike”
Një nga firmëtaret e peticionit në adresë të kreut të shtetit dhe  ambasadorëve të huaj në Tiranë, Elsa Ballauri, drejtuese e Grupit të të Drejtave të Njeriut, e cilëson të drejtë grevën e urisë dhe kërkon zgjidhjen e kësaj krize. "Peticioni ka të bëjë me mbështetjen që i bëhet një grupi deputetësh për një të drejtë të mohuar kushtetuese të tyre. Unë do të thosha që greva e urisë është një rast ekstrem, veprim që vjen nga një e drejtë që duhet respektuar. Kjo ka të bëjë me respektin e të drejtave të njeriut. Është e rëndësishme të gjendet gjuha e përbashkët, pasi greva nuk duhet të konsiderohet si inate individësh, pasi kjo krijon edhe në komunitet modele të gabuara. Nuk është normale që nuk ka një reagim dhe as diplomatike do thosha. Nuk është një zgjedhje e zgjuar mungesa e reagimit. Ajo që çudit në këtë mjedis është lehtësia për të krijuar mure hezitues dhe paragjykues në vend që të shohim problemet me fytyrën e vet dhe të përballemi me to", tha Ballauri.

“Heshtja e deputetëve eunukë të PS provon drejtësinë e grevës”

Analisti Andi Bushati argumentoi dje në një prononcim për gazetën “Panorama” pse firmosi letrën e hapur për grevën e urisë. Sipas tij, kjo grevë provon se deputetët e PS-së do e votojnë Kodin pa pasur burrërinë të thonë asgjë për grevën. Sikundër sipas tij, greva provon dhe moralin e dyfishtë të Kryeministrit Berisha. "Unë mendoj se çdokush që shpreson se duhen bërë zgjedhje të pranueshme në Shqipëri, duhet të jetë pro kësaj greve që, pavarësisht se kush e bën, pavarësisht nga background-i i të ngujuarve, është plotësisht e drejtë. Që ajo është e drejtë e provon edhe heshtja e deputetëve e eunukë të PS-së që do shkojnë në sallë të votojnë Kodin e ri, pa pasur burrërinë të thonë një fjalë pro grevës, por që qëndrojnë të tredhur e të turpëruar edhe kur u duhet të flasin kundër saj. Që ajo është e drejtë e provon edhe morali i dyfishtë dhe qesharak i Berishës, që përpiqet të përdorë si mjet të ulët shantazhin politik ndaj kundërshtarëve, një problem kaq kardinal për të ardhmen perëndimore të Shqipërisë, siç janë zgjedhjet", tha Bushati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›