Berisha prezanton projektbuxhetin: Kemi rritjen më të lartë të pagave
Qeveria demokrate ka realizuar rritjen më të lartë të pagave dhe pensioneve gjatë viteve të saj të qeverisjes. Kështu është shprehur dje kreu i qeverisë, Sali Berisha, gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2009 në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Gjatë mbledhjes, Berisha analizoi në detaje të gjitha pikat e projektbuxhetit, i cili pritet të kalojë këtë javë për miratim në Parlament. "Dua t'ju informoj se nga ky buxhet përfitojnë direkt në buxhetin e tyre familjar 800 mijë familje shqiptare. Me këtë buxhet, për gjithë punonjësit e administratës shtetërore, rritja e pagës mesatare në Shqipëri, krahasuar me vitin 2005, arrin në 67 për qind. Domethënia është shumë e madhe, sepse ne me këtë pagë mesatare, në vitin 2009 lëmë pas jo 1, por disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, me të cilat ne dikur kemi pasur një diferencë në paga, së paku 1 me 10, në disfavorin tonë", ka thënë Kryeministri. Me buxhetin e vitit 2009 infermierja që merrte 150 mijë lekë, nuk do të marrë më pak se 310 mijë lekë, pra ka një mbidyfishim të rrogës. Mjeku që merrte 190 mijë deri në 200 mijë lekë, nuk do të marrë më pak se 420 mijë lekë. Mësuesi që merrte 220 mijë lekë, do të marrë së paku 440 mijë lekë.
Por sipas tij, e njëjta politikë është ndjekur edhe me rritjen e pensioneve. "Me këtë buxhet, pensionisti i fshatit që ka marrë 34 mijë lekë pension do të marrë 72 mijë lekë, me këtë buxhet pensionisti i qytetit, të cilit i kishim premtuar se nuk do të ketë pension në qytet nën 100 dollarë, kalon në një mesatare prej 130 dollarë", ka thënë Berisha. Gjatë mbledhjes Berisha nuk ka lënë pa ironizuar edhe opozitën lidhur me deklaratat e saj për projektbuxhetin. "Unë kam 3 pyetje për kundërshtarët tanë politikë; më gjeni një qeveri të vetme në botë që të ketë rritur dhe të ketë bërë në një hark kohor sa ky i yni, dyfishimin e pensioneve në fshat, më thoni një qeveri të vetme në botë që të ketë bërë në 4 vjet dyfishimin e rrogave të arsimtarëve, të ketë mbidyfishuar rrogat e infermierëve dhe të mjekëve. Gjeni qoftë dhe përgënjeshtrimin më të vogël të këtyre rezultateve të paraqitura prej nesh", ka theksuar kreu u qeverisë demokrate.