E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reno gjen kompani partnere, siguron qëndrimin në Formula1

PARIS- Skuderia Reno nuk do të largohet nga Formula 1, pas gjetjes së një partneri nga Luksemburgu. Shtëpia franceze e prodhimit të makinave i ka shitur një kuotë të konsiderueshme të aksioneve kompanisë Genii Capital, duke siguruar në këtë mënyrë mbijetesën në garën më të famshme automobilistike. Nëpërmjet një komunikate zyrtare Reno bëri të ditur se kontrata do të nënshkruhet në fillim të vitit 2010 dhe se është arritur akordi që skuderia të ruajë emrin, identitetin dhe elementët bazë që e udhëhoqën drejt titullit në vitet 2005, 2006. Po ashtu, skuderia do të vazhdojë të furnizohet me motorrë nga fabrika franceze. Genii Capital është e specializuar në teknologjitë e reja. “Jam i lumtur që kjo kompani bashkohet me ne, entuziazmi dhe eksperienca e këtyre njerëzve do të krijojë një dinamizëm të ri në skuderinë tonë”, tha presidenti i Renosë Bernard Rei. “Së bashku mund ta ngremë Renonë në nivelet më të larta në Formula 1”, shtoi numri 1 i skuderisë franceze. Reno ishte një nga 3 skuderitë që kishte njoftuar largimin nga Formula 1 në dy vitet e fundit, pas Hondës, Tojotës dhe BMV-së. Rikthimi i saj është një lajm pozitiv për sportin e automobilizmit, ndërkohë që duket si një rilindje për skuderinë franceze pas skandalit të verës, që çoi në largimin e Flavio Briatores.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›