E Shtunë, 31 Tetor 2026

Replika në Kuvend/Berisha: Rama dhe deputetët e tij, 1 prillin e kanë në 365 ditë të vitit

02-04-2013 / Gazeta 55

“Reformat e qeverisë janë për të ndihmuar qytetarët, politika realiste për rritjen e prodhimit dhe nxitjen e punësimit”

Kryeministri Sali Berisha mohoi dje në Kuvend, akuzat e opozitës për rritjen e kriminalitetit në vend si dhe për politikat ekonomike të qeverisë, në zgjerimin e të gjitha kategorive të rimbursimeve, për të papunët, për ndihmën ekonomike, etj.
Në përgjigje të deklaratave të kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, mbi mosmbajtjen e premtimeve të programit qeverisës, Berisha tha se, “deputetët e Edi Ramës në Kuvend janë deputetë që 1 prillin, ditën e gënjeshtrave, e kanë në 365 ditë të vitit. Për këta shokë, 1 prill është çdo ditë e vitit, çdo natë e vitit. Nuk kanë faj, fajet i ka Nastradini në krye të tyre”.
Sipas kryeministrit Berisha, “shkalla e zbulimit të autorëve të veprave penale është një nga më të lartat në Europë”.
Ai theksoi se, “paketa ligjore që kemi sjellë në Kuvend për disa ndryshime në Kodin Penal do të jetë përgjigja më e mirë ndaj krimit dhe kriminalitetit. Ne sollëm këtu një paketë ligjore që synon të ketë fuqi parandaluese ndaj krimit në familje, i cili ka një rritje në tërësi. Rritja e kriminalitetit i detyrohet krimit në familje, ndaj dhe ne përcaktuam ndryshimet përkatëse në Kodin Penal, në mënyrë që ai që ekzekuton njeriun e familjes të ketë ndëshkimin që meriton”, tha Berisha.
Lidhur me heqjen e TVSH-së, Berisha i cilësoi si katastrofë premtimet e socialistëve se, do të hiqnin TVSH-në për importin e prodhimeve bujqësore.
“Ne hoqëm çdo taksë, jo për importin e prodhimeve që i prodhojmë vetë, sepse ju donit të hiqnit TVSH-në e vezëve dhe qumështit të importit, që këtu të vijnë kontenierë me qumësht pluhur dhe të falimentonin fermerët shqiptarë”, tha Berisha, duke shtuar se “politika jonë është nxitja e prodhimit në vend”.
Për sa i përket sistemit të sigurimeve shoqërore, Berisha tha se “ligji ka 3 vjet që qëndron në Kuvend, ndërkohë që është përgatitur nga ekspertët më të shquar të botës. Ne mund ta miratojmë edhe vetë këtë ligj, por reforma  e sigurimeve shoqërore nuk është reformë e një dekade, por është reformë e 5 dekadave dhe pavarësisht se nuk është e shkruar, ajo duhet të jetë konsensuale”, tha Berisha, ndërsa ftoi opozitën që ta votojë këtë ligj.
Lidhur me pretendimet e opozitës për mosmbajtjen e premtimeve në disa vepra të rëndësishme infrastrukturore, Berisha tha se rruga Qafë Plloç-Qukës është në prokurim e sipër në 4 lote, ndërsa për sa i përket boshtit të jugut, në trajektoren e tij është përfshirë ndërtimi i një vepre madhore siç është rruga Tiranë-Elbasan. “Edhe për rrugën e Arbrit janë ndërtuar dhe do të përfundojnë së shpejti 34 km”, tha ai. Kryeministri solli në vëmendje edhe politikat e qeverisë për rritjen e pensioneve, ndërsa siguroi se në kuadër të çështjes së pronave do të votohet shumë shpejt në Kuvend ligji për legalizimin e banesave, që janë ndërtuar nga viti 2006 deri më sot.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›