E Shtunë, 31 Tetor 2026

Replikat e Berishës me deputetët

Mënyra e zgjedhjes së Presidentit dhe sistemit zgjedhor ka përplasur dje fuqishëm deputetët e PD-së. Debate të ashpra kanë karakterizuar mbledhjen e Partisë Demokratike, e cila ka zgjatur rreth 180 minuta. Përplasje e fuqishme politike mes Kryeministrit Sali Berisha dhe deputetit të PD-së, Besnik Mustafaj, në mbledhjen maratonë të grupit kuvendor demokrat lidhur me paketën me të cilën partia më e madhe në vend do të përfaqësohet sot në Kuvend. Ish-miku më i mirë i Berishës ka argumentuar në grup edhe arsyet pse nuk është dakord me paketën që ka propozuar PD-ja për ditën e sotme mbi ndryshimet kushtetuese. Sipas Mustafajt, kjo paketë nuk i shërben Partisë Demokratike, sistemi i zgjedhur nga PD-PS është i nxituar dhe këto pika nuk janë diskutuar në transparencë të plotë me grupin e PD-së. Kryeministri Berisha ka vendosur të bëjë sipas kokës së vet, duke theksuar se në Kuvend do të kalojë varianti i zgjedhjes së Presidentit me shumicë të thjeshtë. Mustafaj ka kundërshtuar idenë e Berishës, megjithëse e cilëson veten në minorancë. Sipas tij, kjo reformë nuk i është nënshtruar një debati politik dhe është bërë pa juristët më të mirë të vendit dhe pa miratimin e Komisionit të Venecias, kjo e fundit lidhur me ndryshimet në Kushtetutë. Edhe deputeti tjetër i PD-së, Dashnor Sula, ka deklaruar votën e tij kundër ndaj nenit 87, duke theksuar se Presidenti nuk është sekretar partie që të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Mustafaj dhe Sula kanë qenë të vetmit që kanë deklaruar votën kundër ndaj nenit 87, por kundërshtitë më të mëdha Partia Demokratike dhe vetë Kryeministri Berisha pritet t‘i shikojnë në fletët e votimit në Kuvend, ku sipas burime brenda PD-së, rreth 20 deputetë të këtij grupi do të jenë kundër vendimit të Berishës. Grupi i PD-së nuk ka mundur dot dje të gjejë konsensusin e plotë lidhur me paketën kushtetuese, lidhur me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit. Kreu i grupit kuvendor të PD-së, Astrit Patozi, ka bërë me dije pas mbledhjes së grupit se sot në Kuvend do të votohet paketa e miratuar në Komisionin e Ligjeve për zgjedhjen e Presidentit me shumicë të thjeshtë. Gjithsesi, Patozi ka pranuar faktin se nuk ka pasur konsensus mes grupit të PD-së për zgjedhjen e Presidentit. Pasiguri në radhët e PD-së për të miratuar paketën kushtetuese. Mes grupit të PD-së duket qartë se nuk ka unison për të shkuar me një vendim të përbashkët në Parlament lidhur me nenin 87.

Mbledhja e PD-së

Lideri i PD-së ka mbledhur urgjentisht grupin e tij parlamentar për të biseduar lidhur me nenin e krizës që përcakton mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm. Përplasjet mes kampit blu do të vihen re në luftën e votave sot në Kuvend. Pretendimi që Kryeministri Sali Berisha ka ngritur në grupin e PD-së lidhet me faktin se mazhoranca dhe opozita kërkojnë heqjen e vulës së Dushkut që ka damkosur vendin. Berisha ripërsëriti dje faktin se PD dhe PS kanë qëndrim të njëjtë për reformën zgjedhore. Ndryshimet do të shkojnë ditën e sotme në sallën e Kuvendit dhe kërkesa e ndërkombëtarëve është vetëm konsensusi. Nga dy variante të mbetura në fuqi, Patozi u shpreh se do të votohet vetëm për variantin që Presidenti të zgjidhet me votim të thjeshtë. Varianti i parë është i firmosur nga disa deputetë që të jetë Kuvendi që të zgjedhë Presidentin me 71 vota, duke rrëzuar kështu nenin 87, për zgjedhjen e Presidentit me 3/5 e Kuvendit. Dy kampe të ndryshme rivale brenda PD-së konfirmojnë gjëra të kundërta lidhur me votimin e sotëm. Njëri kamp është shprehur se sot në Kuvend do të ketë një tërheqje të disa deputetëve për të zgjedhur Presidentin nga populli. Ndërsa firmëtarët për zgjedhjen e kreut të shtetit nga populli konfirmojnë se do t‘u shkojnë deri në fund propozimeve të tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›