Reportazh me zgjedhje nëpër këmbëNga Ardit RadaQyteti i Lushnjës nuk është dosido. Kur hyn këtu, të pret një banderolë kapur në dy palma paralele në anët respektive të trotuareve, ku shkruhet “SHQIPËRIA PO NDRYSHON”. Kjo banderolë pasohet nga një tj
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Reportazh me zgjedhje nëpër këmbëNga Ardit RadaQyteti i Lushnjës nuk është dosido. Kur hyn këtu, të pret një banderolë kapur në dy palma paralele në anët respektive të trotuareve, ku shkruhet “SHQIPËRIA PO NDRYSHON”.
Kjo banderolë pasohet nga një tjetër dhjetë metra larg apo, e thënë ndryshe, dy palma më tutje, me të njëjtat përmasa, ku sigla “VOTO EDI RAMA” është me ngjyra të ndezura. Nuk ka dyshim se gjithkush që hyn në Lushnjë pret të gjejë një atmosferë të ndezur paraelektorale ndërmjet dy partive të mëdha motra që dikur dolën nga e njëjta nënë e më pas e bënë hasha njëra-tjetrën.
Sapo hyn në qytet, pasi kalon Urën me Flutura apo “përroin” (të dy emrat e lagjes qëndrojnë për banorët), në tarracën e lokalit të parë që të del përpara dhe që mban mbiemrin e ish-deputetit të ndjerë socialist, “KORRESHI”, gjen dy flamuj të Partisë Lëvizja e Legalitetit. E pazakontë kjo shfaqje në kryeqytet dhe qytetet e mëdhenj. Në mes të dy flamujve sheh banderolën e Myslim Murrizit, kandidatit të kësaj partie. Sipas tregimeve, Myslimi është ish-fshatar nga Çermë-Sektor, kushëri i parë i Ali Murrizit, i njohur ndryshe si Ali Kali i Divjakës, ish-eksponent i Partisë Demokratike që në një moment të caktuar e ndërroi doktorin me Ekrem Spahinë, pasi kuptoi se monarkia e nxirrte popullin në dritë dhe jo republika. Por Myslimi s’është i vetmi që garon në këtë qytet. Në berberhanen përbri KORRESH-it gjendet posteri i Robinson Lipes.
Robinsoni apo Soni, siç e thërret i tërë qyteti, është qytetar lushnjar, ish-mjek në Fier-Shegan dhe aktualisht drejtor i spitalit të qytetit. Ky fshat që mban në përbërje emrin e një qyteti tjetër nuk ka lidhje fare me këtë të fundit. Ai ndodhet midis Lushnjës dhe Beratit. Që të kthehemi te Soni, ai ka një jetë të trazuar dashurore që prej kohës së komandantit legjendar, derisa zuri karar në tranzicion me një vajzë që e donte, por e la dhe e mori prapë për të mos e lënë më kurrë. Robinsoni, ndryshe nga Myslimi, ka moton e tij “Sot në NATO, nesër në BE!”
Robinsonin e duan të gjithë. Foton e Sonit e gjen në çdo Fast-Food, ngjitur në xhamet e berberëve dhe në stendat e tregut të fruta-perimeve. Soni është më i ri se Myslimi, jo vetëm për shkak të emrit, por për çështje të Allahut.
Soni s’e ka ndërruar kurrë partinë, ndryshe nga Myslimi. Soni s’ka asnjë kushëri në Fier-Shegan, por e kishte caktuar shteti të punonte atje, ndërsa Myslimi ka kushërinj në Çermë-Sektor dhe e ka caktuar partia të jetojë në Lushnjë. Por unë besoj se ia kanë pasur me të keq. Përderisa Myslimi është monarkist, duhet të rrinte në Çermë apo një fshat ngjitur si Divjaka. Atje ka kushëririn e tij dhe detin. Kështu do ishte më pranë Lartmadhërisë së Tij, Leka Zogu I, se kot nuk thonë “Afër detit, afër mbretit!”
Kur i hyn më thellë qytetit, sërish syri të sheh vetëm fotografitë e Myslimit dhe të Robinsonit. Robinsonin e gjeta madje dhe në xhamin e kompanisë së sigurimeve SIGAL. Këtu s’e mbajta dot veten e ironia, në vend që të më bënte të zgërdhihesha, më ndezi fantazinë. Eksponenti i Partisë Republikane që reklamohet nga një kompani sigurimesh. Hej Zot! Partia e ish-ministrit Mediu i cilësuar nga opinioni publik si vrasës në seri dhe shfarosje në masë në fshatin Gërdec reklamohet nga një kompani serioze sigurimesh. Për sa i përket korrupsionit të bërë në atë fshat fatzi dhe më gjerë, nuk po flas, se ma ka marrë stafetën Anila Basha e “Gazetës Shqiptare”. Kur e pashë foton e Sonit te SIGAL, më vinte t’i shtoja motos së tij edhe pak fjalë të tjera. Për shembull, “Dje në GËRDEC, sot në NATO, nesër në BE!” Kështu do t’ia pasuroja zinxhirin e reformave CV së Fatmir Mediut.
Po si mund të reklamohet në një kompani sigurimesh partia që tregoi se siguria në punë është zero dhe jeta e shqiptarit është në fije të perit...?! Nejse, i zoti e di ku i pikon çatia.
Megjithatë, nëse do më duhej të zgjidhja midis Robinsonit dhe Myslimit, sigurisht që i pari bën më shumë sens. Ai është kundër kultit të individit dhe shumë i thjeshtë aq sa në posterin e tij përveç të tjerash shkruan se duhet votuar Robinsoni - Djali juaj lushnjar. Myslimi mban portret 2 metra katrorë të mbretit të mbetur në tentativë dhe e përmend emrin e PLL kudo, në çdo poster dhe billboard, ndërsa Soni as nuk do t’ia dijë.
As Fatmir Mediu e as emri i partisë nuk përmendet gjëkundi. Vetëm moto dhe logo të bëjnë të kuptosh që është i Partisë Republikane. Robinsoni madje nuk ka as zyra elektorale. Ka vetëm Fast-Food-et, kompanitë e sigurimeve dhe berberët. Myslimi ka nja dy kafene, tri zyra të tijat dhe një shkollë private 9-vjeçare që reklamon kandidatin në fjalë. Emri i shkollës është “Nënshkruesi i Pavarësisë”. Për nënshkruesin thuhet se njihet si tradhtar i Atdheut dhe mbiemrin e ka Sefa, por, meqenëse nipërit i ka të pasur dhe fati e donte që ta hidhte dhe ai një firmë në 1912 në Aktin e Pavarësisë, edhe shkolla duhej ndërtuar, po dhe emri duhej zëvendësuar me një llagap tjetër. Kështu, edhe mishi piqet, edhe helli nuk digjet për lushnjarët.
Po me partitë e famshme ç’po ndodh në Lushnjë? Të ishte gjyshja ime, ndjesë pastë, do thoshte se “po bëjnë një vërë në ujë”, por unë po i shkruaj 3 rreshta për to. Sa për fillim, LSI dhe G99 nuk figurojnë fare. Kur them fare, domethënë hiç. Kandidatët e PS, PD, G99 dhe LSI nuk dihen se cilët janë, pasi nuk kanë asnjë fotografi apo emër të varur gjëkundi. Asnjë shenjë e ekzistencës së tyre në këtë qytet. Partia Socialiste ka hapur 6 zyra që më pas i ka shndërruar në lokale, ku rrinë burra që pinë raki ose birrë e luajnë domino, ndërsa Partia Demokratike ka hapur më shumë zyra se socialistët. Në fillim me idenë e zyrës elektorale e më pas edhe ajo i shndërroi në lokale, por së fundmi i ka rënë hiles. Ato janë kthyer në agjenci turizmi. Po, po, turizmi. Partia Demokratike në Lushnjë organizon udhëtime Lushnjë-Durrës-Kalimash. Nis autobusë nga qyteti me ish-të përndjekur të moshave 30-50 vjeç për të vizituar mrekullinë e tetë të botës. Ndërkohë, ish-kandidati i kësaj partie, Ilir Bano, u vjen njerëzve vërdallë nëpër kafenetë e qytetit si Xhebrail Emini. Dje madje e kisha ngjitur te piceri “Arifi” me reklamën e tij shkruar ngushtë e ngushtë: “FURA-DRUR tel 20622”.
Bano për të shfaqur koherencën e njeriut të politikës që detyrimisht duhet të jetë i pasur, po pinte Red Bull, nga ai që të bën me krahë. Kaq për partitë e mëdha! Më shumë s’dinë të tregojnë as vetë banorët. Në fund të fundit, qyteti i Lushnjës nuk është dosido!