Të zgjedhurit, shpenzimet, shtetiNga Gjovalin VataFilloi në media fushata elektorale me zhurmën e bujshme të sondazheve dhe djallëzisht tentohet të zbehen ngjarjet shkatërruese e korruptive të Gërdecit, Jalës, Arsidit, Albtelekomit, vrasjet e dëshmit
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Të zgjedhurit, shpenzimet, shtetiNga Gjovalin VataFilloi në media fushata elektorale me zhurmën e bujshme të sondazheve dhe djallëzisht tentohet të zbehen ngjarjet shkatërruese e korruptive të Gërdecit, Jalës, Arsidit, Albtelekomit, vrasjet e dëshmitarëve etj. Këto janë për ata që qëndrojnë gjithë ditën para ekraneve dhe lexojnë gazetat.
Për të tjerët fushata e ka drejtimin e saj kurorëzues tashmë. Në zgjidhjen e enigmës së rezultatit të zgjedhjeve ndihmon shumë formula “Autogoli Wolf ” që do e shtjelloj më poshtë. Shqipëria, duke qenë një vend i vogël, ka qenë historikisht një pre lakmish të vendeve fqinj.
Historia botërore dokumenton mjaft raste, kur shtetarë, të cilët kanë nuhatur rrezikun e humbjes së fronit, kanë pranuar që të bëhen vegla të shërbimeve të huaja sekrete në shkëmbim të mbështetjes për privilegje pushtetare dhe pasurim familjar. Një fenomen i tillë, kur ndodh, është me pasoja, jo vetëm në një vend të vogël si Shqipëria, por nganjëherë është influencues dhe përcaktues edhe për vende të mëdha. Kështu p.sh., mund të sjellim shembullin e ndodhisë në Gjermaninë Perëndimore, kur kancelar ishte Willy Brandt. Brandt është i pari kancelar pas Luftës së Dytë Botërore që ideoi Ostpolitikën dhe vizitoi i pari Berlinin Lindor, Moskën dhe Varshavën. Për Ostpolitikën e filluar meritoi çmimin Nobel në vitin 1971.
Kjo iniciativë e hollë diplomatike ishte hapi i parë në procesin e gjatë drejt bashkimit të Gjermanisë. Por drejtimi i politikës së tij fillimisht hasi shumë kundërshtime nga forcat e tjera politike në vend. Kështu, situata politike e solli që në prill të vitit 1972 u kërkua votëbesimi i qeverisë së Brandt-it në parlament. Situata ishte mjaft kritike, sepse balanca e votimit varej në 1-2 vota për të siguruar shumicën votëbesuese.
Këtu u shfaq dora e fshehtë e kundërzbulimit gjermano-lindor (Stasi) me në krye Markus Wolf i mbiquajtur “Njeriu pa Fytyrë”. Wolf u pagoi nga 50 mijë marka 2 deputetëve gjermano-perëndimorë, Julius Steiner e Leo Wagner (më pas të dënuar me burg), që të votonin pro kabinetit duke mundësuar vazhdimin e Brandt-it kancelar. Pikësynimi i shërbimit të fshehtë, Stasi, ishte penetrimi i agjentëve të tij në rangje sa më të larta. Kështu, mbas votëbesimit të suksesshëm të kabinetit të Brandt-it në parlament, Stasi e intensifikoi punën në rrethanat e krijuara dhe arriti që një agjent i tij të bënte pjesë në këshilltarët e afërt të Kancelarit Brand.
Agjenti u zbulua dhe Willy Brandt dha dorëheqjen në maj 1974. Me dorëheqjen e Brandt-it procesi influencues i ribashkimit, në kah pozitiv për interesat gjermane, u ngadalësua mjaft. Vlera e asaj nisme diplomatike të ideuar nga Brandt-i duhej të zotëronte si vlerë gjermanike nga të dy anët e perdes. Tek ajo ishte perspektiva e bashkimit kombëtar, ndërsa vlera e spiunit të Wolfit ishte në shërbim të një dogme ideologjike dështake.
Në vitin1997, kur Markus Wolf u pyet në gjyqin e zhvilluar ndaj tij në Berlin mbi rolin e Stasi-t, jep këtë përgjigje: “Shërbimi sekret duhet të jetë aq inteligjent, në mënyrë që të mos pengojë me ndërhyrjen e tij një proces historik që zhvillohet në interes të kombit. Ne absolutisht nuk kishim pikësynim dorëheqjen e Brandt-it. Dorëheqja e Kancelarit Brand përbën autogolin e vetëm në gjithë lojën e Stasi-t dhe kjo është përgjegjësia ime individuale, që solli si pasojë vonesën e bashkimit të Gjermanisë”.
Natyrshëm lind pyetja: A kemi ne shqiptarët një Shërbim Informativ Kombëtar që mbron interesat jetike të popullit tonë, të cilat në raste të caktuara janë dëmtuar nga veprime të politikanëve në këto vite tranzicioni? Shërbimet inteligjente janë veçanërisht aktive në prag ndryshimesh të pritshme elektorale. Rezultati i zgjedhjeve përcakton edhe vazhdimin e një status quo-je shoqërore apo në të kundërt një nisje të re për ndërtim institucionesh në shërbim të popullit.
Le të kujtojmë për një çast sa raste të tensionuara votimesh ka pasur Kuvendi shqiptar në këto dy dekadat e fundit. Si me një shkop magjik është gjendur 1 e ndonjëherë 3-4 deputetë, të cilët me votën e tyre kanë ndihmuar pro ose kundër aprovimit të një ligji e votëbesimi qeveritar. Pyesim: A është bërë ndonjëherë zhbirimi i arsyeve nxitëse të këtij veprimi nga shërbimi inteligjent për të parandaluar një dëm kombëtar? Dogmatizmi i 50 viteve na mësoi që të quajmë dëm kombëtar “kur na afrohet kërcënueshëm ushtria e huaj në kufi”.
Mirëpo dëmi i vërtetë kombëtar në kohën e Evropës së lëvizjes së lirë të njerëzve është ai veprim i qeverisë, i një qeveritari, i një deputeti, i cili bie ndesh me këtë kahje zhvillimi, i cili bën që njeriu shqiptar të largohet sa më shumë nga kjo e drejtë si pjesëtar i këtij kontinenti. Dëm kombëtar është edhe atëherë kur krijohen të gjitha shtigjet për miratime të drejtash, që emisarë të huaj të diktojnë me synimet e tyre të mbrapshta ndaj qeveritarëve tanë në mbledhje qeverie, të diktojnë në mbyllje sysh përpara dramash shoqërore që kanë të bëjnë me ndjenjat shpirtërore dhe moralin shoqëror tradicional të popullit. Dëm është edhe atëherë kur shteti qëndron si qyp, ndërsa qytetarët e tij qëndrojnë si bagëtitë radhëve të pafund nëpër dyert e ambasadave etj., etj. Veçanërisht kohët e fundit media shqiptare ka publikuar disa herë një listë emrash me figura të njohura publike shqiptare, si nga politika, ashtu edhe nga media e jeta shoqërore, me pseudonimet përkatëse përbri në dosjet e Sigurimit. Asnjë reagim zyrtar. E gjithë kjo ka një pasojë - koherencën e veprimeve të politikanëve e zyrtarëve të lartë, në bllok, për të mbijetuar dhe vazhduar në të njëjtin drejtim. Edhe sikur të ketë të vërteta, rezultati është në funksion të forcimit të radhëve, të unifikimit të taktikave vepruese të këtij grupi uzurpues dhe drobitës të jetës dhe politikës shqiptare.
Po të shohim historikisht, jeta shpirtërore, mentaliteti shoqëror shqiptar është gjendur më komfort me mënyrën e jetës dhe mentalitetit perëndimor, veçanërisht atij italian e më gjerë. Mirëpo brutalisht në dekadat e fundit është politika shtetërore shqiptare ajo që i është kundërvënë kësaj kahjeje zhvillimi shoqëror. Ajo është imponuar me kontakte dhe thithje investimesh shumë dyshuese, marrëveshje ekonomike të fshehta që thyejnë embargo, vrasje aksidentale figurash politike që në dukje ofrohen nga politika shtetërore si me shkaqe banale personale, me borxhe parash të pakthyera etj., etj., të cilat e orientojnë domethënien e tyre negative drejt vendeve, me të cilët kemi kufij tokësorë.
Kësaj kahjeje procesi zhvillues të politikës shqiptare shërbimet e fshehta të vendeve në fjalë ua bëjnë shërbimin me të gjitha potencialet e tyre në shërbim, veçanërisht me politikanët deputetë, numra votash. Në sytë e opinionit publik bëjnë mu’ raste njerëzish që vijnë në politikë, në parlament apo funksione shtetërore të larta dhe brenda një kohe të shkurtër shfaqen në sytë e njerëzve duke bërë një jetë mondane, me shpenzime turistike shumash të habitshme, shfaqen befasishëm partnerë në kompani private të vendit e të huaja, zotërues pronash që deri dje as që u afroheshin dot etj., etj. Lind natyrshëm pyetja: A ka këllqe dhe forcë kundërzbuluese “Shërbimi sekret shqiptar”, që të na japë emra konkretë funksionarësh nga këta që përmendëm më lart për të ardhurat e tyre?
Pa dyshim që një pjesë të madhe të shpenzimeve vetjake e familjare ata i mbulojnë me paratë e ofruara nga shërbimet sekrete të vendeve fqinjë për interesa territoriale dhe tentativa penguese të përparimit ndaj vendit tonë. Një herë që tentoi ta bënte shërbimi sekret një gjë të tillë me rastin e 5 minoritarëve, i diktuar përdhunisht nga politika personale e presidentit, nuk bëri tjetër veç shpejtoi një veprim zinxhir diskreditues të madh të fqinjëve ndaj vendit tonë.
Të asaj periudhe janë figurat që anatemoi presidenti Berisha, deri edhe tradhtarë të kombit, të shitur te greku, si Arben Imami, e të tjerë frymëzues, sipas tij, të revoltave të ‘97.
Paradoksalisht, Imami është ai që mban çelësat e kabinetit të Berishës sot. Sa shumë i nevojshëm na qenka ky lloj tradhtari pompoz për organizimin e punës në Kryeministri, ashtu sikurse nuk çudit sjellja me lëvizje si lavjerrësi e mocionistëve dhe dallkaukëve politikë, Ceka, Zogaj, Ruli, Pollo, Milo, Shehu, Ndoka etj. Ose shqiptarët që ka përreth janë teveqelë e të përdhunuar deri në humbje totale të zërit të ndërgjegjes dhe të tilla përçudnime u janë bërë pjesë e personalitetit të tyre amorf, ose Ai që dikton me kërbaçin dhe jeton me krimin është në krye të një rrjeti gjarpërinjsh që kanë mbështjellë qafat e shqiptarëve të mjerë e i tërheqin turpërisht udhëkryqeve të historisë. Vetëm kështu shpjegohet kuraja prej vagabondi politik e kryeministrit që deklaron se - “po, e theva embargon për të ndihmuar Kosovën” - ndihmë që me veprimet e tija të vazhdueshme ka qenë thikë në shpinë për bashkatdhetarët.
Ka një paradoks - Diaspora e largët ia pranon të gjitha marrëzitë me të vetmin argument se e kemi nga Tropoja dhe mbas 50 vjetësh larg vendit, më në fund kemi një Bajraktar tonin në Tiranë. Ata të kuqtë që i morën pushtetin ia kishin me hile, se i toleroi shumë duke i mbajtur afër gjithë kohën, thonë me fytyrat e ndezura zjarr. Nuk dallojnë dot akoma se Bajraktari me langot e tij për të mbajtur pushtetin, pasuruar dhe vjedhur lart e poshtë, jo vetëm njeri-tjetrin e mbajnë, por edhe me djajtë bëjnë ujdira. Skena vërtet të shëmtuara krijohen në ambientet e diasporës, kur, sapo njoftohen se do vijë ndonjë politikan i afërt i Berishës nga Tirana, njerëz të caktuar fillojnë fushatën e donacioneve dhe paratë e grumbulluara në valixhe i dorëzohen emisarit si njëherë e një kohë në ilegalitet. Se ku përfundojnë këto valixhe, merret me mend, përderisa nuk ka veprime zyrtare transparente.
Vizita e fundit e Berishës në Uashington është dëshmia më e mirë e këtij pohimi. Në anën e jashtme, në dukjen protokollare qeveritare, presidenti humbiste shumë duke u shfaqur përkrah me Mediun, i cili nuk ka aktualisht funksion shtetëror, por shoqëruesi Mediu kishte një detyrë delikate për të përmbushur. Ishte ai njeriu i besuar, të cilit duhej t’i dorëzohej valixhja me paratë që do përdoreshin nga kryeministri antikomunist i flaktë për luftën e pandërprerë në zhvillim të demokracisë shqiptare, e cila kërcënohet në çdo hap të saj nga krahu i majtë i politikës së Tiranës. Kjo gjë eklipsonte diskreditimin publik të kryeministrit në shoqërinë e tij. Këtë funksion kryen Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes që rezultoi “ministri i vdekjes”, kur është fjala për vizitat në diasporën e përtej Atlantikut, sepse për vizitat në vendet arabe të VIP-ave tanë, si Topalli kokëmbuluar me shami së fundi në Arabinë Saudite, në Lindjen e Mesme, vendet arabe etj., valixhet i dorëzohen VIP-it direkt në dorë duke u bërë pjesë e bagazhit të tij personal. Sjellje të tilla që u japin vetësiguri VIP-ave tanë shpjegojnë edhe metamorfozën e kryetares Fina Topalli në këto vite marrje fuqish. Nga ardhja në funksionin e kryetares e deri tani buzëqeshja e saj nga një shprehje sinqeriteti fytyre në fillimet e karrierës tani në ditët e Gërdecit na shfaqet me një buzëqeshje ekstazike që të sjell në mend proverbin e popullit me çupën që krihet dhe fshatin që digjet.
Para një viti një analist e ish-drejtor i ATSH, ish-kryeredaktori i RD dha një intervistë në shtyp, ku mes të tjerash bënte fjalë për valixhe diplomatike me valutë që vinin nga vendet arabe dhe përfundonin në duart e pastra të bosëve partiakë shqiptarë. Ish-kryetari socialist, Nano, që ia krehin shumë bishtin sahanlëpirësit e tij, ata që kruanin prapanicat nëpër karrige, kur ai u hidhte fëlliqësira në fytyrë e tani e presin me zjarrmi, pas buzukëve e ka kthyer rrugëtimin tani drejt vendeve gjermanike. Pasi i fryu xhepat me verdhushka e xhevahire, tani e ka kuptuar se, që të bëhesh president, duhet vizituar më shumë Berlini e Vjena, se izmën e Athinës e ka të siguruar. Në sferat e shërbimeve sekrete i jepet rëndësi e dorës së parë, asaj që e quajnë Platforma e Krimit të Bardhë, si paraprirëse e Krimit Blu. Me krimin e bardhë nënkuptojnë krijimin e shtratit për përvetësime të paligjshme të zyrtarëve, ofrimin atyre në situata kritike familjare të parave të nevojshme, krijim lehtësirash antiligjore për marrje diplomash universitare për fëmijët, mbulime shpenzimesh kapriçoze të grave e fëmijëve të tyre, përfshirja e vetë politikanëve në dëfrime korruptuese, informim i tyre për situata delikate kompromentuese të kolegëve dhe shfrytëzim më pas në mënyra të pamëshirshme shërbimesh, përfshirjen e fëmijëve të qeveritarëve parellinj në rrjetin e drogës e më pas detyrime shtrënguese ndaj prindërve etj., etj.
Sa më i suksesshëm realizimi i krimit të bardhë, aq më shumë futet komuniteti në krimin blu - krimin me marrjen e jetës së njerëzve. Ata indeksojnë shkallën e dënimit për krimin e bardhë si tregues për krimin blu. Vjen duke u ulur ky raport në varësi të - sa më rëndë dënohet krimi i bardhë, aq më shumë lehtësohet shoqëria nga krimi blu. Të gjithë ata me sy e veshë që jetojnë në Tiranë, që shkruajnë nëpër gazetat kryesore, që ligjërojnë analizat e tyre politike në ekranet televizive kombëtare e private pohojnë me gojën plot se zhvillimi i tranzicionit torturues shqiptar nga klasa e quajtur politike shqiptare, ka një kahje drejtimi në funksion të qëllimeve të mbrapshta, nga ana e vendeve fqinje si Serbia dhe Greqia.
Përderisa vetë individë nga klasa politike shqiptare e kryejnë më së miri këtë shërbim në favor të vendeve fqinje, atëherë edhe vazhdimësia e kësaj politike katrahure shoqërore, do sigurohet nëpërmjet të të njëjtëve elementë dominues edhe në parlamentin e ri, të rizgjedhur me votën e popullit dhe të blerë me paratë e fshehta, të padeklaruara e të paargumentuara konform ligjeve të shtetit. Domethënë, sondazhet do e bëjnë zhurmën, por rezultati i zgjedhjeve është i paravendosur në ato zyra e skuta jashtë vendit nga ku shpërndahen paratë aq të nevojshme për jetën luksoze të politikanëve tanë. Kur je përdorur si instrument, mos prit që të mbarojë muzika. Vendet e interesuara janë aq të mëdha, mjaftueshëm, sa edhe financiarisht e prostituisht mund të blejnë nga këta lloj birbo deputetë që ka Kuvendi shqiptar e politika e zyrave shqiptare dhe t’u diktojnë interesat e tyre. Logjika krahasuese e fakteve dhe sjelljeve të figurave publike natyrshëm orienton drejt një peri të kuq që mbështillet e lëshohet sipas rastit në një çikrik, i cili është i vendosur në këmbalecin e vendit fqinj verior. Nga ky vend jo rrallë kanë ardhur mesazhe që kanë gjetur si zëdhënës njerëz të letrave, si Klosi, Mustafaj etj., të cilët nuk kanë hezituar të lëshojnë vrer ndaj personaliteteve simbole të kombit. Para rreth dy muajsh e gjysmë, akademiku Qosja, në një intervistë vinte në dukje dëmin e madh që i ka shkaktuar Berisha vendit me mënyrën e tij të qeverisjes. Në këtë intervistë na ka habitur pak me një pasazh, ku ndërsa shfaq butësi ndaj Nexhmije Hoxhës, praktikisht e merr në mbrojtje atë. Gjithë mllefin dhe egërsinë e shfaq ndaj shkrimtarit Ismail Kadare. Shumë kohë më parë, kur populli kërkonte dënimin e bashkëshortes së diktatorit e të Ramiz Alisë me të tjerë për krime ndaj popullit të kryera në 45 vjet diktaturë, akademiku Qosja ishte nga ata zëra të fuqishëm që shprehu keqardhje të madhe, kur burgosën Nexhmije Hoxhën. Ndërsa në një vend si Kili, me 15 vjet diktaturë për krimet e kryera, kërkohej dënim me burg të përjetshëm ndaj Pinoçetit, te ne inati antikomunist i Berishës shkoi deri te dënimi për kafetë. Thua se e keqja e diktaturës komuniste te ne paskësh qenë te disa abuzime pritje përcjelljesh, shpërdorime të pasurisë së popullit të ngjashme me ato të një magazinieri të NTUS. Ky shërbim i diktuar që iu bë klaneve të caktuara brenda e jashtë vendit krijoi të çarën e madhe, mungesën e besimit midis shtresës së të dënuarve politikë shqiptarë, masës së popullit që kërkonte ndëshkim të krimit me politikën devijuese që po ndiqte lidershipi i PD, kryesisht Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, të Penetruarit me detyra specifike.
Tani që akademiku Qosja reagon në këtë mënyrë për Nexhmije Hoxhën, më vjen logjikshëm në mendje fakti tjetër i kohëve të fundit. Kur Ramiz Alia bëri vizitën së fundi në Kosovë, shoqërues i tij ishte edhe profesor Qosja. Kur shtrohen këto fakte dhe gjykohet për njerëzit, autorë të tyre, atëherë vendosesh në një këndvështrim gjykues, ku të duket se raporti i krijuar midis Prof. Qoses dhe klanit Hoxha-Alia është i njëjtë me atë raport që krijohet, kur dora qëndron brenda në dorashkë. Në librin e tij, ku shpalli programin e largimit të shqiptarëve nga trojet e tyre më 1937, Çubrilloviçi shprehet: “Me një qese me verdhushka spiunazhi mund të bëj ç’të dojë, të blejë bashkëpunëtorë, të vrasë e shkatërrojë në mes të sheshit në Tiranë”.
Urojmë t’u jetë zvogëluar buxheti rekrutues i verdhushkave! Vend i varfër jemi, por kemi politikanë që jetojnë për shumë muaj jashtë vendit në hotele luksoze, si njëherë Esat Toptani në Paris. A ju është kërkuar ndonjëherë të shpjegojnë se nga u vijnë këto burime financiare??
Deduksione që vijnë vetvetishëm janë këto që po them, se këtë informacion mediatik bluajmë përditë. Atë informacionin tjetër, të shërbimeve të fshehta, janë të tjerë që e përpunojnë dhe e shpërndajnë, e dhunojnë për interesa, të cilat i propagandojnë si në favor të shoqërisë, por që në realitet janë interesa nga më të errëtat në dëm të asaj.
Në “Gazeta Shqiptare” para pak kohësh kishte një artikull lidhur me faktin se janë shtuar rastet e filmave të Hollivudit, ku referenca negative e shoqërisë shqiptare është mjaft e shpeshtë.
Sipas një skenaristi me emër, media amerikane e ka gjetur shumë intrigues, surrealist realitetin shoqëror shqiptar. Analogji surrealiste. Përfaqësuesit më tipikë të politikës surrealiste shqiptare, Doktori, Nano, Meta, Ceka, Pollo, Topalli, Stilografi, Penicilina, Dizenjatorja etj., etj., mund të pyeten fare thjesht: Mos ndoshta gjithë këto deformime me pasoja të shëmtuara të zhvillimeve shoqërore shqiptare përgjatë viteve të diktatit tuaj janë bërë nën influencat e diktuara nga kahje që shkojnë në interes të vendeve të tjera?