Truprojat e historisëNga Xha Xhai, xhaxhai.wordpress.comA duhet mbrojtur historia me ligj? E formuluar kështu, pyetja tingëllon absurde, edhe pse shumë klasa dhe grupe anembanë botës e mbështetin pushtetin dhe supremacinë e tyre mbi versione të mira
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Truprojat e historisëNga Xha Xhai, xhaxhai.wordpress.comA duhet mbrojtur historia me ligj?
E formuluar kështu, pyetja tingëllon absurde, edhe pse shumë klasa dhe grupe anembanë botës e mbështetin pushtetin dhe supremacinë e tyre mbi versione të miratuara të narrativave historike, prandaj edhe çdo qasje kritike ndaj këtyre narrativave do ta konsideronin vetvetiu si akt armiqësor.
Kështu shpjegohet, bie fjala, ligji famëkeq për mbrojtjen e figurave historike që miratoi regjimi Alia pak muaj para se t’i vinte fundi; e që kishte për synim të mbronte statujat e Enver Hoxhës nga kavot e çelikut dhe buldozerët; dhe veprat shumëvëllimëshe të diktatorit nga fabrikat e kartonit.
Në raste të tjera ligjet që parashikojnë ndëshkime penale për të gjithë ata që vënë në dyshim të vërtetat e amshuara të historisë nisen nga qëllime të tjera, më të pranueshme. Kështu, një numër i madh vendesh demokratike të Bashkimit Evropian kanë miratuar legjislacion kundër të gjithë atyre që vënë në dyshim versionin zyrtar të Holokaustit. Mes këtyre vendeve vlejnë të përmenden Austria, Belgjika, Republika Çeke, Franca, Gjermania, Luksemburgu, Vendet e Ulëta, Polonia, Portugalia, Rumania dhe Spanja.
Suksesi i ligjeve kundër “mohuesve” të Holokaustit ka frymëzuar edhe të tjera grupe që e themelojnë identitetin e tyre mbi interpretime të caktuara të historisë.
Kështu, komunitetet armene prej kohësh u bëjnë trysni qeverive perëndimore që të njohin zyrtarisht “gjenocidin armen” ose masakrimin e armenëve prej Perandorisë Osmane gjatë viteve 1915-1923. Kështu, Asambleja Kombëtare franceze e ka deklaruar krim mohimin e këtij gjenocidi, ndërsa në 2006 parlamenti francez diskutoi një projektligj sipas të cilit mohuesit e gjenocidit armen dënohen me deri 5 vjet burg.
Çuditërisht, qëndrimi zyrtar i Izraelit në lidhje me gjenocidin armen është se çështje të tilla u duhen lënë historianëve t’i diskutojnë e t’i vendosin, jo politikanëve.
Nga vendet e Bashkimit Evropian, Polonia dhe Republika Çeke dënojnë me ligj edhe mohimin e krimeve të komunizmit.
Gjatë debateve që ngjalli në mediet monografia e Oliver J. Schmitt për Skënderbeun, nuk munguan propozimet për ta mbrojtur figurën e Skënderbeut me ligj. Vetëm kapaciteti i ulët i ganglioneve të politikanëve shqiptarë e ka lënë këtë argument jashtë fushatës së tashme elektorale.
Më në fund sot lexoj në telegraph.co.uk se pasionet për ta vënë historinë në jakí ligjesh qenkan ndezur edhe në Rusi.
Në fakt, presidenti rus, Medvedev, krijoi në maj 2009 një komision për identifikimin e revizionistëve “të huaj” që përdhosin prestigjin e Rusisë dhe falsifikojnë historinë e saj; ai gjithashtu mbështet miratimin e një ligji, i cili do të dënojë me deri në 5 vjet burg çdo qytetar rus ose të huaj që pretendon publikisht se Bashkimi Sovjetik, në fillim të Luftës II Botërore, pushtoi pjesë të Polonisë ose të shteteve baltike.
Përfytyroni një botë të ardhshme, ku secili shtet sovran, jo vetëm mbron me ligj versionin zyrtar të historisë së vet, por edhe narrativat e historive të vendeve të tjera - siç bën, bie fjala, Franca me historinë e armenëve ose të Perandorisë Osmane.
Përfytyroni edhe kokëçarjet që do t’i sillte kjo legjislatorëve të një Evrope të Bashkuar të nesërme, kur Franca t’i shpjegonte Turqisë se çfarë kishte ndodhur pikërisht me armenët në 1915; dhe Greqia t’i impononte Shqipërisë versionin e vet “korrekt” të asaj çfarë ndodhi me çamët gjatë shek. XX…
Qesharake vërtet; sikur të mos ishte aq sa s’bëhet serioze.