FMN, tani opsion politikNga Mero BazePër herë të parë që prej vitit 1992 dy kandidatët rivalë për kryeministër të Shqipërisë kanë vizione të ndryshme për të ardhmen e bashkëpunimit të Shqipërisë me FMN dhe për realitetin ekonomik të vendit pas shenja
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
FMN, tani opsion politikNga Mero BazePër herë të parë që prej vitit 1992 dy kandidatët rivalë për kryeministër të Shqipërisë kanë vizione të ndryshme për të ardhmen e bashkëpunimit të Shqipërisë me FMN dhe për realitetin ekonomik të vendit pas shenjave të sigurta që ka shfaqur kriza. Të dyja partitë kryesore politike në vend kanë thuajse të njëjtat qëndrime për çështje madhore, siç ka qenë integrimi i Shqipërisë në institucionet ndërkombëtare, raportet me FMN dhe Bankën Botërore, raportet me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Bënte dallim Partia Socialiste e viteve të para të ‘90-ës, deri nga viti 1994, e cila kishte rezerva për NATO-n dhe BE. Pas tejkalimit të atij kompleksi politika shqiptare nuk ka njohur më ndarje për çështje të tilla madhore.
Qëndrimi diametralisht i kundërt i Sali Berishës dhe Edi Ramës ndaj FMN po kthehet tani në një opsion politik. Berisha dhe PD po luftojnë që ta mbajnë larg Shqipërisë FMN duke vizatuar një realitet ekonomik të paprekshëm ende nga qytetarët shqiptarë, që ndeshet vetëm në deklaratat e tyre për shtyp, ndërsa e majta e Edi Ramës thotë se, sapo të vijë në pushtet, do të rivendosë raportet e mëparshme me FMN duke firmosur një program bashkëpunimi.
Ky qëndrim i skajshëm po e ndan Shqipërinë për herë të parë, jo vetëm politikisht, por edhe diplomatikisht. Qëndrimet kaq të kundërta për një institucion ndërkombëtar, që i ka shërbyer ekonomisë shqiptare si roje për 18 vite, janë të pazakonta. Qëndrime të tilla kaq të ndryshme ndaj një institucioni apo vendi tjetër mund të gjesh vetëm në republikat ish-sovjetike, ku një bllok politik është prorus dhe tjetri është indipendentist. Ndarja kaq e fortë mes Ramës dhe Berishës për këtë çështje është e frikshme dhe tregon zhvillimin pa perspektivë të vendit dhe mungesën e një strategjie kombëtare, jo vetëm për daljen nga kriza, por dhe për vlerësimin e faktorëve të krizës.
Ky qëndrim, i cili është bërë dje publik nga dy intervista të marra ndarazi nga agjencia prestigjioze Reuters, në të vërtetë përbën një problem të ri dhe ndoshta madhor në këtë fushatë elektorale.
“U kam thënë atyre se shumë miq të mi dhe kolegë nuk duan të punojnë me ata. Pse?” - pyet Berisha. “FMN tremb biznesmenët; nuk është i shëndetshëm për biznesin. Çdo program për ndihmë mund të inkurajojë trazira sociale.”
Këto janë deklaratat e kryeministrit të sotëm të Shqipërisë. Në kundërshtim me të, rivali Edi Rama i thotë Reuters se, “ne jemi totalisht kundër vendimit të qeverisë për t’u tërhequr nga programi i asistencës i FMN... “Mund të them që prioriteti ynë absolut është rihapja e negociatave me FMN”, - tha Rama.
Këto dy qëndrime diametralisht të kundërta rrezatojnë një ndarje të re të spektrit politik sipas modelit të vitit 1996-1997, kur FMN u përzu dhe vendi u rrënua nën efektin gërryes të triadave financiare. Tanimë, në vend të disa piramidave, ka paralajmërime serioze se buxheti mund kthehet në një piramidë nga mosrealizimet dhe rritja e borxhit të brendshëm.
Elektorati shqiptar natyrisht që i kupton fare pak këto qëndrime kaq të ndara për një çështje kaq jetike sa është bashkëpunimi i Shqipërisë me FMN. Ekranet televizive që duhet të debatojnë rreth këtyre problemeve, janë kthyer në zhurmues të debateve mediokre që telekomandohen me sms nga zyrat e kryetarëve, ndërsa vendi është në udhëkryq për të rizgjedhur dhe një herë “pavarësinë” nga Perëndimi nën pushteti e Berishës apo dorëzimin te FMN nën drejtimin e Ramës. Kurrë më parë shqiptarët nuk kanë qenë të detyruar të bënin zgjedhje të tilla. Dhe kjo është shenjë e fortë se diçka e rëndë po na fshihet, diçka që mund të na dëmtojë të gjithëve.